
Laboratori Qendror Kriminalistik ka marrë dje për ekspertim një sasi tjetër armësh të sekuestruara nga Prokuroria pranë Gar-dës së Republikës.Edhe 36 pistoleta të përdorura nga efektivat e Gardës, janë dërguar për ekzaminime ditën e djeshme nga Prokuroria e Tiranës. Ekspertimi i armëve është kërkuar të bëhet në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për vrasjen e tre demonstruesve më 21 janar pranë Kryeministrisë. Hetimet e deritanishme kanë provuar se vrasja e Ziver Veizit nga Gjirokastra, është kryer me një armë “MP-5”, model turk që është përdorur ditën e ngjarjes nga gardisti Agim Llupo. Ndërkohë, ekspertizat e kryera deri tani nuk kanë arritur të përcaktojnë armët që kanë qëlluar tre të vrarët e tjerë: Hekuran Deda, Faik Myrto dhe Aleks Nika. Deri ditën e djeshme, Prokuroria ka kryer ekspertizë mbi 75 armë automatike të modelit urban “MP-5”, si dhe mbi 20 pistoleta të sekuestruara më parë tek Garda e Republikës. Për shkak se kjo sasi armësh nuk është përputhur me predhat në vendin e ngjarjes, organi i akuzës ka sekuestruar ditët e fundit edhe 36 copë pistoleta të kalibrit 9 mm pranë Gardës së Republikës.
Ekspertiza e armëve
Ditën e djeshme, Prokuroria ka thirrur gardistët e akuzuar që të hetohen të lirë si dhe avokatët e tyre, për të firmosur kërkesën e organit të akuzës për ekspertimin e 36 pistoletave të sekuestruara këtë javë. Rreth orës 10:30, avokatët dhe efektivat e Gardës, kanë mbërritur dje në Prokurori dhe pasi janë njohur me kërkesën e Prokurorisë për ekspertim, kanë firmosur marrjen dijeni mbi këtë veprim hetimor. Sipas burimeve nga Prokuroria, 36 pistoletat e dërguara së fundi për ekzaminime në laboratorin shkencor, i përkasin sasisë së tretë të armëve të marra pranë Gardës së Republikës. Më parë në dy raste, Prokuroria kishte marrë pranë Gardës edhe dy sasi të tjera armësh, një herë 75 automatikë “MP-5” dhe më pas edhe 20 pistoleta të kalibrit 9 mm. Burimet hetimore kanë thënë se sekuestrimi i armëve është bërë bazuar në librat e shërbimit të Gardës, që tregojnë saktë cili efektiv ka pasur në shërbim armën përkatëse, gjatë ruajtjes së Kryeministrisë më 21 janar. Sipas dokumenteve të sekuestruara pranë Gardës së Republikës, të pranishëm në vendin e ngjarjes, në planin e ruajtjes së Kryeministrisë, më 21 janar dyshohet se kanë qenë rreth 250 efektiva të Gardës. Objekti kryesor i hetimeve tani është zbardhja e vrasjes së shtetasit Faik Myrto dhe plagosja e rëndë e më pas vdekja e Aleks Nikës. Kjo pasi me ekspertizë është zbardhur vrasja e Ziver Veizit, ndërsa për demonstruesin tjetër që humbi jetën, Hekuran Deda, nuk është arritur të gjendet predhë për krahasim, pasi plaga ka qenë tejshpuese.
Gardistët në hetim
Hetohen të lirë
Ndrea Prendi
Dashamir Shehi
Aleksandër Deda
Fatos Bushati
Altin Kollciaku
Hetohen në “detyrim paraqitjeje”
Alfred Ahmetcenaj
Sadik Çela
Mark Nikolli
Gazmend Ahmetaj
Hetohet në “arrest me burg”
Agim Llupo
95 armë
të efektivave të Gardës janë ekspertuar deri tani. Mes tyre janë 75 automatikë dhe 20 pistoleta që kanë dalë të pastra, pra që nuk kanë kryer vrasje
1 armë
automatik “MP-5”, model turk, i cili është përdorur nga Agim Llupo, është përputhur me gëzhojën që ka vrarë Ziver Veizin. Sipas ekspertizës, gëzhoja ka qenë rikoshet
Vrasjet, eksperimenti hetimor në bulevard
TIRANE – Prej tri ditësh, Prokuroria e Tiranës ka filluar kryerjen e veprimeve të para të eksperimentit hetimor në bulevard, në lidhje me vrasjen e katër personave në 21 janar. Për shkak të vendngjarjes, e cila është këqyrur pas kaosit që shkaktoi demonstrata dhe shumë fakteve të paqarta, Prokuroria gjatë tri ditëve të kësaj jave ka thirrur familjarët e viktimave Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrto dhe Aleks Nika dhe ka verifikuar vendin në të cilin ndodheshin, në momentin kur janë qëlluar me armë. Të afërmit kanë identifikuar në foto ose në regjistrime filmike vendin ku ndodheshin secili nga viktimat në mesin e turmës. Po kështu, Prokuroria ka saktësuar edhe kohën kur ka ndodhur vrasja e secilit prej viktimave, madje edhe projeksionin e drejtimit të plumbave. Këto veprime janë të parat matje dhe këqyrje në vendin e ngjarjes, që do të bëhen për eksperimentin hetimor, i cili do të kryhet me praninë e ekspertëve të FBI.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











