FIER – Një 15-vjeçar nga fshati Zharrëz i Fierit është në gjendje kritike për jetën, pasi u plagos ndërsa mblidhte hekur për skrap në zonën e puseve të naftës. Një kullë e pusit të naftës u rrëzua, ndërsa adoleshenti me inicialet R.H., bashkë me shokë të tij po tentonte të siguronte skrap në këtë zonë. Të 5 shokët e një moshe dhe nga i njëjti fshat, fillimisht kanë prerë me sharrë hekurat e kullës dhe më pas e kanë tërhequr me litar për ta hedhur në tokë. Në këtë moment, një element hekuri është shkëputur prej kullës, duke i rënë mbi kokë. Menjëherë ai është ndihmuar nga shokët, të cilët e kanë transportuar për në spitalin e qytetit të Fierit ku i është dhënë edhe ndihma e parë. Për shkak të gjendjes së rëndë, u vendos transportimi i tij për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas dëshmive të shokëve të të plagosurit, kushtet e vështira ekonomike të familjeve të tyre i detyronin që të ndërmerrnin veprime të tilla që bien ndesh me ligjin dhe rrezikojnë jetët e tyre. “Kishim shkuar edhe herë të tjera, po nuk ishte ndonjë gjë e rëndë. I shesim për skrap për të çuar ndonjë lek në shtëpi. Por dje ishte tmerr. E pamë me sytë tanë kur një pjesë kulle e naftës, e përbërë nga një hekur i rëndë, u shkëput dhe i ra në trup shokut tonë. Ishte një pamje kaq e rëndë sa nuk e heqim dot nga kujtesa. Urojmë vetëm që shoku ynë të jetojë. Jemi nxënës të një klase, në shkollën e mesme të Zharrëzës”, thotë 15-vjeçari, A.G., shok i të plagosurit. Sipas tij, i plagosuri e ka të ëmën e sëmurë, me helm në gjak, duke justifikuar çdo veprim të kryer për mbijetesë. Edhe një javë më parë 2 banorë të zonës naftëmbajtëse të Marinëzës kishin shkuar për të nxjerrë hekurishte dhe për t’i shitur për skrap, por kulla e lartë e pusit u ka rënë në kokë dhe në trup, duke i plagosur dy shtetasit. m.r











