Gërdeci, Patrick Henry refuzon pjesëmarrjen

Apr 15, 2011 | 11:04

TIRANË- Shtetasi amerikan, Patrick Henry, partner biznesi i Mihal Delijorgjit, refuzon pjesëmarrjen në gjyqin e nisur tashmë prej kohësh për tragjedinë që shkakoi 26 viktima dhe mbi 300 të tjerë të gjymtuar. Në seancën e sotme, kryetari i trupit gjykues ka lexuar letrën nga SHBA, sipas të cilës Henry dhe ekspertët kanë refuzuar të jenë pjesë e gjyqit duke iu nënshtruar pyetjeve të ndryshme në këtë proces. Dëshmia e tij ka qenë një nga elementët e konsideruar si mbajtës peng të procesit dhe ka ‘bllokuar’ atë.

Pronari i kompanisë amerikane SAC, e cila u bashkua në vitin 2007 me kompaninë e Mihal Delijorgjit, e më pas solli disa makineri demontimi në Gërdec, është konsideruar dëshmitar në dosjen penale të tragjedisë. Patrick Henry dhe dy specialistë municionesh që ai solli në Gërdec nga SHBA, gjatë hetimeve paraprake të Prokurorisë së Përgjithshme kanë dhënë detaje të mungesës së masave të sigurisë në fabrikën e Gërdecit. Dëshmia e dhënë në hetime paraprake për Prokurorinë, sipas ligjit, duhet të pohohet nga vetë shtetasit amerikanë në Gjykatë.

Gjykata e Tiranës, tri herë radhazi ka dërguar letër-porosi në SHBA për dëshminë e amerikanit Patrick Henry, duke dhënë variantet e pyetjes së tij me letër-porosi, me video-konferencë ose me anë të paraqitjes së tij para Gjykatës në Tiranë. Dy kërkesat e para të dërguara nga Shqipëria nuk morën përgjigje. Patrick Henry ka qenë për herë të fundit në Gërdec më 13 mars 2008, dy ditë para tragjedisë së ndodhur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit.

© Panorama.al

Te lidhura