Bastet vihen në qendër të vëmendjes edhe në Kupë. Sipas informacioneve, ndeshja e kthimit mes Besës dhe Tiranës ka qenë ndër më të luajturat nga bastvënësit. Burime të sigurta për “Panorama” bëjnë me dije se nisur nga shuma e madhe e parave të vëna për kualifikimin e Besës, si dhe loja mjaft e dobët e Tiranës në 45 minutat e para të takimit, patën detyruar Halilin që të zbriste në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes dhe të debatonte ashpër me lojtarët e tij. Sipas të dhënave, vetëm në një sallë bastesh në afërsi të kryqëzimit, njohur me emrin “Farmacia 10”, janë luajtur paraditen e së mërkurës 20 milionë lekë (të vjetra) për kualifikimin e Besës, duke ditur që kavajasit nuk ishin aspak favoritë për këtë ndeshje. Në fakt, Besa pati humbur takimin e parë në Tiranë 1-0 dhe bardhebluve u mjaftonte një barazim në Kavajë, që të arrinin finalen e Kupës. Pas sinjalizimeve që kishte marrë nga kryeqyteti, në pushim të ndeshjes, presidenti Refik Halili ka zbritur në dhomat e zhveshjes, gati duke kërcënuar lojtarët e tij. “Ju jeni turpi i kësaj Tirane. Nëse do të vazhdoni kështu edhe në pjesën e dytë të lojës, të jeni të sigurt se jo vetëm rroga që nuk do të merrni, pasi do të keni shkelur me këmbë çdo objektiv të mundshëm të këtij sezoni, por nuk do ketë shanse njeri nga ju që të luajë vitin tjetër me këtë fanellë”, mësohet t’u ketë thënë kreu i klubit lojtarëve të tij. Më pas, Halili ka pasur një bisedë të shkurtër me trajnerin, Kërstiçeviç, ku është diskutuar për reagimin që duhet të kishte Tirana në 45 minutat e dyta. Dhe, në fakt, pjesa e dytë nisi me ndryshime, Gentian Muça zëvendësoi qendërmbrojtësin Erjon Dushku dhe në fushë u pa një Tiranë krejt tjetër, në krahasim me atë të fraksionit të parë të lojës.
Besa, pa 8 titullarë në Elbasan
Në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Elbasanit, kavajasit do të kenë plot 8 mungesa, dhe të gjithë do të jenë lojtarë titullarë. Dos Santos, Lazarevski, Sefa, Djamarti, Nora, Poçi, Mihani dhe Jakupi nuk janë të gatshëm për këtë sfidë. Disa lojtarë do të mungojnë për arsye kartonësh, ndërsa të tjerë pasi janë të dëmtuar. Stafi kavajas është shumë i shqetësuar me këto mungesa të rëndësishme, pasi nga ndeshja e radhës varet shumë mbijetesa e verdhezinjve në Superiore. Trajnerit do t’i duhet që të bëjë pa 8 titullarë, një mision shumë i vështirë për të.











