Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve vendore mund të konstatohet se ato nuk arritën të ishin një garë konkurruese midis më të mirëve për kryetarë bashkish e komunash. Risku i një ballafaqimi të tensionuar politik është ende jo i vogël. Përballë këtij realiteti parazgjedhor mund të analizojmë se çfarë presin nga këto zgjedhje: votuesit, kandidatët, partitë politike, vendi në tërësinë e sfidave të tij dhe partnerët ndërkombëtare.
Votuesit
Duke mbajtur parasysh shkallën e ulët të decentralizimit të vendit, nivelin e reduktuar të burimeve të drejtpërdrejta financiare të bashkive dhe komunave, pushtetin e përqendruar të emërimeve dhe shkarkimeve të mjekëve, mësuesve, specialistëve, votuesit do të influencohen më shumë nga ballafaqimi mediatik midis partive politike, dhe jo nga krahasimi i kandidatëve dhe alternativave konkrete.
Problemet jetike si mirarsimimi i fëmijëve, shëndeti, infrastruktura jo vetëm rrugore, akoma kushtëzohen ndjeshëm nga politikat dhe investimet e qeverisë qendrore.
Çdo bashki dhe komunë ka disa mundësi; për punë konkrete për mirëmbajtjen e qyteteve dhe komunave, për më shumë angazhim për problemet sociale, për një promovim më mirë të mundësive për biznes dhe zhvillim. Në shumë pak bashki mund të gjejmë eksperienca pozitive të reduktimit të barrierave për biznes dhe reduktim të abuzivitetit të administratës vendore.
Në këto kushte, votuesit jo militantë presin shumë pak, kjo mund të rrezikojë që pjesëmarrja e tyre të jetë e ulët, duke e përkeqësuar cilësinë e të zgjedhurve.
Kandidatët
Gara për të fituar dhe rifituar bashkitë dhe komunat këtë vit duket më e ashpër. Numri dhe gjeografia e incidenteve e rritin shqetësimin për cilësinë e fitores të qeverisjes pas fitores.
Kandidatët e kanë mbështetur fitoren me shumë te debatet e liderëve partiakë, sesa te një program i tyre i qartë dhe i monitorueshëm. Kryeministri, në çdo bashki dhe komunë premton se do të mbështesë 100% çdo projekt të kandidatëve të PD-së. Inflacioni i premtimeve elektorale është shumë i lartë, duke dëmtuar rëndë kredibilitetin e fituesve dhe duke e vështirësuar edhe qeverisjen vendore. Do të ishte shumë mirë që në javën e fundit, pasi kanë shpalosur programin e tyre, pasi kanë takuar dhe diskutuar me mbështetësit e tyre, të paktën kandidatët në bashkitë kryesore të rishikojnë, qartësojnë dhe t’u japin premtimeve trajtën e një kontrate me votuesit e tyre. Kjo kontratë duhet të mbajë premtimet konkrete brenda mandatit 4-vjeçar, fondet e domosdoshme dhe kohën e realizimit të ndarë në periudha të ndërmjetme. Kjo kontratë publike duhet të nxitë përmirësimin e monitorimit të tyre publik një herë në 6 muaj, apo një herë në një vit.
Krijimi i një kulture të re politike, ndërgjegjësimi i përgjegjësive për premtimet elektorale, monitorimi dhe vlerësimi publik i përmbushjes së tyre, mund të rritin interesin e votuesve shqiptarë për të marrë pjesë në votime dhe për të mbikëqyrur të zgjedhurit e tyre.
Partitë politike
Zgjedhjet vendore janë një mundësi e mirë edhe për vetë partitë, për të testuar, qartësuar dhe përmirësuar strategjinë e fitores, modelin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe modelin e fushatës elektorale.
Nga këto zgjedhje, partitë politike duhet të ndërgjegjësohen se suksesi i fitores duhet të vijë nga një punë dhe përkushtim i përhershëm. Fitorja duhet të arrihet nga përzgjedhja cilësore e kandidatëve, nga promovimi i njerëzve të përkushtuar, nga forcat e tyre politike, por edhe nga shoqëria civile. Fitorja nuk duhet të synohet nga strategji të bazuara kryesisht tek imazhi mediatik, aq më pak te kandidatët e fortë, me burime financiare apo mbështetës e gjenerues konfliktesh.
Nga analiza e fenomeneve dhe shifrave mund të kuptohet reagimi i votuesve të pavendosur, nëse ata kanë mbështetur kandidatët cilësisht më të mirë, apo i janë bashkuar një shumice mediatike?
Partitë mund të analizojnë votën e anëtarësisë së tyre nëse kanë votuar thjesht në respekt të militantizmit partiak, apo kanë mbështetur më të mirët, bazuar në vlerësimin e tyre si qytetarë?
Nëse zgjedhjet do të jenë me standarde të larta, partitë kanë mundësi të njohin dhe lexojnë drejt votën popullore, është bashkuar ajo për kandidatin me një aktivitet të pasur politik, apo ka mbështetur çdo kandidat të ri, pavarësisht sa spontanisht ata janë përzgjedhur dhe janë mandatuar si kandidatë të forcave kryesore politike?
Parimi “Qëllimi gjithçka – mjeti asgjë” do të testohet nëse ka prodhuar rezultat dhe cilësi elektorale, apo fitorja kërkon një vizion më të qartë, një strategji më gjithëpërfshirëse, një ekip konkurrues i bazuar te virtytet më të mira njerëzore dhe një mentalitet ekipi fitues dhe qeverisës. Këto zgjedhje, edhe pse vendore, mund t`i lejojnë studiuesit e shkencave politike të analizojnë qartë tendencat e votuesve shqiptarë dhe t’i orientojnë partitë politike në rishikimin dhe përmirësimin e kulturës politike dhe strategjive të fitoreve elektorale.
Partitë politike do të jenë përballë sfidës së modelit të së ardhmes. Sot kemi zhvillime politike të përkeqësuara, ky trend duhet ndalur dhe duhet ndryshuar pozitivisht. Në rast të kundërt, do të kemi disa fitues numerikë, por do të kemi dëmtuar rëndë cilësinë e qeverisjes së vendit tonë në çdo nivel të saj.
Vendi
Sfidat që ka vendi në procesin e integrimit të tij, risku i humbjes së përsëritur të mundësisë për t’u bërë vend kandidat i BE-së, ngecja e disa reformave jetike, rritja e shqetësimeve dhe pesimizmit te ndërkombëtarët për sfidat tona të ardhshme, i bëjnë këto zgjedhje, në raport me efektin ndërkombëtar, njësoj të rëndësishme si zgjedhjet parlamentare. Standardet e këtyre zgjedhjeve, sipas certifikimit ndërkombëtar, mund ta ndihmojnë vendin të dalë nga kriza aktuale politike, ose mund të zgjasë periudhën e krizës dhe mund të rrisë acarimet politike.
Këto zgjedhje duhet të na ndihmojnë të dalim sa më parë nga kriza politike; kjo duhet të jetë rruga e vetëm e të gjitha partive. Kjo është jo thjesht rruga e vetme, por edhe rruga më e mirë për të gjithë shqiptarët.
Këto zgjedhje duhet të na ndihmojnë të rifitojmë kohën e humbur për integrimin europian të vendit.
Këto zgjedhje duhet të na ndihmojnë të arrihet, menjëherë pas tyre, një konsensus kombëtar për reformat më të qenësishme politike, kushtetuese, administrative dhe ekonomike.
Ndërkombëtarët
Po të mbajmë parasysh mesazhet e tyre të përsëritura dhe këmbëngulëse për daljen sa më parë nga kriza, numrin e madh të vëzhguesve edhe për zgjedhjet vendore, po të mbajmë parasysh ambiciet tona për integrimin europian të vendit, është e qartë që këto zgjedhje do të krijojnë një impakt në faktorin ndërkombëtar për sfidat e ardhshme të vendit.
Partnerët strategjikë presin që pas këtyre zgjedhjeve Shqipëria të rifitojë statusin e veçantë që ka në promovimin e paqes dhe zhvillimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pas këtyre zgjedhjeve, çliruar nga krizat e saj, vendi ynë duhet të rikonsiderohet aleati më i mirë dhe kredibël i SHBA-ve dhe BE-së për të gjitha sfidat që kanë vendet e rajonit tonë.
Pas këtyre zgjedhjeve mund të analizojmë dhe të vlerësojmë, n.q.s. kultura jonë politike dhe lidershipi aktual e ka të vështirë pa një start të ri të prodhojë standarde më të larta dhe të qëndrueshme në funksionimin e demokracisë, ekonomisë dhe kohezionit social.
© Panorama.al












