
Ervin Skela ka qenë një ndër të paktët futbollistë shqiptarë që arriti të ndërrojë 10 fanella në klubet gjermane. Por skuadra që vazhdon ta nderojë emrin e tij është FC Shemnicer, në të cilën u angazhua në vitet 1999-2000.
E përditshmja gjermane “freiepresse.de”, gjatë turneut “Eins-Oldie-Master”, i ka kushtuar ish-mesfushorit vlonjat Ervin Skela një dokumentar ku flitet mbi momentet e veçanta të karrierës së tij. Gjithashtu Skela kujton edhe vetë disa nga momentet e bukura, por edhe kritike në Gjermani. Skela mund ta kujtojë me saktësi se çfarë ndodhi më 26 maj 2000. Ishte një nga ditët më të veçanta të karrierës së tij. Mesfushori shqiptar veshi për herë të parë fanellën e FC Shemnicer, të cilët pas ngjitjes në Bundesligës 2 po zhvillonin një sezon pozitiv. Para ndeshjes së fundit, atë kundër Tenis Borusias Berlin, ekipi i Kristof Franke rrezikonte rënien në Ligën 3. Duhej me patjetër një fitore për të mos u dridhur nga zona e ftohtë. Në minutën e 14-të të kësaj sfide, Ulf Mehlhorn shkëputet nga e majta dhe kroson në zonën e rreptësisë, ku qëndronin shumë mbrojtës shtatlartë të Berlinit. Por, luftën në ajër e fitoi më i shkurtri në atë zonë: Ervin Skela. I gjatë 1.73 metra gjuan me kokë dhe shënon golin e avantazhit 1-0. U quajt goli i historisë, pasi FC Shemnic mbijetoi në Ligën 2 falë golit të Skelës. “Ai gol nuk ka qenë i vetmi i shënuar me kokë në karrierën time. Në atë formë kam shënuar tre, ku secili ka pasur rëndësinë dhe veçantinë e tij”, nënvizoi Skela gjatë turneut, ku luajti përkrah Mikael Balakut. Edhe pse dribluesi vlonjat luajti për pak kohë me “të kaltrit”, kjo eksperiencë ka lënë gjurmë në karrierën e tij. “I jam mirënjohës trajnerit të asaj kohe, Kristof Franke. Ai u bë shkes i transferimit tim nga Aue te FC Shemnic dhe më dha shansin të luaj në Bundesligën 2”, theksoi 36-vjeçari, i cili u përpoq t’ia shpërblente ish-trajnerit. “Besoj se ia arrita. Unë fitova besimin e tij dhe e nderova me pjesëmarrjen time. Unë isha mesfushori më i rrezikshëm për FC Shemnic”. Sipas statistikave, Skela në atë aq pak kohë shënoi 11 gola me fanellën e kaltër. Në merkaton e dimrit 2001, ai u bë pjesë e skuadrës SV Valdhof Manhaim. “Kanë kaluar shumë vite. Nuk kam çfarë të kujtoj nga ajo kohë”, thotë Skela për atë transferim. Deri në atë moment, FC Shemnic kishte 9 pikë dhe teorikisht ishte i rënë në Ligën 3. Pas tri vitesh, 25 maji 2003 ka qenë një tjetër ditë e veçantë për mesfushorin vlonjat, por këtë herë me fanellën e Frankfurtit, ku bëri bujë të madhe dhe tifozët ishin të dashuruar pas tij. Ishte ndeshja e fundit në Ligën 2, Frankfurti ishte në garë me Maincin për t’u ngjitur në Bundesligë. Të dyja skuadrat kishin golavarazh dhe pikë të barabarta. Ndërkohë, Mainci luante me Braushvagun dhe fitoi 4-1, Frankfurti njëkohësisht duhet të fitonte me golavarazh më të lartë. Me Skelën në fushë, bileta u pre. Frankfurti fitoi me drithërima 6-3. Skela shënoi një gol dhe dha dy asiste të përkthyera në gol. “Të tilla ndeshje ndodhin një herë në shekull. Ne luanim në shtëpi kundër Rojtlingen. Deri në 7 minutat e fundit të takimit rezultati ishte 3-3. Atë ndeshje kam për ta mbajtur mend gjithë jetën”, kujton 36-vjeçari shqiptar. Ajo ndeshje përfundoi 6-3, rezultat i cili la Maincin në Ligën 2. Ervin Skela ëndërronte të bëhej pjesë e një klubi elitar gjerman. Ai ishte në superformë, por në fillim të vitit 2004 Skela kishte shansin më të mirë të realizonte ëndrrën e tij. Mediat njoftonin se Skela ishte shumë pranë kalimit nga Frankfurti te Leverkuseni. Përflitej se do paguhej 1.2 milionë euro në sezon, pagë e paparë ndonjë herë nga Skela. Por, kontrata mbeti pezull. Ai ia hodhi fajin ish-menaxherit të tij. “U mërzita shumë, pasi mezi e prisja atë moment. Por, ashtu siç shkuan gjërat, shkarkova edhe ish-agjentin tim”, sqaron Ervin Skela, i cili tashmë e ka mbyllur karrierën e tij. Aktualisht, Skela punon për llogari të Federatës Shqiptare. Ai po gjurmon talentet në Gjermani për t’i marrë ata në Kombëtaren shqiptare. “Qëllimet e mia janë të punoj si menaxher në futbollin gjerman. E kam edhe licencën”, sqaron Skela. Ai i uron ish-skuadrës së tij, FC Shemnic, pjesëmarrjen në Bundesligën 2, ashtu si më 26 maj 2000.
LEONARD KARAJ











