
Një prokuror i ri amerikan i është bashkëngjitur grupit hetimor të dosjes “21 janari”. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, prokurori amerikan është atashuar pranë Policisë së Shtetit dhe po ndihmon kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen.Pak ditë më parë ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, deklaroi se është krijuar një Task-Forcë e përbashkët Polici-Prokurori për hetimin e dosjes së “21 janarit”. Ndërkohë, para kësaj deklarate Policia dhe Prokuroria vendosën të krijonin një grup të përbashkët hetues-prokurorë që do të ishin të angazhuar me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur pranë Kryeministrisë në Tiranë më 21 janar. Ditën e djeshme prokurori amerikan ka qenë në vendin ku ndodhi vrasja e katër personave dhe sulmi mbi Kryeministrinë. I shoqëruar nga një grup hetuesish e prokurorësh specialisti amerikan, ka parë vendin e ngjarjes dhe më pas është informuar me mekanizmin që ka rezultuar nga hetimet e deritanishme në lidhje me vrasjen e katër demonstruesve. Këto janë veprimet paraprake hetimore që po kryhen në kuadër të përgatitjes për eksperimentin hetimor që do të zhvillohet pranë Kryeministrisë mes saj dhe bulevardit për zbardhjen e vrasjes së katër personave.
Eksperimenti me lazer ose me spango
Për shkak se tre prej vrasjeve nuk janë zbuluar ende, edhe pas kryerjes së një sërë ekspertimesh mbi 75 automatikë dhe rreth 32 pistoleta të Gardës së Republikës, Prokuroria ka vendosur kryerjen e një eksperimenti hetimor në vendin e ngjarjes. Eksperimenti që do të realizohet me ndihmën e prokurorëve dhe ekspertëve amerikanë ka për qëllim riprodhimin e skenës së ngjarjes dhe përcaktimin e grykave të zjarrit që kanë vrarë katër viktimat. Deri tani është provuar me eksperiment, se vetëm Ziver Veizi është vrarë nga një predhë e dalë prej armës së gardistit Agim LLupo. Edhe në këtë rast predha ka qenë rikoshet. Për tri viktimat tjera, Hekuran Deda, Faik Myrto dhe Aleks Nika ende nuk është përcaktuar arma që i ka vrarë. Nisur nga ky fakt, Prokuroria në prani të gardistëve të akuzuar dhe me ndihmën e specialistëve e prokurorëve amerikanë, do të realizojë ekspertizën hetimore në vendin ku u vranë katër personat. Ekspertiza do të realizohet për të përcaktuar projeksionin e qitjes dhe vendin nga janë goditur viktimat me anë të rrezeve lazer ose me spango.
Katër vrasjet
Prokuroria ka shqyrtuar fotografi, regjistrime filmime dhe dëshmi të shumta në lidhje me pozicionin ku ndodheshin secili nga viktimat, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrto dhe Aleks Nika, në momentin kur ata janë qëlluar me armë. Pozicioni i tyre në zonë është përcaktuar edhe me anë të rrëfimeve të familjarëve të viktimave që kanë identifikuar të afërmit e tyre. Bazuar në projeksionin e plumbit që ka marrë secili viktimë, gjatë ekspertizës hetuesit do të përcaktojnë trajektoren që mund të ketë kryer plumbi. Pika e referimit do të jenë manekinët që do të vendosen, ku kanë qenë viktimat dhe më pas me rrezet lazer nga kjo pikë do të shikohet se ku ka qenë gryka e zjarrit. E njëjta gjë për konfirmim do të bëhet edhe me spango, duke kapur cepin e saj në manekinë në vendin ku është goditur secila viktimë e më pas duke e zgjatur atë në vijë të drejt tek vendi prej ku mund të jetë shtënë me armë.
Dyshimet e akuzës, tek “Grupi i zjarrit”
Pas faktimit të akuzës me ekspertizë ndaj Agim Llupos, dyshimet kryesore të Prokurorisë janë mbi “grupin e zjarrit”. Ky grup përbëhej nga efektiva të Gardës të pajisur me municione luftarake në armët e tyre dhe që ka qëlluar në momentet e sulmit të dhunshëm mbi portën hyrëse të Kryeministrisë. Grupi përbëhej nga Spartak Zilja, Meleq Zajmi, Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Agron Malaj.
Fotografohen predhat “rikoshet” të Gardës
TIRANE – Pas mospërputhjes së armëve të Gardës me predhat e viktimave të vrarë më 21 janar, grupi hetimor ndodhet në vështirësi për përcaktimin e autorësisë së vrasjeve. Nga të gjitha armët e Gardës, 75 automatikë dhe dy sasi pistoletash të marra në tri raste, vetëm një armë deri tani është përputhur me predhat që kanë vrarë viktimat. Automatiku i gardistit Agim Llupo, sipas ekspertizës ka vrarë Ziver Veizin. Në këtë rast plumbi ka qenë rikoshet, pra ka ndryshuar drejtim në varësi të ambientit nga dalja prej tytës së armës, derisa ka goditur viktimën. Prokuroria nuk ka gjetur predhë në trupin e Hekuran Dedës, pasi predha ka qenë tejshpuese, ndërsa plumba të tjerë janë gjetur në trupat e viktimave të tjera, Faik Myrto dhe Aleks Nika. Krahasimi i armëve të Gardës me këto predha ka rezultuar negativ. Ndërkohë, disa prej këtyre predhave mësohet se janë të dëmtuara me shtypje apo me gërvishtje. Për këtë shkak, me rekomandim të prokurorëve amerikanë, predhave në fjalë u janë bërë fotografi me rezolucion të madh dhe po verifikohen. Ekspertimi krahasues mes predhës e armës bëhet mbi bazën e vjaskave të lëna në predhë nga tyta e armës, por, në rastet e rikoshetës, ekspertiza mund të mos jetë plotësisht e saktë.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











