Federata, “shkes” Hasin për talentin e Mançesterit

Apr 13, 2011 | 13:51

Federata Shqiptare e Futbollit është hedhur në sulm për të veshur kuqezi talentin kosovar, Adnan Jonuzaj, që luan te gjigantët e Mançester Junajtid.Lajmin e kanë pohuar edhe burime zyrtare brenda FSHF-së, sipas të cilave ka qenë vetë presidenti i Federatës, Armand Duka, ai që i ka kërkuar ish-mesfushorit të Shqipërisë, Besnik Hasi, që të bëjë ndërmjetësin dhe të bindë talentin 16-vjeçar që të zgjedhë Shqipërinë për të ardhmen e tij. Dy ditë më parë Duka dhe Hasi kanë biseduar së bashku në telefon dhe mësohet se kreu i FSHF-së i ka kërkuar ish-futbollistit kuqezi që të bindë Adnan Januzajn që të luajë për Shqipërinë. Besnik Hasi, aktualisht zv.trajner i skuadrës së Anderlehtit, e njeh mirë Januzajn, pasi e ka pasur në akademinë e klubit belg. Kujtojmë se deri dy muaj më par Januzaj aktivizohej tek të rinjtë e skuadrës së Anderlehtit dhe është një futbollist që ka dalë nga akademia e këtij klubi. Mësohet gjithashtu se Besnik Hasi ka luajtur një rol të rëndësishëm për transferimin e mesfushorit me tipare sulmuese te klubi anglez i Mançester Junajtid. Januzi nënshkroi për këtë skuadër deri më 30 qershor të vitit 2015. “Djajtë e kuq” paguan një shifër prej 650 mijë eurosh për kartonin e talentit me origjinë nga Istogu i Kosovës. Adnan Januzaj ka lindur në Belgjikë më 5 shkurt të vitit 1995. Prindërit e tij janë kosovarë, por kanë emigruar shumë vite më parë në Bruksel të Belgjikës. Januzaj u formua si futbollist te Anderlehti dhe është një “prodhim” i pastër i akademisë së klubit të njohur. Dy vitet e fundit ai ka shkëlqyer në kompeticionet për të rinj, duke spikatur për teknikën, shpejtësinë dhe vizionin e lojës. Për këtë arsye ai ka pasur oferta marramendëse edhe nga shumë klube të mëdha europiane si Bajerni i Mynihut dhe Çelsi, por në fund vendosi të firmoste për Mançester Junajtid. Januzaj ka marrë ftesë edhe nga kombëtaret e moshave të Belgjikës, por ai nuk ka pranuar që të grumbullohet, pa dhënë asnjë arsye. Duke qenë se futbollisti nuk ka luajtur më parë me asnjë përfaqësuese tjetër, i bën optimistë drejtuesit e FSHF-së që ai të veshë fanellën kuqezi në të ardhmen. Besnik Hasi ka premtuar se do të bëjë gjithçka që futbollisti të mund të luajë për Shqipërinë në të ardhmen.

 

JETMIR HALILAJ

© Panorama.al

Te lidhura