Për të katërtin vit në kuadrin e Ditës Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, me iniciativë të Departamentit të Letërsisë, zhvillohen një sërë veprimtarish. Në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, do të zhvillohet një panair libri me botimet më të reja të fushave që studiohen në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë me çmime të ulura për studentët. Me këtë rast, paraqiten për auditore studentësh e specialistësh botimet shkencore të pedagogëve të fakultetit dhe të shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair. Këtë vit do të vihet në dispozicion të pjesëmarrësve një katalog me botimet e pedagogëve të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë prill 2010-prill 2011. Nuk do t’i mungojnë kësaj dite as tryezat e debatit. Këtë vit, në fokus të këtyre tryezave janë temat: “E ardhmja e fjalës së shtypur në epokën digjitale” dhe “Letërsia shqipe dhe njohja e saj jashtë vendit”. Të ftuar janë autorë dhe aktorë të industrisë së librit, duke filluar nga specialistët e fushave përkatëse pranë fakultetit tonë, tek botuesit, media e studentët apo lexuesit e specializuar. Është bërë traditë që kjo festë e librit të përmbyllet me një pasdite poetike e një konkurs poetik mes studentëve krijues të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë. Gjithçka në sinkroni me veprimtaritë që zhvillohen në të gjitha vendet e botës anëtare të UNESCOS, madje edhe në simbolika, siç është motoja “një libër- një lule”, që karakterizon tradicionalisht këtë ditë.











