
Më shumë se një mijë tifozë nga Vlora, por edhe të tjerë të grupimeve ultras të Tiranës dhe Partizanit, do të protestojnë sot para zyrave të FSHF-së mbi trukimet dhe garën e pandershme, që sipas tyre ka mbërthyer kampionatin.Ajo që u deklarua një ditë më parë nga tifozëria vlonjate dhe presidenti i klubit “Flamurtari”, Shpëtim Gjika, do të bëhet realitet ditën e sotme. Sportdashësit e këtij klubi do të protestojnë përpara Federatës Shqiptare të Futbollit kundër dhunës në Laç, në ndeshjen e javës së 30-të, por edhe në ndeshjet e tjera, si në Ballsh dhe Peqin. Veç dhunës, tifozët protestojnë edhe për lojën, sipas tyre me dy standarde të zhvilluara deri më tani në kampionat. Sipas informacioneve, priten të jenë rreth 15 autobusë që do të nisen nga qyteti i Vlorës rreth orës 9-të të mëngjesit, për të udhëtuar drejt kryeqytetit dhe natyrisht, më pas për të protestuar përpara ambienteve të FSHF-së. Pika e takimit do të jetë stadiumi “Selman Stërmasi” dhe më pas aty grupimet e tifozërisë vlonjate do të drejtohen nga zyrat e Federatës. Këta të fundit kanë konfirmuar se do të kenë mbështetjen edhe të tifozërive të tjera, si asaj të Tiranës dhe të Partizanit. Kërkesa kryesore e sportdashësve është drejtësia dhe dhënia e tri pikëve për ndeshjen e zhvilluar në Laç, ku u dëmtua rëndë portieri Shpëtim Moçka. Drejtuesit e tifozërisë vlonjate kanë bërë të ditur gjithashtu, se kërkesa e tyre do të drejtohet edhe ndaj Komisionit të Disiplinës, që sipas tyre, faktet i ka përpara, por nuk vepron vetëm se në mes është emri i Flamurtarit. Disiplina e shtyu marrjen e vendimit me pretekstin se kishte nevojë për një hetim më të detajuar. Por, tifozët pohojnë se nëse nuk do të ketë një vendim në favor të Flamurtarit për atë që i takon, atëherë protestat e tyre nuk do të jenë më paqësore sikundër sot, por do të përshkallëzohen dhe për gjithçka do të vihet në dijeni UEFA e FIFA.
Superiore/ Java 31
Sot, ora 16:30
Bylis-Laçi
Elbasani-Kastrioti
Nesër, ora 16:30
Flamurtari-Tirana
Skënderbeu-Vllaznia
Besa-Dinamo
Teuta-Shkumbini
Leonard Karaj
© Panorama.al











