
Një penallti shumë e dyshimtë dhe disa vendime radhazi në favor të skuadrës së Skënderbeut degjenerojnë në dhunë në ndeshjen në kryeqytet. Bardheblutë duan të braktisin ndeshjen, por korçarët marrin pikët.Gjithçka nisi në minutën e 52-të, kur Muzaka pengohet në hyrje të zonës nga Sina. Gjithçka në rregull, pasi loja vazhdon pas fërshëllimës së gjyqtarit kryesor, Hoxha. Rreth një minutë më vonë, anësori Gëzim Koka thërret kryesorin Hoxha dhe sinjalizon që ajo ndërhyrje ishte penallti. Gjyqtari, pasi konsultohet me virojtësin, merr një vendim, ndonëse të vonuar, duke akorduar 11-metërsh; moment që shoqërohet me kontestime të ashpra të lojtarëve vendas. Osmani i kërkon shpjegim anësorit për këtë vendim, mirëpo mbrojtësi ndëshkohet me të verdhë. Në atë moment, sulmuesi i Tiranës, Bekim Bala, shpërthen në lot dhe është trajneri Krstiçeviç që mundohet ta ngushëllojë. Ndërkaq, Shkëmbi ekzekuton penalltinë, 1-0. Në këto çaste largohet nga stadiumi Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bashkë me eskortën e tij, ndërsa lojtarët kërkojnë të braktisin fushën, por binden nga trajneri Krstiçeviç dhe rinisin lojën. Në minutën e 61-të ka sërish përplasje. Gvozdenoviç kryen një ndërhyrje të gabuar ndaj Fagut, i cili pretendon se është dëmtuar rëndë. Ky moment sjell konfrontime lojtarësh dhe, si rrjedhojë, gjyqtari ndëshkon me të kuq Gvozdenoviçin. Acarohen lojtarë, por edhe tifozët. Ndërhyjnë forcat e rendit, që kanë përplasje dhe sportdashësit, duke përdorur edhe shkopinjtë e gomës. Si përfundim, disa prej tifozëve “Ultras Fanatics” shoqërohen në komisariat. Zbret në fushë edhe presidenti Halili, i cili i kërkon Dabullës që të qetësojë lojtarët. Shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, në tentativë për të qetësuar situatën, tenton të rikthejë në stol të riun Sorra, duke e kapur për fyti. Loja ndërpritet sërish në minutën e 70-të, këtë herë për një tjetër akuzë, pasi në Laç ku luhet Laçi-Flamurtari kishte ndërprerje. Rreth pesë minuta zgjati kjo pauzë dhe më pas ndeshja rifilloi e qetë në fushë, por jo në shkallët e stadiumit.
Krstiçeviç: Nuk di ç’të them, e kotë të flas
Është bërë zakon që pas përfundimit të një ndeshjeje, trajnerët të japin deklaratën e tyre për mediat, mirëpo dje, ndryshe nga çdo herë tjetër, kryebankina e bardhebluve, Misho Krstiçeviç, nuk ka dashur të flasë. Ose, e thënë ndryshe, nuk dinte se çfarë të thoshte. Si gjithnjë, me mirësjelljen që e karakterizon, ka thënë se nuk dëshiron të prononcohet, pasi nuk di se çfarë të thotë dhe si ta thotë. Misho kërkon që të mendohet dhe t’i bëjë një rezyme të plotë përballjes së djeshme dhe në fund të nxjerrë konkluzionet. Një përfundim paraprak e dha edhe dje, ku përjashtoi lojtarët e tij nga faji, pasi thellë-thellë e kishte me mënyrën si luhet futboll në Shqipëri. “Çfarë të them? Është e kotë të flas”, tha shprehimisht kroati për mediat, fjalë që pasqyronin qartë zhgënjimin që kishte pësuar.
“Fitore e merituar, s’ka diskutime”
Trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, pas përfundimit të kësaj sfide tejet të kontestuar, për mediat është shprehur i kënaqur për fitoren, që e cilëson totalisht të merituar. “Një fitore plotësisht e merituar dhe këtë nuk duhet ta diskutojmë fare. Kjo ka qenë një ndeshje që na ka vënë në presion, duke qenë se përballeshim me një ekip si Tirana, i cili nuk ka asnjë lloj objektivi. Megjithatë, u tregua qartë që ishte një lojë shumë e fortë. Vlen të përmend se gjatë pjesës së parë nuk arritëm të dilnim në lojë dhe kjo si rrjedhojë e presionit psikologjik. Ndërsa në të dytën ishim më të qartë, shënuam edhe golin që arritëm ta ruanim deri në fund. Ai ka qenë një 11-metërsh shumë i saktë, por unë them që situata që u krijua ndodhi për shkak se e dha anësori. Ka pasur një hezitim, normalisht duhej ta jepte kryesori, sepse kishte pamje më të qartë. Penalltia ka qenë e pastër dhe më vjen keq që situata degradoi. Pas këtij momenti filloi nervozizmi i panevojshëm që shkaktoi gjithë rrëmujën. Unë di të them se ne kemi bërë një kampionat shumë të rregullt dhe nuk më intereson se çfarë bën kundërshtari. Unë e kam pranuar këtë detyrë pasi nuk jam hipokrit, përveç ndeshjes me Dinamon të gjitha ndeshjet e tjera kanë qenë të drejta. Nëse Dinamo ka toleruar se ka bërë vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj Tiranës”, tha trajneri në lidhje me ndeshjen dhe 11-metërshin e kontestuar. Duro, i pyetur për zëvendësimet krejt të çuditshme të Andi Lilës dhe Gilman Likës, do t’i përgjigjej: “Nuk e di arsyen e largimit të Lilës dhe Likës, që është një lojtar kryesor i Tiranës, por ato janë vendime që i merr trajneri i ekipit tjetër, nuk më takojnë mua t’i diskutoj”.
Igli Tare ndjek ndeshjen Tirana-Skënderbeu
Igli Tare ka ndjekur dje ndeshjen me Tiranës dhe Skënderbeut. Drejtori Teknik i skuadrës së Lacios ka qenë i shoqëruar me dy menaxherë italianë. Mirëpo nuk dihet ende nëse ka ardhur për të vizituar vendin e vet, apo për arsye pune. Fakti që ishte i shoqëruar nga dy menaxherë nuk do shumë për të kuptuar se qëllimi mund të jetë interesimi për ndonjë futbollist të bardhebluve, apo edhe korçarëve. Ndonëse Tare, i pyetur nga mediat për arsyen e pranisë së tij në tribunën e stadiumit “Qemal Stafa”, është shprehur shkurt dhe qartë. Ai ka mohuar se ka ardhur për punë, teksa shprehimisht tha se: “Kam ardhur për qejf, nuk ka ndonjë arsye”. Drejtori Teknik i bardhekaltërve është larguar pa përfunduar mirë përballja e tensionuar.
Leonard Karaj
© Panorama.al











