Lajmi se piloti legjendar i lumit Hudson, Chesley “Sully” Sullenberger III, është diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer i ka tronditur të gjithë në SHBA dhe jo vetëm.
Heroi 75-vjeçar, i cili në vitin 2009 shpëtoi 155 jetë duke ulur shëndoshë e mirë avionin e fluturimit 1549 të US Airways në lumin Hudson në Nju Jork, ndau publikisht lajmin e trishtë për shëndetin e tij, duke dëshmuar se guximi i tij mbetet i pandryshuar.
Sullenberger zbuloi se sëmundja është në fazat e saj të hershme, gjë që aktualisht ndikon kryesisht në kujtesën e tij për gjërat e përditshme, siç është kujtimi i emrave ose rrjedha e historive të tij, si dhe në cilësinë e gjumit. Por në vend që të mbyllej në vetvete, ai zgjodhi rrugën e ndershmërisë dhe dhënies:
“Gjatë viteve, kur njerëzit më pyesnin për rezultatin e suksesshëm të Fluturimit 1549, thoja se ‘guximi mund të jetë ngjitës’… Tani na duhet ai guxim për të luftuar këtë sëmundje. Tani jam pjesë e një komuniteti më të madh me shumë prej jush, dhe të gjithë do të tregojmë guxim së bashku”.
Kronika e “mrekullisë në Hudson”
Karriera e Sally-t u shënua përgjithmonë nga ngjarjet e 15 janarit 2009, dhe “Mrekullia në lumin Hudson” është një nga shembujt më tronditës të menaxhimit të krizave në historinë e aviacionit civil.
Kapiteni Chesley “Sully” Sullenberger, duke u mbështetur në përvojën e tij të gjerë, e kuptoi menjëherë se avioni nuk kishte lartësinë dhe shpejtësinë e mjaftueshme për të arritur në mënyrë të sigurt në një aeroport aty pranë. Zgjedhja e tij për të përdorur lumin si pistë ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, por doli të ishte e vetmja zgjidhje shpëtimi.
Ulja e suksesshme dhe mobilizimi i menjëhershëm i ekipeve të shpëtimit, anijeve që kalonin dhe ekuipazhit çuan në largimin e sigurt të të gjithë 155 personave në bordin e avionit , duke e shndërruar një tragjedi pothuajse të sigurt në një triumf të qetësisë dhe aftësisë njerëzore.
Pasi u tërhoq nga detyra aktive në vitin 2010, Sullenberger iu përkushtua mbrojtjes së sigurisë së aviacionit. Historia e tij e pabesueshme u adaptua me sukses në një film në vitin 2016 me filmin “Sully”, në të cilin ai u luajt nga Tom Hanks.
© Panorama.al














