DURRES – Kandidatët Ferdinand Xhaferraj dhe Vangjush Dako u përballën për të parën herë në një debat. Këtë e kanë bërë para studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu”, ku ata prezantuan programet respektive për drejtimin e Bashkisë së Durrësit dhe iu përgjigjën pyetjeve të të pranishmëve. Një debat që nisi me shpalosjen e programit me në qendër zhvillimin e qytetit dhe turizmin, për të përfunduar në akuza të ashpra e fyerje kundrejt njëri-tjetrit. Kryebashkiaku aktual, Dako, nuk ka ngurruar të komentojë edhe një sërë premtimesh dhe qëndrimesh të kandidatit të PD-së, Ferdinand Xhaferraj. Sipas Dakos, ashtu si dhe me premtimet e tjera, deklaratat e kandidatit të qeverisë përbëjnë mashtrime dhe mungesë të theksuar serioziteti politik dhe qytetar. “Xhaferraj është dëshmia e një ish-ministri të dështuar dhe të denjë për anekdoda. Unë nuk e marrë seriozisht përballjen me të, pasi nuk është një njeri serioz. Në çdo fjali që thotë, ka vetëm gënjeshtra, thotë se do të punoj shumë me turizmin, po si do të punojë zotëria që ka qenë 2 vjet ministër i Kulturës dhe nuk ka bërë asnjë gjë për qytetin e Durrësit. Si ka fytyrë dhe thotë se do të bëjë këtë, do të bëjë atë, kur në të vërtetë nuk ka mundësi të bëjë asnjë gjë. Pa pyeteni zotin Xhaferraj, ç’ka bërë me eshtrat e Ismail Qemalit, a i solli në Shqipëri?”, deklaroi kandidati socialist. Nga ana tjetër, kandidati demokrat reagoi duke u shprehur se qytetarët nuk presim më nga Dako. “Unë di të punoj, ndërsa kundërshtari im vetëm flet, ky ka vetëm fjalë”, reagoi Dako. Por Xhaferaj replikoi duke thënë se: “Për katër vjet e ke kthyer Bashkinë në shërbim të firmës tënde të betonit. Kudo ku shkon sheh vetëm betonieret e Dakos, ndërkohë që nuk ka kohë as të përmirësojë shërbimin urban për studentët dhe pedagogët”, theksoi Xhaferraj. Dako mohoi se firma e prodhimit të betonit, në të cilën ai pranoi se ishte bashkëpronar, të ketë përfituar nga fondet publike, por Xhaferraj nxori një listë me emrat e disa prej firmave që kanë fituar shumicën e tenderëve dhe punëve të tjera publike në Durrës dhe që, sipas tij, betonin e kishin blerë tek firma ku Dako ishte bashkëpronar. Madje, Xhaferraj e sfidoi publikisht Dakon duke thënë: “Nëse kjo listë nuk është e vërtetë, unë jap dorëheqjen nga kjo garë”. Gjatë ballafaqimit të djeshëm, vetë universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ishte objekt i debatit dhe replikave. Vizionet e kandidatëve për rolin e universitetit dhe marrëdhënien e tij me qytetin ishin krejt të ndryshme. Kandidati socialist, Vangjush Dako, e kufizoi ndihmën që mund t’i jepte Bashkia universitetit tek miratimi i përshpejtuar i lejes së ndërtimit për kampusin e ri universitar dhe tek disa bursa. l.m











