Dihet sherri mes deputetit Erion Braçe dhe kryetares së komanduar të bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Dy muaj më parë një postim i Braçes në Instagram u bë “sebep” që të dy socialistët të grindeshin, ku Braçe akuzonte Ristanin për arrogancë në trajtimin e një problematike për qytetarët e Selitës, për një kosh plehrash pranë një kopshti për fëmijë.
“Kjo është Anuela Ristani, nënkryetarja e Bashkisë ose kryetarja e Bashkisë në detyrë. Më shkruan mua e me thotë: ‘Që të adresosh saktë videon e radhës’. Dhe më dërgon kontaktin e një nënkryetari tjetër bashkie. A thua se ne punojmë për Anuelën…unë punoj për Anuelën dhe ata atje në Selitë ja kanë për borxh Anuelës bezdisjen për problemet e tyre.
Më ka shkruar dje në orën 19:07, ndërkohë që i kam folur Anuelës publikisht diku rreth orës 09:00 të mëngjesit. Dhe jo për hallin tim personal, as për shtëpinë time, as për rrugën time. I kam folur për një situatë emergjence mjedisore që zgjat prej muajsh mu në mes të Selitës, 5 hapa larg nga qendra shëndetësore, 3 hapa larg nga posta dhe 6 hapa larg nga kopshti i papranueshëm i fëmijëve për koshat e plehrave që ka vendosur në mes të tyre, ku dje ishte shtuar edhe një qenush i ngordhur, i vrarë apo i helmuar.
Në derë të qendrës shëndetësore, postës dhe kopshtit të fëmijëve mes lagjes! Ajo që bën përshtypje është arroganca e këtij njeriu, bën ironi me një gjë që ia kam paraqitur si shqetësim që në muajin shkurt në zyrën e saj.
Ia kam përsëritur thuajse javë për javë në telefon, në mesazhe, përsëri në zyrën e saj. Dhe kujt ia bën? Atyre njerëzve aty në Selitë, mua gjithashtu që duhet të bëj fushatë për të mbledhur vota që Anuela të jetë prapë në pushtet. Anuela! Kuptoni? Me këtë kam të bëj e me këtë keni të bëni! Me Anuelën”, do deklaronte Braçe dy muaj më parë (shtator 2025) në një postim në Instagram.
E megjithatë, me rastin e festës së Flamurit, Braçe ka postuar një foto ku nuk ka kursyer ironitë për Ristanin.
Ai duket teksa i jepte dorën Ristanit në një ceremoni të organizuar për këtë festë në sheshin Skëndërbej, ku Braçe është serioz në portret, ndërsa përkundrazi Ristani duket mjaft e qeshur sikur nuk ka ndodhur asgjë mes tyre.
“Ishte gëzim i madh, duket”, shkruan Braçe.
Postimi i Braçes:
© Panorama.al












