GJIROKASTËR- Një 35 vjecar është arrestuar në Gjirokastër i akuzuar për vjedhjen e një kishe, por pas hetimeve, rezultoi se ai dyshohet për një seri vjedhjesh në objektet e kultit. Sipas burimeve policore bëhet me dije se në pranga është vënë 35-vjeçari Bujar Kalemi, lindur dhe banues në fshatin Zhapokikë të Tepelenës, i dënuar edhe më parë për vjedhje.
“Ndalimi i tij shtetasi u bë për arsye se ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit, ka tentuar të vjedhë me thyerje Kishën e Kryqit të fshatit Labovë, në Libohovë”- thonë burimet e policisë. Sipas saj, i ndaluari, pasi ka thyer derën e jashtme të kishës, ai ka hyrë në ambientet e saj ku ka tentuar të shpërthejë me një levë hekuri kasafortën ku hidhen lekët nga besimtarët.
Ka qenë në këtë moment kur ai është diktuar nga kujdestari i kishës, i cili ka lajmëruar policinë. Arrestimi i tij është bërë në një kodër mbi fshatin Labovë.
Nga veprimet e para hetimore, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore të një sërë vjedhjesh të kishave të ndodhura gjatë vitit 2009 në rrethin e Gjirokastrës. Ai akuzohet për vjedhjen e kishës “Shën Parashqevi”, të fshatit Terihat të Komunës Dropulli i Poshtëm; të kishës së fshatit Poliçan të Komunës Pogon në Gjirokastër dhe atyre të fshatit Skore e Sopik, po në këtë komunë, të kishave në Zagori dhe në Pogon.
© Panorama.al











