TIRANE – Një 46-vjeçare e shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe e dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës me 5 vjet burg për mashtrim me vizat amerikane, u ekstradua dje nga Italia në Shqipëri. Sipas Policisë, Interpoli ka transferuar dje në Shqipëri Rajmonda Asllanin, e cila, sipas vendimit të gjykatës, i ka vjedhur një çifti, me anë të mashtrimit, rreth 20 mijë euro dhe 7 milionë lekë të vjetër, duke iu premtuar dy viza për në Amerikë. Më pas ajo e ka vazhduar mashtrimin e saj duke përdorur emrin e një ish-ministri të Financave, duke pretenduar se po merrej vetë ai për sigurimin e vizave. Nga vendimi i gjykatës mësohet se e dëmtuara është Anila Skapeta, që aktualisht banon në Greqi. Në vitin 2002, Rajmonda Asllani i ka premtuar Skapetës se do t’i nxirrte dy viza amerikane, dhe për këtë ajo i ka kërkuar fillimisht 20 mijë euro dhe 7 milionë lekë për vizat. Pasi e dëmtuara i ka transferuar paratë nga Greqia, Asllani i dërgonte mesazhe në telefon në emër të ish-ministrit, për ta bindur që vizat do të siguroheshin shpejt. E dënuara Rajmonda Asllani është njohur me gruan, të cilën më pas e ka mashtruar, gjatë qëndrimit të saj në lagjen “Kombinat” të Tiranës. Në bisedat dhe komunikimet që kanë pasur në vitin 2002, Rajmonda Asllani i ka premtuar shtetases Anila Skapeta që do t’i nxirrte dy viza amerikane, dhe për këtë e pandehura i ka kërkuar asaj 18 mijë euro, me pretendimin se një pjesë e parave do të jepeshin për garanci dhe pjesën tjetër do ta përdorte për nxjerrjen e pasaportave me vizë. E dëmtuara, pasi është kthyer në Athine, ku jetonte dhe punonte, ka filluar t’i dërgonte paratë Asllanit dhe dërgesa ka filluar nga viti 2002 deri në vitin 2004, gjithsej 40 dërgesa me një shumë totale 20 mijë e 50 euro, si dhe 7 milionë lekë të vjetër. Gjatë kësaj kohe Asllani ka përdorur mashtrime të ndryshme, duke i dërguar mesazhe në emër të ish-ministrit të Financave, pasi sipas saj, nxjerrjen e vizave e bënte të mundur personi në fjalë. Mesazhet ajo i dërgonte nga numra të ndryshëm telefoni, që ua merrte personave të ndryshëm që njihte, pa i vënë në dijeni se për çfarë motivesh po i përdorte telefonat e tyre. Mashtrimi është zbuluar pasi personat që kanë dhënë pagesën e tyre për pajisjen me vizë amerikane, kanë ritelefonuar tek numrat e përdorur nga e akuzuara dhe kanë marrë vesh se bëhet fjalë për një skemë të pastër mashtrimi. Menjëherë të dëmtuarit janë drejtuar në polici dhe kanë denoncuar të akuzuarën për vjedhje me anë të mashtrimit.











