
“Falja e gjakut” është i pari film, i cili flet i gjithi shqip, që ka arritur të marrë një çmim prestigjioz.Arriti të marrë “Ariun e argjendtë” për skenarin më të mirë, në një nga festivalet më të rëndësishme në kinematografinë botërore, në Festivalin Ndërkombëtar të Berlinit, apo siç njihet ndryshe edhe “Berlinale”. Por ndërsa regjisori është amerikan, skenaristi është shqiptar, dhe kjo është ajo që e bën fitoren edhe më shqiptare. Pas këtij çmimi, ftesave të shumta për pjesëmarrje në festivale ndërkombëtare filmi, marrëveshjen me Sundance Selects për shpërndarjen e filmit, autorët e quajnë më se të ligjshme që të jenë ata përfaqësuesit e kinemasë shqiptare në çmimet e mëdha “Oskar”. “Ne jemi përpjekur të bëjmë një film të ndershëm, që sheh drejt e në sy problemet e atyre të rinjve në Shqipëri, jeta e të cilëve është ngërthyer midis modernitetit dhe traditës. Ky është një film plot ndjenjë, dhe humanizmi buron nga çdo kuadër i filmit. Jam i sigurt që ky film do të komunikojë fuqishëm dhe qartë në Amerikë, siç komunikoi edhe në Berlin, pasi në qendër të tij është një histori e triumfit të shpirtit njerëzor në rrethana të errëta, dhe si e tillë mbetet një histori universale, po aq sa është një histori specifike shqiptare. Unë uroj që Qendra Kombëtare e Kinematografisë të nisë procedurat zyrtare për të zgjedhur filmin “Falja e Gjakut”, si filmi përfaqësues i Shqipërisë për t’u nominuar në “Oscar for Best Foreign Language Film”, pasi filmi deri më tani ka dëshmuar se i ka të gjitha shanset reale për të arritur në nivelin më të lartë të konkurrimit”, thotë skenaristi i filmit, Andamion Murataj. Pavarësisht se filmi mban regjinë e

Joshua Marston, pra të një regjisori të huaj, Murataj thotë se ai i ka të gjitha të drejtat për të përfaqësuar Shqipërinë. “Filmi ynë mund të konkurrojë në shumë kategori, që nga aktorët, skenari, regjia si edhe filmi më i mirë. Por kategoria ku ka më shumë shanse të vazhdojë konkurrimin, është “Best Foreign Language Film”. Siç e thotë dhe titulli, bëhet fjalë për një film në gjuhë të huaj – filmi ynë, pa dyshim është në gjuhë të huaj dhe 100% shqip. Pra, pak rëndësi ka regjisori, e rëndësishme është gjuha. Të gjitha kategoritë e tjera janë përzgjedhje nga një institucion që quhet “Academy of motion pictures arts and sciences”, prandaj “Oscar” quhen ndryshe dhe Academy Awards. Kategoria për “Best Foreign language” përzgjidhet nga filmat e paraqitur nga secili vend”, vazhdon Murataj. Sipas tij, Shqipërisë i takon të përzgjedhë një film në gjuhën kombëtare, që ka shanse reale për të arritur sa më lart. “Dhe normalisht, nisur nga suksesi i filmit, duhet të jetë Qendra Kinematografike që të mendojë realisht, se cili është filmi që vërtet ka shanse. D.m.th nuk duhet ta kërkojmë ne si përfaqësues të filmit, por ata duhet të zgjedhin atë çka është në interes kombëtar dhe mund të garojë vërtet. Festivali në Berlin ishte si të thuash prova më e qartë. “Falja e gjakut” nuk ishte filmi i vetëm shqiptar që merrte pjesë, por u pa qartë cili kishte avantazhe. Pastaj, duhet thënë se shumë nga anëtarët e jurisë së Berlinit janë anëtarë dhe të Akademisë së Oscar-ëve”, vazhdon skenaristi, teksa thotë se si producent shqiptar i filmit, ndër të tjera ka për detyrë të sensibilizojë opinionin publik për këtë shans real që ka Shqipëria me këtë film. “U bëj thirrje institucioneve përkatëse të marrin vendim në favor të kulturës kombëtare, jo për të kënaqur interesa klanesh, që në një luftë të tillë nuk mungojnë”, thotë Andamion Murataj. Filmi “Falja e gjakut” nuk është shfaqur ende në kinematë shqiptare. Sipas autorëve, ai mund të shfaqet për publikun shqiptar në fund të këtij viti, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fillim të vitit që vjen.
Filmi
Titulli: “Falja e gjakut”
Regjia: Joshua Marston
Skenari: Andamion Murataj
Producent: Paul Mezey
Në rolet kryesore: Tristan Halilaj, Sindi Lacej, Refet Abazi etj.
Çmime: “Ariu i argjendtë”, Berlinale
ALMA MILE
© Panorama.al











