Gara me motor, vdes 22-vjeçari te Liqeni

Apr 19, 2011 | 10:15

TIRANE – Një 22-vjeçar nga Tirana humbi jetën mbrëmjen e së dielës teksa garonte me motor bashkë me disa bashkëmoshatarë të tjerë, në afërsi të digës së Liqenit Artificial. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të vona të mbrëmjes, kur i riu E. Susaj, me disa miq të tjerë po bënin gara shpejtësie me motorë me kubaturë të madhe dhe në përfundim të garës ai ka humbur ekuilibrin. Nga lëvizja me shpejtësi tej normave të lejuara, Susaj është përplasur fillimisht me parakolpin e një makine të parkuar në anë të rrugës. Më pas ka humbur ekuilibrin dhe pasi ka bërë disa rrotullime në asfalt, 22-vjeçari ka përplasur kokën në trotuarin në anë të rrugës, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por i riu kishte ndërruar jetë. Pas kësaj, policia ka shoqëruar për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes miqtë me të cilët po garonte viktima.

© Panorama.al

Te lidhura