Elbasan, zbardhet vdekja e Vitit të Ri

Apr 19, 2011 | 10:43
1.Viktima Zemrie Belba, 2.Bashkëshorti, Alfred Belba

Prokuroria e Elbasanit zbardh pas 4 muajsh vdekjen e një 32-vjeçareje në ditën e fundit të vitit 2010. Sipas saj, Zemrie Belba, banore e fshatit Skrok, komuna Qukës në Librazhd, është vetëvrarë.Pas plot 4 muajsh hetimi dhe ekspertizash, është konkluduar se nuk bëhet fjalë për vrasjen e gruas së re, një fakt që prej 31 dhjetorit të shkuar mban në burg burrin e saj dhe vjehrrën. Ditën e djeshme, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ka komunikuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve lirimin e Hatixhe dhe Alfred Belbës, nënë e bir. Ekspertiza mjeko-ligjore, kryer në Tiranë ka nxjerrë se dy të arrestuarit nuk kanë gisht në këtë ngjarje, por vetë viktima ka kryer vetëvrasje.
Ngjarja
Pikërisht, pak orë para ndërrimit të viteve, nusja e shtëpisë, Zemrie Belba, nënë e një fëmije 2 vjeçe, u gjet e varur në magazinën e banesës ku jetonte, në fshatin Skrok. Në atë kohë, Policia e Elbasanit konkludoi paraprakisht se bëhej fjalë për një vetëvrasje, por pak orë më vonë, në një komunikatë zyrtare, u deklarua se ishte një krim. Për vdekjen e 32-vjeçares u akuzua i shoqi, Alfred Belba, 32 vjeç dhe e ëma, Hatixhe Belba, 67 vjeçe, duke u dyshuar se e kishin mbytur e më pas varur nusen. Menjëherë policia arrestoi dy të akuzuarit dhe i akuzoi këta të fundit për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe të “fshehjes së krimit”. Edhe pse nënë e bir asnjëherë nuk e pranuan se kishin kryer krim, ata u lanë në burg pa afat, duke u dërguar burri në Burgun e Peqinit dhe e ëma në Tiranë, deri në fund të hetimeve. Vrasja u etiketua për motive xhelozie, pasi bashkëshorti i viktimës ishte emigrant në shtetin grek. Alfredi prej vitesh ishte emigrant në Greqi dhe kishte ardhur më 19 dhjetor në shtëpi për të festuar festat me familjen. Ditën e ngjarjes, sipas dëshmisë, ai ka dalë për të bërë disa blerje të fundit për festë, ndërsa e ëma pas përcjelljes së tij ka hyrë në magazinën e shtëpisë. Ajo ka treguar se ka parë të varur nusen e të birit, në çastet e fundit të jetës. Menjëherë ka lajmëruar fqinjët, të cilët kanë ndihmuar që të ulin poshtë trupin e nuses, por ka qenë e kotë ndërhyrja e tyre, pasi ajo ndërroi jetë. I shoqi ndodhej rreth 10 minuta larg shtëpisë, kur është njoftuar, duke e gjetur gruan pa jetë.
Zbardhja
Pas hetimeve të kryera nga grupi i punës i policisë, çështja kaloi edhe më tej, duke u kërkuar një ekspertizë mjeko-ligjore nga ekspertë të Tiranës. Më 10 mars, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, prokurores së çështjes, Erida Lamka, i vjen përgjigja përfundimtare. Aty konkludohej se, “në trupin e shtetases Zemrie Belba u konstatua se dëmtimet në qafë mund të jenë shkaktuar nga shtrëngimi i qafës me lak, ndërsa dërmishja në nyjen e parë të gishtit të katërt të dorës së djathtë dhe ekimoza prapa dhe poshtë llapës së veshit të djathtë janë shkaktuar me mjet të fortë mbretës. Në këtë kuadër, shkaku i vdekjes së shtetases Zemrie Belba ka qenë asfiksia mekanike”, përcaktohet nga ekspertët. Menjëherë mbi këtë përgjigje kanë vazhduar hetimet dhe në mënyra të tjera të specializuara, duke arritur që javën e kaluar të vendoset se vdekja e Belbës ishte vetëvrasje e pastër. Sipas prokurores së çështjes, hetimet vazhduan, për të provuar vërtetësinë e aktit mjeko-ligjor. Mësohet se janë kryer të gjitha përgjimet telefonike, nga të cilat rezultoi se Hatixhe dhe Alfred Belba nuk kanë kryer vrasje, por nusja e shtëpisë është vetëvarur. Ata janë shpallur të pafajshëm, duke u lënë të lirë.

Mister motivi i vetëvrasjes së 32-vjeçares

Vdekja e Zemrie Belbës la pas misterin e shkaqeve që e shtynë deri në vendimin ekstrem. Duke u konsideruar si vepër kriminale e kryer nga burri dhe vjehrra, nuk ishte kryer ndonjë hetim mbi motivet. Tashmë pritet që të çohet deri në fund hetimi për të përcaktuar motivet e vetëflijimit të 32-vjeçares. Ajo jetonte me vjehrrën dhe vajzën 2-vjeçare në fshatin e Librazhdit, ndërsa i shoqi punonte në emigracion, për t’u kthyer herë pas here pranë familjes.

Zhvarrimi i nuses

Pas vdekjes së papritur të Zemrie Belbës e ndërsa akuzoheshin burri e vjehrra për vrasje, reaguan familjarët e viktimës. Ata kërkuan dënimin maksimal për Hatixhe e Alfred Belbën, duke i cilësuar ata si fajtorë të krimit makabër ndaj vajzës së tyre. Madje kërkuan edhe kujdestarinë e mbesës së tyre 2-vjeçare, e cila nuk kishte me kë të qëndronte pas vdekjes së të ëmës dhe futjes në burg të babait dhe gjyshes. Nuk kaluan pak javë kur kërkesa e familjarëve të viktimës shkoi dhe më tej. Ata kërkuan nga autoritetet që të lejonin zhvarrimin e trupit të vajzës së tyre nga varrezat e fshatit të burrit për në varrezat e fshatit Rreshtan ku ajo ishte rritur. Kjo kërkesë e tyre u pranua, duke u realizuar zhvarrimi. Pas lirimit të babait dhe gjyshes, pritet të vendoset mbi fatin e vajzës së vogël.

 

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura