TIRANË- Vazhdim i transformimit të Tiranës, 200 mijë vende të reja pune deri në vitin 2020, kryeqytet për të gjithë pa dasish majtas e djathtas dhe politikë vendore që i shërben qytetarit. Këto ka premtuar kreu aktual i Bashkisë së Tiranës, në garë për mandatin e katërt, gjatë prezantimit të kandidates për njësinë bashkiake numër 5 në kryeqytet, Jeta Seitaj. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Rama ka shprehur besimin në fitore, pasi sipas tij, “Tiranës nuk i duhet një Sali në qeverisë dhe një tjetër Sali në Bashki”.
Duke iu referuar bllokimit të këshillit bashkiak, për të cilën Rama ka akuzuar këshilltarët e djathtë, Rama ka deklaruar se Tirana nuk do ia japë kurrë votën atyre që i bllokuan dhunshëm.
“Në vend të premtimeve me idera të kopjura keq nga plani ynë që e mbajnë në sirtar e kanë mbajtur për ta nxjerrë copa- copa, arna- arna, si cdo gjë që kanë bërë, këta duhet t’i japin llogari qytetarëve për keqqeverisjen e tyre. Tirana s’ka nevojë për një Sali në qeveri e për një tjetër në bashki, po për llogari nga Saliu për faturat, taksën e inflacionit dhe pamundësinë ekonomike”- tha Rama.
Kreu i bashkisë ka numëruar gjithë punën që ka bërë Bashkia gjatë këtyre viteve qeverisje, punë që sipas tij do të vazhdojë më me shumë intensitet.
Ai ka premtuar një qytet në të cilin do të gjejnë punë të gjithë, jo vende pune si premtime elektorale, por si ka thënë vetë, vende pune të parapara brenda një harte strategjike zhvillime. “187 hektarë do t’i kushtohen veprimtarive ekonomike për të hapur vende të reja pune”- tha Rama.
© Panorama.al











