Forcat e Gedafit kanë goditur fushat e naftës në Libinë lindore, e cila është në duart e rebelëve. AGOCO, kompania e naftës në Gjirin Arab që punon në impiantin “Sarir”, ka hedhur poshtë kështu deklaratat e qeverisë në Tripoli, se fushat ishin bombarduar nga NATO-ja dhe konkretisht, avionët britanikë. NATO ka kryer sulme të tjera ajrore pranë qyteteve ku po zhvillohen beteja mes rebelëve dhe forcave të Gedafit, duke vrarë gabimisht një karvan me 13 rebelë. Kështu u shënua rasti i tretë që ndodhin gabime të tilla. Fluturime të tjera të paidentifikuara kanë ndodhur mbi Tripoli. Gedafi, në një letër dërguar Obamës, kishte kërkuar ndalimin e fushatës ajrore mbi Libi. Por Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ishte shumë e qartë kur tha “Gedafi e di se çfarë duam ne”. Ajo e hodhi poshtë kërkesën e liderit libian.











