eronica Gentili: Shqipëria, një tërmet dashurie

Apr 17, 2011 | 12:10

Shqipëria do të ishte një tërmet i vërtetë për aktoren italiane Veronica Gentili, protagoniste në filmin “Ballkan Bazar”. Njohu një vend, për të cilin kishte ide të gabuara, njerëz po aq të ngjashëm sa italianët dhe një energji të madhe pozitive. E sheh të mundshme të dashurohet me një shqiptar, veçse janë ca si tepër… xhelozë

Miqtë e vënë shpesh në lojë. “Të humbëm, i thonë ata, tashmë je bërë shqiptare…”. Dhe në fakt ata njëfarë të drejte e kanë. Kur erdhi për herë të parë, në kokë i vërtiteshin ca informacione kaotike dhe frika nga një vend, i cili përmendej më së shumti në kronikat e zeza të emisioneve informative italiane… Sot ajo është gati të të tregojë gjithë historinë e Shqipërisë. Veronica Gentili nuk është një zë i panjohur në kinematografinë italiane, pavarësisht moshës së re. Ashtu si në të përditshmen e saj, një fytyrë e pastër, ujë e sapun, edhe në film ajo është natyrale. Kjo e tërhoqi ndoshta regjisorin Edmond Budina, që ta bënte pjesë të filmit të tij “Ballkan Bazar”. Në film ajo luan rolin e Orsolës, e cila vjen në Shqipëri për të gjetur eshtrat e gjyshit, por në këtë vend të çuditshëm, ajo gjen dhe dashurinë. Për të kjo mund të ndodhë edhe në jetën reale. Shqiptarët i pëlqejnë, ndonëse sipas saj janë vërtet shumë xhelozë… Aktorja italiane tregon aventurën e saj shqiptare, të cilën do të ishte e gatshme ta përsëriste..
Pas vajtje-ardhjeve të shumta, duket se jeni përshtatur fare mirë me Shqipërinë, por na tregoni pak për fillimin, për ardhjen e parë, si ishte?
Në fillim isha e terrorizuar. Kisha marrë këshilla të bëja kujdes në gjithçka, dhe në atë që haja… Kur e lexova skenarin në shtëpi, kuptova më pak se gjysmën e historisë. Pastaj erdha në Shqipëri, e cila ishte për mua një vend tërësisht i panjohur. Ajo që dija për shqiptarët, bazohej vetëm mbi ato që dëgjoja, që më kishin thënë, por absolutisht nuk e kisha idenë, madje isha e mbushur plot me ide false. Erdha këtu me kompaninë ajrore “Bel Air”, isha e rrethuar vetëm nga shqiptarë dhe po thosha: O Zot! Isha e frikësuar. Por që në momentin e parë që vura këmbën në aeroportin shqiptar, ndjeva një atmosferë tërësisht familjare, të qeshur dhe kjo varet edhe prej faktit që shqiptarët në shumë gjëra ngjajnë me italianët. Janë të drejtpërdrejtë, të ngrohtë… Në dukje janë paksa më të ashpër se italianët, por sapo njihesh me ta nisin e hapen. Janë shumë të mirë. Më duken njerëz bujarë. Janë të përkujdesur, mikpritës. Kështu që jam ndier shumë mirë. Dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për mua, që vija këtu për të bërë një film dhe nuk e dija se cili ishte realiteti ballkanas, pastaj historia për të cilën fliste filmi.
Për dikë që nuk e njeh këtë vend, mund të dukej një histori e çmendur, si arritët të bëheshit pjesë e saj?
Në fillim ishte shumë e çuditshme, por dalëngadalë t’i kupton se ai realiteti për të cilin ai flet nëpërmjet një episodi të çuditshëm si ai i zhvarrosjes ka të bëjë me një çështje më të thellë dhe komplekse, që është ai i identitetit. Të jesh i njohur si individualitet, me kombësinë dhe historinë tënde. Dhe besoj se ky është një problem që ka ndryshuar përgjatë historisë. Gjithmonë problemi i bashkëjetesës me ata që vijnë në vendin tënd është shumë aktual. Do ta krahasoja me situatën në Itali, me dyndjen e emigrantëve në Lampeduzë. Ndonëse jemi në epokën e globalizimit, kur bota duhet të ishte pa kufi, ka ca probleme që lidhen me natyrën e njeriut dhe që do t’i mbartë gjithnjë me vete. Kështu nisa ta kuptoja këtë histori që tregonte Edmondi dhe se sa afër ishte me ne, kishte një rezonancë.
Dhe pastaj nisët ta shihnit me një sy tjetër..?
Është vend i çuditshëm, sepse ka shumë për të thënë. Kur erdhëm këtu, natën e parë ra një tërmet i vogël. Në katin e 13-të lëkundjet u ndien fuqishëm. Thashë: Zot i madh, mbaruam tani! Pastaj në orën 4 të mëngjesit dëgjova thirrjen e myezinit dhe e tmerruar pyeta se çfarë ishte. Unë as që e dija se Shqipëria është një vend mysliman. Kisha qenë në Palestinë e Izrael më parë dhe atje ishte krejt gjë tjetër. Këtu është një përzierje gjërash të çuditshme. Diku duket shumë i prapambetur, pastaj hyn në Bllok dhe gjithçka është shumë moderne… Në fakt, mua më vënë në lojë në Itali, sepse kam ardhur shpesh këtu, kam bërë shumë miq dhe më thonë: Tashmë je bërë shqiptare, të humbëm… Është një vend me të cilin jam lidhur shumë dhe më përçon ndjesi pozitive dhe ndihem shumë mirë, si në shtëpi. Jemi shumë mesdhetarë dhe shumë të ngjashëm.
Në film ka edhe një linjë dashurore, personazhi juaj dashurohet me një shqiptar…
Për një grua është më e thjeshtë të njohë një vend, duke u dashuruar me një burrë vendës, sepse lidhesh shpirtërisht me të. Kështu që kjo ide ishte shumë interesante në film. Ne ishim një binom, unë dhe mamaja ime. Njëra dashurohej me një shqiptar, tjetra me grekun dhe secila nis e mbron vendin nga ishte i dashuri i zemrës. Gjatë gjithë kohës në film jam si e çmeritur prej gjërave që ndodhin, por kur dashurohem me të, atëherë bie në kontakt me pjesën më intime të këtij vendi. Të duket sikur të përket, sikur është pjesë e jotja. Dhe nga ana regjisoriale kjo është shumë e gjetur.
Në film ju dashuroheni me një shqiptar, tani që keni njohur shumë shqiptarë, e shihni të mundshme një gjë të tillë?
Po, absolutisht mund të ndodhë. Ndoshta nuk duhej ta thosha, por kur erdha këtu kam takuar dikë që më pëlqente shumë, por jetët tona shkuan në drejtime të ndryshme. Kjo është edhe arsyeja pse nuk e pata të vështirë të interpretoja rolin e Orsolës që dashurohet me Gentin. Kur takoj dikë të një kombësie tjetër, më tërheq pa masë. Kështu që e shoh tërësisht të mundshme të ndodhë, por një problem mund të ishte xhelozia. Shqiptarët janë shumë xhelozë dhe posesivë, ndërkohë që unë jam një njeri shumë i lirë. Kur erdha për herë të parë këtu, thashë: Më imagjinoni dot mua të lidhur me një shqiptar?! Kurse tani nuk do ta thosha më. Gjithsesi, tani jam e fejuar me drejtorin e zërit të “Ballkan Bazar”. E shihni sa e lidhur jam me këtë film?
Ndërkaq edhe ju në Itali, po kaloni një periudhë jo fort të lehtë, apo jo?
Ndoshta juve ju duket sikur gjërat ecin ngadalë, por ne që e shohim nga jashtë, gjejmë një energji të jashtëzakonshme dhe një dëshirë për të ndërtuar, madje edhe në kinematografi. Ndryshe nga Italia. Ne kemi një histori të gjatë kinematografike, teatrore e televizive, por jemi duke kaluar një periudhë perëndimi. Kinemaja e ka të vështirë të gjejë rrugën e saj, ka kaluar periudha shumë të errëta, për shkak të shkurtimit të fondeve në kulturë. Është shumë e vështirë të gjesh para, por edhe një lloj limfe jetësore, apo energji për të punuar. Duhet thënë se 20 vitet e Berluskonit na kanë “prerë këmbët”, e ka drejtuar kulturën drejt një niveli shumë të ulët, përtokë. Njerëzit janë të shqetësuar më shumë në dukje dhe jo në qenie. Ndoshta diçka ka filluar të ndryshojë edhe atje, sepse njerëzit tani janë shumë të lodhur dhe epoka berluskoniane ka mbaruar. Tanimë jemi bërë barsoleta e Europës, edhe pse nuk duhet të ankohemi, se jemi ne ata që e votojmë.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura