Shqipëria do të vijojë të ketë rritje ekonomike gjatë këtij viti, por rritja që parashikon Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të mbetet shumë poshtë asaj që pret qeveria, madje më e ulët se në 2010-n.Ndërsa FMN-ja pret që për vitin 2011 vendi ynë të ketë një rritje të GDP-së reale prej 3.5 për qind qeveria e pret atë të jetë mbi 5 për qind. Parashikimet tejet optimiste të qeverisë dhe ato të “ngrysura” të FMN-së nuk është hera e parë që përplasen dhe që vendosen goxha larg. Ndërkohë, FMN-ja bën parashikime edhe për vitin 2012, ku pritet që rritja ekonomike të jetë 3.6 për qind dhe më pas në vitin 2016 rritja do të kapë kufirin 4.5 për qind. Të gjitha këto jepen në raportin e fundit të FMN-së, lidhur me ecurinë e ekonomisë globale në tërësi dhe specifikisht për secilin vend. Në këto parashikime përfshihen edhe treguesit për ekonominë tonë, ku përveç rritjes ekonomike që duket se do të ecë pozitivisht, dy tregues të tjerë parashikohen në përkeqësim. Inflacioni tashmë i njohur si problem real i vendit tonë dhe i konsideruar si një inflacion i “importuar” nga tregjet ndërkombëtare edhe nga FMN-ja, vlerësohet se do të jetë i lartë gjatë këtij viti. Kështu, në raport mesatarja e çmimeve të konsumit për vitin 2011 pritet që të jetë në nivelin 4.5 për qind. Kjo shifër në fakt është mbi tavanin që Banka e Shqipërisë ka si objektiv të saj për të mbajtur inflacionin brenda kontrollit 3 për qind +/-1. Fakti që inflacioni është në këto nivele, tregon se Shqipëria rrezikohet realisht nga rritja e çmimeve, e cila këto tre muajt e parë të vitit është bërë shumë e dukshme, sidomos tek ushqimet dhe karburantet dhe nga INSTAT-i vërtetohet që inflacioni ka dalë jashtë objektivit të BSH-së. Ndërkohë, sa i përket parashikimeve më të largëta që bën FMN-ja për çmimet e konsumit, pritet që në vitin 2012 mesatarja të jetë 3.5 për qind. Një tjetër tregues që do të vijë në përkeqësim krahasuar me 2010-n është edhe balanca në llogarinë korrente. Shpenzimet që qeveria ka shpallur se do të kryejë në një sërë projektesh të rëndësishme gjatë këtij viti, kanë bërë që FMN-ja të parashikojë një përkeqësim të balancës së llogarisë korrente. Nëse për vitin 2010 kjo balancë ishte -10.1, për vitin 2011 parashikohet që të jetë -11.2, me plot 1.1 për qind përkeqësim. Ndërkohë që në vitin 2012 balanca e llogarisë korrente do të përmirësohet duke u stabilizuar në -9.8 për qind të GDP-së.
3.4 për qind
parashikohet nga FMN-ja që të jetë rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2011 në raportin e fundit për ekonominë globale. Ky parashikim është më i ulët sesa rritja e pranuar për vitin 2010 prej 4.1 për qind.
5.5 për qind
parashikohet që të jetë rritja eko-nomike gjatë këtij vit nga qeveria. Kjo shifër e vlerësuar si tejet optimiste, mbështetet nga qeveria me argumentet e investimeve publike, por dhe gjallërimit të ekonomisë
pas krizës.
-11.2 PERQIND parashikohet që të jetë balanca e llogarisë korrente në përqindje të GDP-së. Krahasuar me 2010-n, kjo balancë parashikohet në përkeqësim, ndërkohë që për vitin 2012 pritet që balanca të ndryshojë pozitivisht.
4.5 PERQIND parashikohet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të jetë inflacioni mestar gjatë vitit 2011. Ky parashikim mbështetet deri tani edhe nga shifrat e INSTAT-it për tre muajt e parë ku inflacioni ka qeni lartë.
FMN per rritjen dhe buxhetin
“Ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.5 për qind dhe një inflacion 3 për qind. Duke marrë në konsideratë këta dy tregues, rritja e të ardhurave duhet të mos jetë më shumë se 7 për qind. Por, ne po shikojmë një rritje shumë më të madhe dhe kjo nuk mund të konsiderohet si e matur”, do të shprehej në nëntor Gerwin Bell.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











