Flamurtari shpreson te 3 pikët

Apr 19, 2011 | 10:54

Gjithçka varej shumë edhe nga relacioni i arbitrit dhe i delegatit. Në rast se ata do të pasqyronin me korrektësi atë që kishte ndodhur para ndeshjes në Peqin, atëherë vlonjatët mund të shpresonin tek fitorja në tavolinë. Tani kjo gjë mund të ndodhë vërtetë, pasi incidenti para ndeshjes dhe presioni në dhomat e zhveshjes janë shkruar të gjitha në relacion. Shkumbini mund të dënohet vetëm me një gjobë dhe me ndeshje në fushë asnjanëse, por ama rregullorja parashikon edhe humbjen në tavolinë të sfidës në kësi rastesh. Pika 2 e nenit 66 të Kodit të Disiplinës Sportive parashikon: Në rastet e shkeljeve të rënda, kur personat juridikë, shoqatat dhe klubet që dështojnë në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive të tyre mund të merren sanksione si zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë, zhvillimi i ndeshjeve në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga gara ose nga kampionati, ose humbje e ndeshjes në tavolinë. Tani gjithçka mbetet në dorën dhe në gjykimin e Komisionit të Disiplinës. Shkumbini rrezikon seriozisht shumë në rast se Disiplina do të vendosë për ta dënuar me humbjen e ndeshjes në tavolinë për incidentet që ndodhën atje. Skuadra peqinase jo vetëm që do të ndihet sërish e kërcënuar për mbijetesën, por ndoshta do t’i duhet t’i bëjë llogaritë që disa nga ndeshjet e radhës t’i luajë pa tifozët e saj, për shkak të sanksioneve që mund të merren. Në këtë rast, i fituari do të ishte Flamurtari, i cili do të rikthehej sërish në vendin e parë të klasifikimit. Megjithatë, duhet pritur vendimi i sotëm i Disiplinës për të mësuar se çfarë masash do të merren.

© Panorama.al

Te lidhura