Te Flamurtari nisin përçarjet brenda skuadrës. Barazimi i fundit në Durrës ka prodhuar shumë polemika dhe tashmë situata në kampin vlonjat nuk është e qetë. Shkaku i krijimit të kësaj situate te kuqezinjtë ka zanafillën te krisja e marrëdhënieve të katërshes: Xhafaj, Devolli, Sakaj dhe Ahmataj. Këta të fundit janë konsideruar si liderët e skuadrës dhe kanë qenë gjithnjë në harmoni me njëri-tjetrin dhe pjesën tjetër të grupit. Shpesh lojtarët i shikoje bashkë edhe jashtë fushës, madje duke pirë shpesh kafe me presidentin e Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Tashmë gjithçka ka ndryshuar, kjo edhe për rrjedhojë të një ftohjeje të marrëdhënieve mes lojtarëve dhe kreut të klubit, Gjika. Ky i fundit ka krijuar një distancë nga ky grup dhe kjo e ka një arsye. Rezultatet jo të pritura në javët e kaluara kanë bërë që situata të mos jetë më si më parë. Madje kjo është pranuar nën zë edhe nga trajneri Magani. Ai ka pranuar faktin se situata aktuale në ekip është tensionuar dhe duhen marrë masa të menjëhershme.











