Sezoni turistik ka ndryshuar edhe hartën e krimit, për shkak se kontigjentët e krimit zbarkojnë në zonën e bregdetit për aktivitetet e tyre.
Policia e Himarës ka finalizuar sot (15korrik) operacionin e koduar “Shuma”, duke arrestuar tre persona të dyshuar për tentativën e grabitjes së një 70-vjeçari në fshatin Borsh.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 12 korrik 2026, kur tre autorët dyshohet se hynë në banesën e të moshuarit, e mbajtën me dhunë dhe e kanosën me një imitues arme zjarri, konkretisht një pistoletë çakmak, me qëllim vjedhjen e një shume parash.
Pas kallëzimit të bërë nga 70-vjeçari, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë zhvilluan veprime intensive hetimore, duke bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve.
Njoftimi i Policisë Vlorë:
“Hynë në banesën e një të moshuari, e mbajtën me dhunë dhe e kanosën me një imitues arme zjarri (pistoletë çakmak), me qëllim vjedhjen e një shume parash. Identifikohen, kapen dhe arrestohen 3 autorët e dyshuar.
Njëri prej të arrestuarve ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, për krime në fushën e narkotikëve.
Autorët kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të kryer krimin.
Sekuestrohet automjeti tip “Mercedes-Benz”.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimit të një 70-vjeçari, se më datë 12.07.2026, në fshatin Borsh, 3 shtetas kishin hyrë në banesën e tij, e kishin mbajtur me dhunë dhe e kishin kanosur me një imitues arme zjarri, me qëllim vjedhjen e një shume parash, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin policor të koduar “Shuma”.
Në kuadër të operacionit u identifikuan, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit:
- Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë;
- T., 23 vjeç, banues në Vlorë;
- C., 19 vjeç, banues në Vlorë.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. C. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve.
Nga hetimet rezultoi se 3 shtetasit kishin mbajtur banesën e 70-vjeçarit në vëzhgim për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të kryer krimin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.
© Panorama.al












