
Komuniteti rom ka qenë dje prioritet i fushatës elektorale nga politikanët e hyrë në garën e 8 majit.Në qytete të ndryshme të vendit, krerët e partive dhe kandidatët kanë zhvilluar aktivitete e kanë kryer premtime për anëtarët e komunitetit rom, duke nisur nga shtëpitë e deri të integrimi i tyre në shoqëri e në politikë. Kryeministri Berisha ishte dje në Durrës, ku prezantoi fazën e parë të projektit për ndërtimin e 100 apartamenteve të banimit për familjet rome, të një qendre shëndetësore e shërbime të tjera sociale. Kreu i qeverisë, teksa uroi për ditën ndërkombëtare të romëve, anëtarët e këtij komuniteti, i garantoi se qeveria do të mobilizojë të gjithë kapacitet e saj në ndjekjen e politikave për strehimin, punësimin dhe shkollimin e këtij komuniteti, duke akorduar fonde për projekte që nxisin integrimin e tyre në shoqëri. “Në këtë ditë, edhe një herë zotohem se qeveria shqiptare do të bëjë përpjekje të pandërprera për të mbështetur komunitetin tuaj dhe për të zhdukur gjithnjë e më shumë pasojat e rënda të diskriminimit shekullor të pamerituar ndaj jush”. Gjithashtu, Berisha u ka bërë thirrje romëve që të regjistrohen, pasi, sipas tij, ky është hapi i parë për sigurinë e tyre. Kryeministri prezantoi projektin për ndërtimin e banesave sociale në zonën e Nish-Tullës në Shkozet, ku është vendosur pjesa më e madhe e komunitetit prej 3 mijë banorësh. Premtohet se ndërtimi i tyre do të jetë në çdo qytet të Shqipërisë.
Ndërsa kreu i PS-së, Edi Rama, ishte i pranishëm në një aktivitet të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në ambientet e Parkut Rinia, me sloganin “Të gjithë për një shoqëri”. Protagonistë ishin fëmijë që kanë ndjekur programe edukimi në qendra sociale. “Ne jemi përditë pranë me problemet tuaja, me hallet tuaja dhe përpiqemi përditë që të zgjidhim çka mundemi nga këto probleme e këto halle, që sigurisht nuk kanë të mbaruar, por që pa dyshim ne mundemi dhe do t’i përballojmë së bashku, siç i kemi përballuar. Bashkia jonë është bërë një shtëpi edhe për të gjithë ju, për të gjithë komunitetin tuaj”, u shpreh kryebashkiaku aktual, Rama. Nga sa u bë me dije dje, Bashkia e Tiranës synon promovimin e kulturave dhe traditave të këtij komuniteti, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e rrjetit të infrastrukturës, në zonat ku jeton ky komunitet, në çerdhe, kopshte dhe shkolla. Për fëmijët e familjeve në vështirësi sociale e ekonomike janë hapur qendra sociale e komunitare, të cilat ofrojnë shërbime psiko-sociale, aftësim profesional, shërbime të edukimit parësor, shërbime të higjenës dhe ushqimit për rreth 700 fëmijë dhe të rinj të familjeve rome. Për fëmijët në situatë rruge është hapur shërbimi rrugor SOS. Njësia e terrenit mësohet se ka identifikuar dhe po trajton rreth 120 fëmijë në situatë rruge, kryesisht romë.
Ndërsa kandidati i PS-së së Korçës, Niko Peleshi, kryebashkiaku aktual, ka shkuar më tej duke zgjedhur si anëtar të Këshillit Bashkiak të ardhshëm Erjon Jakupin, i komunitetit rom, ndërsa premtohet se kreu i partisë “Toleranca e re”, Arben Kosturi, të jetë kryetar i mundshëm i Këshillit Bashkiak pas 8 majit. Subjekti politik që ai përfaqëson bën pjesë në koalicionin e forcave të majta politike dhe, së bashku me Erjon Jakupin të vënë në listë nga Partia Socialiste, regjistrohen për herë të parë si kandidatë të një minoriteti për këshilltarë bashkiakë.
Premtimet për romët
Sali Berisha nga Durrësi:
Regjistrim dhe pajisje me dokumente; ndërtim të banesave sociale; qendrave shëndetësore; kopshteve për fëmijët dhe ambiente të tjera sociale; hapësirat për shkollim e punësim; një vakt ushqim në shkollat ku mëson shumica prej tyre
Edi Rama nga Tirana:
Akses në edukim, në shëndetësi, në shërbimet sociale; shanse të barabarta; integrim dhe përfshirje; përmirësim të rrjetit të infrastrukturës ku jeton ky komunitet
Niko Peleshi nga Korça:
Integrim të përfaqësuesve të komunitetit rom dhe në politikë, duke angazhuar në Këshillin Bashkiak të ardhshëm dy prej tyre
Qazim Sejdini nga Elbasani:
Vëmendje nga qeveria vendore e këtij komuniteti; investim në infrastrukturë dhe arsimim të fëmijëve romë
Romët, protestë para Bashkisë
Para se të zhvillohej takimi me përfaqësues të shoqatave të komunitetit rom në Korçë, për të bërë të ditur se dy drejtues të shoqatave të tyre janë kandidatë për Këshillin e ardhshëm Bashkiak, u zhvillua një protestë e përfaqësuesve të tjerë nga komuniteti rom. Me flamur kombëtar dhe atë të PD-së, ata u pozicionuan para Bashkisë. Protestuesit u shprehën se ndihen të zhgënjyer nga qeverisja lokale e kryetarit të bashkisë, Niko Peleshi, për çështjen e strehimit. Ata kërkuan më shumë interesim dhe vëmendje për komunitetin e tyre nga drejtimi i Bashkisë së Korçës pas zgjedhjeve të 8 majit.
Presidenti Topi: Shfrytëzoni të drejtën e votës
Presidenti Bamir Topi ka kërkuar dje nga komuniteti rom që të shkojnë drejt kutive të votimit në datën 8 maj. Teksa ka përshëndetur Konferencën Kombëtare “Respektimi i të drejtave të minoritetit rom në Shqipëri për një shoqëri pa diskriminim dhe racizëm”, ai tha: “Merrni pjesë në zgjedhje, sepse çdo individ, pavarësisht se i cilës etnie është, ka të drejtën e votës që ia garanton Kushtetuta e Shqipërisë. Shfrytëzoni të drejtën e votës! Mos e konsideroni veten tuaj të mënjanuar! Ju jeni njësoj si të gjithë të tjerët”.
Wollfarth: Pjesëmarrje e komunitetit rom në vendimmarrje
Duke folur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, kreu i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit rom që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e 8 majit. “Është thelbësore që të sigurohet pjesëmarrja më e plotë publike e komunitetit rom në gjithë vendimmarrjen që prek jetët e tij”, tha ai, ndërsa shprehu besimin se autoritetet e vendit do t’i vijnë në ndihmë komunitetit rom në ushtrimin e së drejtës për të votuar.
Vasilika Hysi: Ndjesë publike për dhunën ndaj romëve
Partia Socialiste akuzoi dje maxhorancën se ka dhunuar komunitetin rom, duke dëbuar 49 familje nga banesat e tyre në periferi të Tiranës. Deklarata përkon me Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ku deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, tha: “Familjet rome të shpërngulura dhe gjithë qytetarët shqiptarë nuk kishin nevojë të shihnin teatër, por prisnin që kandidati i Berishës për Bashkinë e Tiranës të kërkonte ndjesë publike për heshtjen e treguar dhe që nuk mbrojti familjet rome të dhunuara”.
Ministria e Punës, panair për romët
Dita Ndërkombëtare e Romëve u festua dje me muzikë tradicionale rome dhe një panair me punime artizanale nga ky komunitet, aktivitetet të mbajtura në kryeqytet në parkun “Rinia” dhe në lulishten para Piramidës. Në panair mjeshtrit romë kishin sjellë një koleksion të larmishëm punimesh artistike të punuara me dorë dhe të prodhuara në një shumëllojshmëri materialesh, prodhime të cilat tërhoqën vëmendjen e blerësve të shumtë. Aktivitetet e djeshme mbyllën Ditët e Promovimit të Vlerave dhe Traditës së Minoritetit Rom, të organizuara nga Ministria e Punës, të cilat u zhvilluan prej një jave në të gjithë vendin
© Panorama.al











