“Paratë e pista të krimit dhe korrupsionit kanë depërtuar në ekonomi”- Tabaku: Hetimet e SPAK po konfirmojnë denoncimet e opozitës! Shqetësim pastrimi i parave dhe kriptovalutat

Jul 15, 2026 | 13:01

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot në Komisionin e Nismës Qytetare në Kuvend, ku po raportonte kreu i SPAK, Klodian Braho dhe vartësit e tij, se raporti dhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme po konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej vitesh nga opozita për depërtimin e parave të krimit dhe korrupsionit në ekonominë shqiptare.

tabaku komision

Gjatë raportimit të drejtuesit të SPAK-ut, Klodjan Braho, zëvendësdrejtuesve të tij dhe drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Tabaku u ndal te lidhja mes krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Sipas saj, të dhënat e paraqitura nga SPAK-u tregojnë se këto nuk janë më fenomene të veçuara, por pjesë e një sistemi të ndërlidhur që prodhon para të paligjshme dhe më pas i fut ato në ekonominë formale.

“Shumë nga denoncimet e bëra ndër vite po provohen. Nuk bëhet fjalë për një rrezik të supozuar, por për një problem të vazhdueshëm dhe të strukturuar”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate vlerësoi faktin se SPAK-u ka identifikuar pasuritë e paluajtshme dhe bizneset me përdorim të lartë të parasë fizike si destinacionin përfundimtar të procesit të pastrimit të parave.

Ajo theksoi se hetimet e fundit për sektorin e ndërtimit përforcojnë shqetësimin e opozitës se një pjesë e ekonomisë shqiptare është ekspozuar ndaj kapitalit me origjinë kriminale.

Për këtë arsye, Tabaku kërkoi informacion mbi numrin e kompanive të ndërtimit që janë nën hetim dhe mbi mekanizmat që SPAK-u po përdor për të identifikuar origjinën e financimeve, pronarët realë dhe përfituesit përfundimtarë të tyre.

“Operacionet e fundit vërtetojnë shqetësimin tonë legjitim për helmimin e ekonomisë nga paratë e pista”, deklaroi ajo.

Tabaku ngriti gjithashtu çështjen e kompanive me pronësi nominale, të cilat përdoren për të përfituar kontrata dhe fonde publike, ndërsa pronarët dhe përfituesit realë qëndrojnë të fshehur.

Ajo kërkoi që hetimet të mos ndalen vetëm te personat e vendosur formalisht në krye të kompanive, por të ndjekin rrjedhën e parave deri te kontrolluesit dhe përfituesit realë të skemave.

Një tjetër çështje e ngritur nga deputetja e PD-së ishte hetimi i zyrtarëve të lartë jo vetëm për veprat penale të korrupsionit, por edhe për pastrimin e të ardhurave që mund të burojnë prej tij.

Sipas Tabakut, goditja e korrupsionit mbetet e paplotë pa identifikuar mënyrën se si paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme pastrohen, investohen dhe rikthehen në ekonomi përmes kompanive, pronave dhe ndërtimeve.

Deputetja kërkoi që sektori i ndërtimit të përfshihet në raportet e ardhshme të SPAK-ut si një sektor me rrezik të lartë për pastrimin e parave, duke marrë parasysh edhe hetimet dhe operacionet e zhvilluara së fundmi.

Ajo u ndal edhe te shtrirja ndërkombëtare e grupeve kriminale shqiptare, që operojnë nga vendet e Amerikës Latine deri në portet e Bashkimit Europian.

Tabaku kërkoi informacion mbi vlerën e pasurive të sekuestruara në sektorët e ndërtimit dhe turizmit, si dhe mbi kapacitetet që SPAK-u dhe BKH-ja kanë për të zhvilluar hetime financiare dhe për të gjurmuar pasuritë e paligjshme jashtë territorit shqiptar.

Në fokus të pyetjeve të saj ishin edhe kapacitetet për hetimin dhe sekuestrimin e kriptovalutave, si dhe bashkëpunimi institucional me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, administratën tatimore dhe doganore.

Tabaku kërkoi të dinte sa referime kanë mbërritur nga këto institucione dhe sa prej tyre janë shndërruar në hetime konkrete nga Prokuroria e Posaçme.

Deputetja demokrate vlerësoi gjithashtu ndërtimin e raportit të SPAK-ut në funksion të procesit të integrimit europian, ndërsa kërkoi informacion mbi çdo nismë ligjore që mund të kufizojë kompetencat dhe hapësirën hetimore të institucionit.

Sipas saj, mbrojtja e SPAK-ut dhe forcimi i kapaciteteve të tij janë të domosdoshme për të goditur sistemin që ka lidhur korrupsionin politik, krimin e organizuar dhe ekonominë e parave të pista.

Mesazhi i Tabakut ishte se puna e SPAK-ut po nxjerr në dritë një realitet të denoncuar prej kohësh nga opozita: korrupsioni nuk përfundon te marrja e një ryshfeti apo te abuzimi me një tender, por krijon një zinxhir që vijon me pastrimin e parave, investimin e tyre në ekonomi dhe përqendrimin e pasurisë në duart e një pakice.

Fjala e Tabakut dhe pyetjet e saj në Komision:

Dua të bëj dy komente përpara pyetjeve, në lidhje me raportin.

Së pari, si lexuese e raporteve tuaja ndër vite, konstatoj se këtë vit raporti ka një formë tjetër dhe është ndërtuar duke u bazuar te procesi i integrimit. Por, fatkeqësisht, shoh edhe një nëntekst mbrojtës, që lidhet me rreziqet që mund t’i kanosen SPAK-ut nga legjislativi dhe jo vetëm.

Për rrjedhojë, pyetja ime është kjo: Cilat janë shqetësimet konkrete për të cilat ju keni dijeni në lidhje me iniciativa ligjore që mund të kufizojnë hapësirën, autoritetin dhe përgjegjësitë e SPAK-ut për hetimet aktuale dhe ato të ardhshme?

Kjo ka rëndësi, sepse çdo nismë ligjore duhet të jetë në përputhje me direktivat, detyrimet dhe rekomandimet që kemi marrë në kuadër të procesit të integrimit europian.

Dua të ndalem në tri fenomene: krimi i organizuar, korrupsioni dhe pastrimi i parave.

Këto nuk janë më probleme sporadike, pasi shohim se SPAK-u ka identifikuar një ekosistem ku këto tri fenomene janë të ndërlidhura. Shumë nga denoncimet e bëra ndër vite sot po provohen.

Nuk bëhet fjalë për një rrezik të supozuar, por për një problem të vazhdueshëm dhe të strukturuar. Për këtë arsye dua të fokusohem në këto tri tema.

Raporti thekson se faza përmbyllëse e pastrimit të parave përfundon në pasuri të paluajtshme dhe në biznese që operojnë me para fizike. Ndërkohë, sipas raportit, për vitin 2025 nuk ka asnjë kompani ndërtimi të dërguar në gjykatë për pastrim parash. Nuk po flas këtu për operacionet më të fundit, të cilat duhet të vlerësohen, pasi na vërtetojnë shqetësimin tonë legjitim për helmimin e ekonomisë nga paratë e pista.

Konkretisht, sa kompani ndërtimi janë aktualisht nën hetim nga SPAK-u dhe çfarë procesesh hetimore po ndiqen në lidhje me pastrimin e parave për këto kompani?

SPAK-u ka arritur të dërgojë përpara drejtësisë persona të akuzuar për pastrim parash dhe për lidhje me krimin e organizuar. Por dosjet që janë bërë publike, të paktën nga sa kemi lexuar, kanë ardhur kryesisht si rezultat i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

A ka nisur SPAK-u hetime të veta proaktive, duke pasur parasysh sjelljen e këtyre grupeve dhe mënyrën se si ato operojnë, pa qenë e nevojshme shtysa fillestare e partnerëve tanë?

Në raport përmendni skemën e shoqërive me pronarë nominalë, të cilat përfitojnë para publike përmes tenderave. Këtu kemi të paktën dy raste publike, atë të Bashkisë së Tiranës dhe rastin e ish-zëvendëskryeministres, ku përmenden kompani me pronësi nominale.

A i ka identifikuar SPAK-u pronarët dhe përfituesit realë të këtyre kompanive, apo hetimet ndalen vetëm te pronari nominal?

Sa zyrtarë të lartë janë hetuar për pastrim parash dhe jo thjesht për korrupsion?

Ndërtimi është një nga sektorët më të ndikuar nga paratë e pista. Fatkeqësisht, shoh se ndërtimi nuk evidentohet si sektor me rrezik në tabelën që keni paraqitur në raport.

Duke pasur parasysh se ky shqetësim është konfirmuar edhe nga operacionet më të fundit të SPAK-ut, a mund të jetë një sugjerim që ndërtimi të përfshihet si sektor me rrezik të lartë në raportin e ardhshëm?

Çfarë strategjie ka SPAK-u për hetimin e veprimtarisë së grupeve kriminale shumëkombëshe?

Grupet kriminale shqiptare shtrihen nga Amerika Latine deri në portet e Bashkimit Europian dhe për këtë ekzistojnë prova të shumta.

Për këtë arsye, jam e interesuar të di sasinë dhe vlerën e aseteve në fushën e ndërtimit dhe të turizmit që janë sekuestruar nga SPAK-u, ose për të cilat ka vendime të Gjykatës së Posaçme, në lidhje me këto grupe.

A ka SPAK-u kapacitete reale për zhvillimin e hetimeve ndërkufitare?

Sa prej hetuesve merren posaçërisht me gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme jashtë vendit?

Në raport keni trajtuar edhe çështjen e kriptovalutave dhe për këtë ju përgëzoj.

A ka SPAK-u kapacitetet e nevojshme teknike dhe njerëzore për hetimin, identifikimin e indicieve dhe sigurimin e provave në rastet kur kriptovalutat përdoren për veprimtari kriminale? A ka kapacitet për t’i gjurmuar dhe sekuestruar këto asete?

Në lidhje me pastrimin e parave dhe luftën kundër tij, sa referime ka marrë SPAK-u nga Agjencia e Inteligjencës Financiare?

Në Kuvend kemi zhvilluar një diskutim të gjatë në momentin kur u ndryshua struktura dhe mënyra e funksionimit të kësaj agjencie.

Sa referime keni marrë prej saj dhe sa prej tyre janë kthyer në hetime aktive?

A keni marrë referime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe nga administrata doganore? Sa prej tyre kanë prodhuar hetime?

Kam edhe një pyetje për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Do të doja më shumë informacion mbi operacionin e fundit, për të cilin në media u raportua se BKH-ja veproi pa përfshirjen e Policisë së Shtetit.

A lidhet kjo me shqetësime apo raste të mundshme të dekonspirimit të operacioneve nga struktura të Policisë së Shtetit? Faleminderit”.

© Panorama.al

Te lidhura