Fukushima arrin majat, ANEA: S’është Çernobili

Apr 13, 2011 | 11:21

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, në përpjekje për të ulur alarmin në Japoni dhe në botë pas ngritjes së shkallës së rrezikut në centralin Fukushima në nivelin maksimal, shtatë, njolloj sa ai i Çernobilit, kanë deklaruar se nuk ka asgjë të përbashkët mes këtyre dy incidenteve. Vendimi i Japonisë për të rritur nivelin e vlerësimit të aksidentit në centralin Fukushima nuk do të thotë se ai mund të krahasohet me Çernobilin”, tha në një konferencë për shtyp zyrtari i agjencisë atomike të OKB-së, Denis Flori, duke shtuar se “Ky është një aksident tërësisht i ndryshëm”. Ai siguroi se sasia e radioaktivitetit e emetuar në aksidentin e Çernobilit në 1986 ishte shumë më e lartë. Zyrtarët japonezë kanë pranuar se e kanë vonuar vlerësimin e incidentit të Fukushimës në shkallën maksimale, duke barazuar atë me nivelin e Çernobilit, duke kërkuar informacion të saktë dhe të kujdesshëm mbi shkallën e plotë të shkatërrimit në këtë impiant. Megjithatë, aksidenti i Çernobilit ka qenë më i keqi në historinë e botës. Por edhe në Fukushima, radioaktiviteti po përhapet në shkallën më të lartë në ajër, ujin e pijshëm, perimet dhe ujin e detit në zonat rrethuese të centralit. Sipas ANEA-s, radioaktiviteti i emetuar do të krijojë për popullsinë aty rrotull probleme afatshkurtër dhe afatgjatë me shëndetin si dhe probleme me ambientin. Ndërkohë, vendi është goditur dje nga një tjetër tërmet 6,3 ballë. Tërmetet në vend janë bërë një dukuri e zakonshme dhe, sipas ekspertëve, tërmete të kësaj shkalle, por edhe më të larta do të vazhdojnë të godasin vendin edhe për shumë herë të tjera. Nga tërmeti i 11 marsit në Japoninë verilindore kanë humbur jetën rreth 28 mijë njerëz, ku trupat e më shumë se gjysmës prej tyre ende nuk janë gjetur.

© Panorama.al

Te lidhura