DURRËS- Kryeministri Sali Berisha, duke prezantuar kandidatin demokrat në Manzë të Durrësit ka ftuar qytetarët të votojnë maxhorancën, alternativën e suksesit dhe të ardhmes, përkundër rrugës së vetmisë dhe alternativës të së shkuarës që ofron opozita. “Këtu nga Manza, do t’i them kryetarit të Partisë Socialiste: shoku Edi, vrapo sa të mundësh në rrugën tënde të vetme, shtëpia e të shkuarës po të pret dhe ka hapur dyert për ty. Ec me vrap drejt të shkuarës tënde. Ne së bashku do ecim në alternativën e qytetarit, në koalicionin e qytetarit, në besimin ndaj qytetarit, në besimin ndaj jush. Alternativa jonë është alternativa e suksesit, e integrimit, alternativa që ndërton të sotmen dhe të ardhmen”- tha Berisha, duke iu drejtuar të pranishmëve.
Kreu i qeverisë ka garantuar banorët se me Bujar Huqin që rikandidon për kreun e bashkisë, Manza do të vijojë rrugën e zhvillimit dhe do të ketë gjithë mbështetjen për projektet në infrastrukturë.
“Ne jemi njerëzit e suksesit, ju jeni njerëzit e suksesit, sepse ne së bashku këto vite ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta, pensionet në fshat e në mbarë Shqipërinë. Ne jemi njerëzit e suksesit, sepse në këto vite ne ia dolëm të jemi i vetmi vend të Evropë të dyfishojmë rrogat”- tha me tej kreu i qeverise.
Sipas tij, maxhoranca eshte e suksesshme sepse Manzën, Durrësin dhe Shqipërinë tërësisht të harruar në hartën e turizmit botërorë, e shndërroi këtë vit në të bukurën e dheut, në destinacionin kryesor turistik të botës.
© Panorama.al











