Besa merr tri pikë në “Ruzhdi Bizhuta” duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë. Ndërsa Bylisi nga ana tjetër bën më shumë se kaq: mund Teutën dhe kalon në vend të tetë në renditje.Në Elbasan ishte qendërmbrojtësi i verdhezinjve, Ylli Shameti, ai që shënoi golin e vetëm të takimit, përballë një skuadre që “mezi” ecte në fushën e lojës. Por përtej kësaj, 90-minutëshi i djeshëm mund të konsiderohet pa frikë si ndeshja më e dobët e zhvilluar këtë sezon në Superiore, aq sa dy skuadrat goditën portën jo më shumë se 5 herë. Ndaj në këtë kontekst, më shumë se sa një fitore e Besës, mund të quhet një “dhuratë” elbasanase. Në fakt, pragndeshja Elbasani-Besa u galvanizua së tepërmi, aq sa dukej sikur i ngjante një sfide “për jetë e vdekje”. Arsyeja: presidenti i klubit verdheblu, Arben Laze, pati deklaruar katër ditë më parë se Bylisi kishte dhënë një premio të majme (mbi 20 mijë euro) me qëllim që Elbasani të ndalte Besën. Ndonëse një gjë e tillë u kuptua shpejt se pak kishte të vërtetë, dje u vërtetua më së miri në fushën e lojës me një Elbasan që nuk gjuajti asnjëherë në kuadratin e mbrojtur nga portieri Kotorri. Madje edhe vetë presidenti, Arben Laze, nuk kishte denjuar të shkonte në stadium për të ndjekur ekipin e tij.
Ndeshja – 35 minutat e para ishin një “ping-pong” pasimesh dhe pa asnjë rast për t’u shënuar. Për të prishur pak këtë monotoni, i riu Toçi gjuan nga 25 metra, por topi përfundon mbi traun e Kotorrit. Kjo goditje në fakt do të ishte edhe e vetmja për verdheblutë gjatë gjithë 90 minutave lojë. Pjesa e dytë është pak a shumë si e para, por me ndryshimin e vetëm që Elbasani “bën” sikur luan, ndërsa Mancaku për Besën mundohet në maksimum për të shënuar. Tri gjuajtje njëra pas tjetrës dhe madje në njërën ballë për ballë me Llanin, por kapiteni i kavajasve nuk arrin të shënojë. Atëherë “nxehet” Shameti, i cili nga mbrojtja del në sulm dhe në rastin më të parë pas një pasimi të Dedejt, me portë bosh, shënon golin e vetëm. Minutat në vazhdim janë thjesht sa për të shtyrë ndeshjen deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.
Bylisi – Ballshiotët kanë mundur Teutën 1-0 duke bërë një hap gjigand për ta drejt mbijetesës. Në fakt, nëse kampionati do të përfundonte sot, Bylisi do të ishte i shpëtuar. Ndërsa Teuta komplikon gjithçka pasi gjenden në vendin e 10-të në renditje. Golin e vetëm në këtë takim e shënoi Fjodor Xhafa, në një ndeshje e konsideruar si e qetë dhe me një luftë sportive aq sa “djemtë e detit” mund edhe të kishin dalë fitimtarë nga ky takim. Rugova pati një rast të pastër, me portën thuajse bosh në fraksionin e parë të lojës, por nuk arriti të shënojë.
Protokolli
Një gjë e çuditshme ndodhi me protokollin në fakt, pasi fillimisht gazetarët nuk e kanë pasur në skedat e tyre nr.22 të Elbasanit, Halilaj, i cili u aktivizua në pjesën e dytë të takimit nga trajneri Filja. Por, me të mbaruar ndeshja, emri i tij ishte i vendosur në protokoll, ndryshe nga skedat që iu dhanë gazetarëve në fillim të takimit.
Shoqeruesi
Mungesa më e madhe në tribunën VIP ishte ajo e presidentit të Elbasanit, Arben Laze, i cili ka qenë pothuajse gjithmonë i pranishëm në ndeshjet e skuadrës së tij. Ndërsa ai i Besës, Nexhat Bizhdili, e ka ndjekur takimin gjithë ankth deri në fund. Gjatë pjesës së parë, Bizhdilit i bëri shoqëri Dorian Bylykbashi, i cili nuk ishte i pranishëm në fushë për shkak të një dëmtimi.
Canaj: Larg euforinë, Martini: Po rrezikojmë
Trajneri i Bylisit, Agim Canaj ka vlerësuar maksimalisht lojën e ekipit të tij. “Është vetëm një fitore dhe s’duhet të na përfshijë euforia, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi situatat janë të vështira e rivaliteti është i fortë. Për sa i përket lojës së ekipit, unë kam ende vërejtje për mënyrën e të luajturit, por në cilësinë e ndeshjes mendoj se ndikoi dhe terreni duke na e vështirësuar lojën”, ka pohuar Canaj. Ndërsa trajneri i Teutës, Edi Martini, ka theksuar faktin e tensionin që mbarte në vetvete kjo sfidë për mbijetesë. “Për mendimin tim, ishte një ndeshje që mbante tension në vetvete, për shkak të rivalitetit të mbijetesës, gjë që nuk i lejoi futbollistët të shpreheshin si duhet në fushën e lojës. Goli ishte një episod që me pak kujdes më shumë edhe mund të ishte shmangur”, ka thënë Martini.
Tifozët, bojkot në Elbasan, të shumtë në Ballsh
I numëroje me gishta tifozët në ndeshjen e djeshme në Elbasan, këta që të gjithë në tribunën qendrore, pasi për karshi nuk kishte qoftë edhe një. Pra, Elbasani, përveç Superligës që i ka thënë lamtumirë me kohë, tani po mbetet edhe pa tifozët e tij. Tjetër gjë në Ballsh. Duke përfituar dhe nga hyrja falas në stadium, tifozëria, si rrallë herë ka qenë e shumtë në numër, për të mbështetur skuadrën e tyre. Fansat e Bylisit, me të cilët ishin bashkuar dhe ata të Apolonisë të ardhur nga Fieri me fanellat bardhejeshil, por dhe me daulle e vuvuzela, kanë inkurajuar e përkrahur gjatë gjithë lojës skuadrën dhe në fund të ndeshjes kanë festuar fitoren e arritur ndaj Teutës.
Superiore/ Java 27
Flamurtari-Kastrioti 1-0
E.Xhafa 66′ (autg)
Skënderbeu-Shkumbini 2-0
Soza 13′, Bratiç 75′
Elbasani-Besa 0-1
Shameti 82′
Bylis-Teuta 1-0
F.Xhafa 63′
Sot
Vllaznia-Dinamo 16:00
Tirana-Laçi 16:00
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Flamurtari 27 19 2 6 59
2. Skënderbeu 27 18 4 5 55
3. Vllaznia 26 12 8 6 44
4. Laçi 26 13 4 9 43
5. Tirana 26 9 11 6 38
6. Dinamo 26 10 7 9 37
7. Shkumbini 27 9 5 13 32
8. Bylis 27 9 3 15 30
9. Kastrioti 27 7 9 11 30
10. Teuta 27 7 8 12 29
11. Besa 27 7 8 12 29
12. Elbasani 27 4 3 20 12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë, i dënuar nga FIFA.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











