Ed Rama… Eh, drama!

Apr 24, 2011 | 10:45

EDMOND TUPJA

Të dielën e kaluar, në shkrimin tim me titull “Maskaradë apo maskaramadë?”, figuronin, ndër të tjera, edhe këto radhë: “Dje, tek kundroja bill borderat e fushatës zgjedhore diku pranë lagjes sime, vura re se shprehja e fytyrës dhe vështrimi i zotit Basha dukeshin të shtendosur, të sinqertë dhe paqësorë, kurse ato të zotit Rama më ngjallën një ndjesi të çuditshme: buzëqeshja e tij e ngrirë si ngërç, me një hije gati sardonike, si edhe sytë me një shkëlqim gati bezdisës dikë a diçka më kujtuan dikë a diçka të frikshme”. Sot, duke mos dashur të përsëris vetveten (ani pse përsëritja është aleate e ndërgjegjësimit dhe armike e harresës), nuk do të merrem me tiparet fizike të kandidatëve Basha e Rama për kryetar të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës dhe me interpretimin e tyre psikologjik, as me sloganin e bill borderit të zotit Basha, por vetëm me atë të zotit Rama, të cilin, ç’është e vërteta, të dielën e shkuar e kam analizuar vetëm pjesërisht.
Vetëm pjesërisht sepse kam lënë enkas jashtë projektorit të vëmendjes sime fillimin e sloganit në fjalë, d.m.th. fjalët “E vetmja rrugë”, ndërkohë që jam marrë me pjesën e tij të dytë, d.m.th. me fjalët “Voto Edi Rama”. Ajo që më bëri, që më bën ende përshtypje është fjala “rrugë”, dhe kjo jo vetëm për faktin që zoti Rama, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, zgjodhi pikërisht rrugën e dhunshme të “rrugës” për t’u rrekur të rrëmbente pushtetin aq të ëndërruar e të lakmuar prej tij, çka kulmoi dramatikisht me ngjarjen e turpshme të 21 janarit të kaluar, por edhe sepse po të hapësh “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) te zëri “rrugë” do të zbulosh se rreth e qark tij gëlojnë një sërë fjalësh që për rrënjë të përbashkët kanë pikërisht fjalën “rrugë”. Kështu, të bien në sy fjalët “rrugacak, rrugaç e rrugëmadh” që të kujtojnë (dhe s’ka si të jetë ndryshe), llumin (lumpenproletariatin?) e Partisë Socialiste, i cili, me dijeninë, miratimin, porosinë dhe urdhrin e parisë së kësaj të fundit, shpalosi dhunën e tij të egër më 21 janar. Këtë llum karakterizojnë edhe termat “rrugaçëri e rrugaçëror” që, siç duket haptas, vijnë nga fjala “rrugë”. Këtë fjalë ndjellakeqe kanë për vatër edhe shprehjet “rrugë pa krye” e “rrugë qorre”, që shënjojnë situatën ku e ka futur partinë e Bashkinë e tij zoti Rama, por edhe situatën ku ai synonte ta fuste vendin dhe shoqërinë shqiptare vetëm e vetëm për të marrë pushtetin. Nga fjala “rrugë” vjen gjithashtu termi “rrugës” që, siç e shpjegon i lartpërmenduri “Fjalor i gjuhës shqipe”, ka për sinonime dy fjalë të tjera shqipe, “përçor” dhe “ballëtor”, në kuptimin e përgjithshëm “prijës”, por edhe në kuptimin e veçantë blegtoral “dash ose cjap që i prin kopesë”. Pikërisht këtu, në sajë, pra, të fjalës “rrugë”, arrijmë detyrimisht te ekuacioni “Rama = kryetar partie = prijës turmash demonstruese = përçor ose ballëtor (dash ose cjap) kopeje socialpolitike”. Fatkeqësisht, zoti Rama ndihet mirë në këtë pozicion dhe, ndonëse në një rrugëkryq (ja edhe një tjetër fjalë që na vjen nga termi “rrugë”), vazhdon t’i bjerë fyellit baritor po në të njëjtën vrimë: pushtet, pushtet dhe vetëm pushtet me çdo kusht, me çdo çmim, me çdo pasojë! Pushtet mbi Partinë, pushtet mbi Bashkinë, pushtet mbi Shqipërinë!
Siç mund ta vërejë lexuesi i vëmendshëm, i paanshëm dhe pak a shumë i rregullt i rubrikës sime të së dielës, në këtë pikë qëndron drama blegtorale e zotit Rama: edhe si kryetar, edhe si prijës, edhe si përçor, ai kujton se është i vetmi rrugërrëfyes (sërish një fjalë që na vjen po nga termi “rrugë”) i sigurt dhe i pagabueshëm për Partinë Socialiste, për Bashkinë e Tiranës, për Shqipërinë, për mbarë popullin shqiptar duke llogaritur edhe kopenë e atyre që ai nuk resht së përpunuari mendërisht. Eh, drama: të jesh a të mos jesh Ed Rama! Shekspiriane, apo jo?

© Panorama.al

Te lidhura