Tronditet Gjermania! Në prag të sfidës Borusia-Hanover në “Sinjal-Iduna-Park”, ku pritet të jetë prezent edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, është dhënë alarmi për bombë në tribunën C të këtij stadiumi, ku terroristët planifikonin një terror masiv të popullsisë në Dortmund. Ky stadium me kapacitet prej 80.720 vendesh është arena më e madhe e Republikës së Gjermanisë, por falë informatave dhe shërbimeve sekrete gjermane është bërë i mundur evitimi i një tragjedie shumë të madhe. Nga inspektimet ka rezultuar se ka qenë vetë autori që informoi policinë për vendndodhjen e bombave, pas arrestimit. Në tribunën C, në stacionin e fundit të U-Bahnit (metro) ishin instaluar tri objekte të dyshimta, të cilat kishin një përbërje kimike të sofistikuar që mund edhe të shpërthente. Ditën e martë në mbrëmje është arrestuar edhe njeriu që dyshohet të ketë projektuar këtë ngjarje, që mund të shkaktonte një tragjedi të ngjashme me atë të cunamit në Japoni. Aleksandër K., student, u arrestua ditën e martë, më 29 mars, në një nga hotelet e Këlnit. Pas inspektimit të dhomës së tij, u gjendën tri objekte të tjera shpërthyese, një laptop, dokumente dhe disa shkresa biznesi. Ka qenë pikërisht dëshmia e tij që sinjalizoi autoritet e antiterrorizmit se në stadiumin “Sinjal-Iduna-Park” ndodhen tri sende shpërthyese.
Masat e marra nga policia
Autoritet gjermane kanë asnjanësuar çdo rrezik të alarmit në fjalë. Zyra e Antikrimit ka eliminuar tri sendet e dyshuara në formën e bombave dhe ka vënë gjithçka nën kontroll. “Skandali në fjalë nuk ka të bëjë me terrorizmin, por me krimin ekonomik, apo shantazhe të ndryshme, që përpiqen të përhapin panik në popullsinë tonë. Gjithçka është verifikuar dhe të gjithë të ndihen të qetë, pasi stadiumi dhe çdo zonë tjetër është nën kujdesin 100 për qind të autoriteteve tona”,- komunikohej nga zyra federale e hetimeve. Ndeshja midis Dortmundit dhe Hanoverit do të zhvillohet sipas kalendarit të Ligës. Nuk do të anulohet.











