Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një komunikimi për shtyp ka shprehur shqetësimin për mostransmetimin e ndeshjeve të futbollit të Superiores gjatë kësaj jave. “Vërtetësia dhe korrektesa e kësaj arsyeje u shkërmoq në momentin kur në kanalet e Supersport u njoftua me titra që për mosmarrëveshje me FSHF-në teleshikuesit e abonuar me pagesë nuk mund të ndiqnin takimet e Ligës Superiore. Larg pretendimeve të palës bojkotuese, FSHF i ka përmbushur të gjitha detyrimet kontraktuale për transmetimin e ndeshjeve. Me gjithë trysninë e kombinimit të dy lajmeve kontradiktore, përfshirë nga surpriza dhe situata e paparashikuar, federata priti ditën e shtunë, kur luajtën më të mirët e Ligës Superiore, Flamurtari në Durrës dhe Skënderbeu në Krujë. Por përsëri asgjë. Duke parë që nuk mbërriti asnjë shkresë zyrtare, Federata Shqiptare e Futbollit menjëherë ka dërguar një shkresë zyrtare, në të cilën paralajmëron se do të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën për të gjetur mundësinë që të transmetojë pa ndërprerje ndeshjet e futbollit shqiptar”, thuhet në komunikatën e djeshme për shtyp.











