Droutsas: Çështja çame nuk ekziston

Apr 7, 2011 | 11:44

Ministri i Jashtëm grek, Dhimitri Droutsas, tha dje se çështja çame nuk ekziston për shtetin grek, ndërsa çështja e pronave mund të zgjidhet vetëm përmes gjykatave. “Çështja çame nuk ekziston. Për ne, nëse ka individë të caktuar që kërkojnë pronat e tyre, në Greqi kemi gjykatat ku ata mund të drejtohen. Nga ana tjetër, ata mund të drejtohen edhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Për ne kjo çështje nuk ekziston”, u shpreh Droutsas gjatë një takimi me gazetarë shqiptarë që ndodhen në një vizitë në Athinë. Duke folur për zhvillimet e fundit politike, ai shprehu shqetësimin se janë përforcuar deklaratat antigreke. “Po shohim gjatë periudhës së fundit nga pala shqiptare për disa çështje një tensionim të tonit përkundrejt Greqisë. Do të guxoja t’i etiketoja këto tone si nacionaliste kundrejt Greqisë. Sigurisht, e kuptoj që është një periudhë delikate edhe për Shqipërinë. Patjetër që çdo vëzhgues konstaton që ka një paqëndrueshmëri politike në Shqipëri. E kuptojmë që tani është periudhë zgjedhore, ku forcat politike shkojnë lehtë pas britmave. Është për të ardhur keq që këto britma të sjellin një rrezik për marrëdhëniet dypalëshe. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar për integrimin. Prandaj na zhgënjen disa herë kur shohim se te opinioni publik shqiptar, gjatë periudhës së fundit, ka shfaqe, do t’i quaja, antigreke”, u shpreh ministri i jashtëm grek. Sipas tij, Samiti i ri i Selanikut në vitin 2014 do të vendosë një datë për integrimin e vendeve të Ballkanit.

© Panorama.al

Te lidhura