Urdhri i Olldashit/ Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, me një urdhër të datës 18 prill, ka vendosur të rishpërndajë 4836 kreditë për familjet e pastreha që përfitojnë sipas ligjit për strehimin. Gazeta publikon ndryshimet për çdo qytet, nga vendimi i nëntorit tek ai i para disa ditëve. Urdhërohet Enti Kombëtar i Banesave të raportojë çdo tre muaj pranë ministrit. Cilat janë kriteret për të përfituar një kredi për shtëpi dhe shifrat për secilin nga qytetet e vendit.
Rreth 4836 kredi për familje të pastreha, që përfitojnë sipas ligjit për strehimin, janë miratuar dhe rishpërndarë sipas një urdhri të ditëve të fundit të ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi.Kjo rishpërndarje kredish vjen me një urdhër të datës 18 prill 2011, në mes të fushatës elektorale, ku bie në sy një rritje e numrit të kredive për disa zona në vend që nuk kanë pasur më parë asnjë kredi për banesë me kosto të ulët. Kështu bashkive që ju është rritur numri i kredive janë Peshkopia, Fushë-Kruja, Shijaku, Peqini, Lushnja, Patos, Roskoveci, Gjirokastra, Këlcyrë, Përmet, Tepelenë, Pogradec, Krumë, Kukës, Laç, Lezhë, Mamurras, Pukë, Kamëz. Për të balancuar këto rritje, kreut të MPPT-së i është dashur të zbresë numrin e kredive për disa qytete, si Elbasani, Shkodra, Gramshi, Ballshi.
Urdhri
Urdhri i ministrit të MPPT-së synon që të rrisë efiçencën me të cilën zbatohet programi “Banesa me kosto të ulët, faza e dytë 2010-2011”. Në këtë urdhër specifikohet qartë rishpërndarja që u bëhet kredive për secilin qark dhe qytet dhe për mënyrën se si do të veprojnë institucionet në vijim për të zbatuar me sukses programin. “Enti Kombëtar i Banesave të raportojë periodikisht çdo 3 muaj pranë ministrit të Punëve Publike dhe Transportit për ecurinë në zbatim të këtij programi”, thuhet në urdhrin me numrin 48 të Olldashit. Ndërkaq, Entit Kombëtar të Banesave i lind gjithashtu detyrimi që të bëjë propozime lidhur me rivlerësimin e programit. Me këtë urdhër është anuluar edhe vendimmarrja më e herët e drejtorive të Ministrisë së Punëve Publike dhe në fuqi tashmë është urdhri më i fundit.
Kush përfiton
Banesat me kosto të ulët janë pjesë e programit të dytë që MPPT-ja zbaton për të pastrehët. Qytetari mund të blejë një banesë në treg përkundrejt disa standardeve dhe kushteve të përcaktuara nga Ministria. Për blerjen e kësaj banese mund t’i drejtohet bankës me të cilën është lidhur marrëveshja për të përfituar një kredi me kushte lehtësuese. Janë disa kategori që përfitojnë kredi. E para është ajo e familjeve që kanë aplikuar pranë bashkive për banesë me kosto të ulët. Nëse miratohet, ato përfitojnë një kredi të cilën e paguajnë me një interes 3 për qind (dhe diferencën mes interesit të tregut) dhe 3 përqindëshin e mbulon buxheti i shtetit. Një tjetër nënkategori është kategoria qiramarrëse në ish-pronë private, të cilët përfitojnë marrjen e një kredie dhe nuk paguajnë asnjë interes, por paguajnë vetëm principalin dhe gjithë interesin e paguan buxheti i shtetit. Kështu edhe kategoria e tretë për punonjësit dhe funksionarët e nivelit të lartë të administratës publike, të cilët përfitojnë një kredi me interes 4 për qind dhe diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit.
Numri i kredive sipas qyteteve siç ishte në nëntor dhe pas urdhrit të ministrit

Strehimi, problem për qytetin
SHKODER – Strehimi vazhdon të mbetet një problem tepër shqetësues për qytetin e Shkodrës edhe pas masave të marra për ndërtimin e disa pallateve për të pastrehët apo për dhënien e kredive pa interes, me afat të gjatë shlyerjeje. Janë rreth dy mijë familje të përfshira në listat emergjente për strehim në qytetin e Shkodrës, prej të cilave rreth 1400 bëjnë pjesë në familjet që janë strehuar në banesat e ish-pronarëve dhe që tashmë duhet t’i lirojnë përfundimisht ato. Familjet e pastreha shprehen të pakënaqura me numrin e pallateve të ndërtuara për sistemimin e tyre, por nga ana tjetër drejtuesit e Entit Kombëtar të Banesave në Shkodër shprehen se ndër vite është ndërtuar një numër i konsiderueshëm apartamentesh. Sipas drejtuesve të Entit të Banesave, këtij institucioni i është vënë në dispozicion një sipërfaqe e konsiderueshme toke tek ish-Korpusi për ndërtimin e pallateve të tjera, por koha e ndërtimit arrin deri në 2 vjet, çka sjell vonesa në sistemimin e shpejtë të numrit të madh të të pastrehëve të qytetit të Shkodrës. Megjithatë, nuk shihet si zgjidhje numri i pallateve të ndërtuar, por prej vitesh shihet si efikase dhe dhënia e kredive afatgjata, për të cilat qeveria do mbulojë dhe interesat. Sipas drejtorit të EKB në Shkodër, Lulzim Karini, ndonëse procedurat e aplikimit për kredi për familjet e pastreha pranë EKB-së janë shumë të thjeshta vihet re se numri i aplikuesve është shumë i ulët, duke u bërë një tregues i nivelit të ulët ekonomik të familjeve të pastreha, që nuk mund të marrin as kredi pa interes për shtëpitë e tyre. r.d
NERTILA MAHO
© Panorama.al











