Dramë në Peqin, feston Skënderbeu

Apr 16, 2011 | 13:52
Tifozët e Skënderbeut, duke festuar kryesimin e skuadrës së tyre

Dopietë e Mustafajit, tri pikë për Shkumbinin dhe Flamurtari del kokulur nga Peqini. Nga ana tjetër, Skënderbeu, falë fitores në kryeqytet, merr për herë të parë i vetëm kryesimin këtë sezon.Mund të konsiderohet një “vetëvrasje” nga ana e vlonjatëve, përderisa ndaj peqinasve zhvilluan një nga ndeshjet më të dobëta të javëve të fundit. Në fakt, shenjat e një Flamurtari që nuk po ecte me hapin e duhur u shfaqën që në ndeshjen ndaj Teutës (1-1) dhe në fitoren e çalë 1-0 ndaj Kastriotit. Ndërsa dje u vulos rënia e skuadrës së Maganit, pikërisht ndaj ish-skuadrës së qytetit të tij për të cilën ai ka luajtur më shumë se 15 vjet. Dy gola të Erjon Mustafajt në pjesën e dytë u dhanë peqinasve edhe sigurinë e qëndrimit në Superiore edhe për sezonin tjetër. Ndërsa Flamurtari shënoi vetëm një gol nderi, falë një goditjeje dënimi spektakolare nga ana e Franc Veliut. Ndërkaq, festë pa fund, direkt pas vërshëllimës së fundit të Jeminit në Peqin, nisi në Tiranë dhe Korçë. Skënderbeu fitoi 2-3 ndaj Dinamos në kryeqytet, falë dopietës së Muzakës dhe një goli të Sozës, duke marrë për herë të parë këtë sezon i vetëm kryesimin e Superiores. Me 2 pikë më shumë se Flamurtari në krye, kur kanë mbetur edhe 5 javë nga përfundimi i sezonit, Skënderbeu është në dëlir dhe tani ka më shumë shanse për ta marrë ai titullin kampion. Kujtojmë se në këtë ndeshje të pestë golat u shënuan nga tre lojtarë që gjatë këtij sezoni kanë luajtur për të dyja skuadrat, si Dinamon dhe Skënderbeun. Një fitore e çmuar për korçarët, e cila i jep shpresa për të fituar titullin pas 78 vjetësh (për herë të parë dhe të fundit e ka fituar më 1933-n). Por, nuk duhet harruar se java e 33-të dhe e fundit e sezonit vendos përballë Flamurtarin (59 pikë) me Skënderbeun (61 pikë). Ndërsa në ndeshjen e tretë të luajtur dje, Tirana arriti një fitore tenistike, 6-1 ndaj Elbasanit. Jahmir Hyka, Bekim Balaj, Andi Lila, Ivan Gvozdenovic, Blerti Hajdari dhe Mario Morina shënuan të gjithë nga një gol për bardheblutë, ndërsa për Elbasanin golin e vetëm e shënoi Bakiu me penallti. Me këtë fitore Tirana parakalon përkohësisht në renditje Laçin, i cili luan sot ndaj Vllaznisë.

Çipi

Shefi i klubit të Flamurtarit ka kritikuar lojën e skuadrës vlonjate, duke pohuar se kështu mund të humbin edhe titullin. “Ishte një ndeshje shume e dobët nga ana jonë. Në fakt, kemi disa javë që luajmë në këtë mënyrë, por tani duhet të ndërrojmë marsh. Duhet të marrim pikë të plota në ndeshjet e radhës, për të shkuar te finalja e javës së 33-të, në të kundërt nuk kemi se çfarë të bëjmë, pasi ashtu siç e tha edhe sekretari i FSHF-së, Eduard Prodani, kundërshtari ynë do t’i fitojë të gjitha ndeshjet”, ka pohuar pas takimit të djeshëm, Çipi.

Zeqo

Presidenti i Skënderbeut ka nisur të festojë fitoren dhe triumfin e skuadrës për të cilën ka investuar aq shumë në këto muaj. “Jam i gëzuar për fitoren dhe më vjen mirë që lojtarët dhanë maksimumin për këtë takim, ashtu si për çdo ndeshje tjetër. Por nga ana tjetër, dua të them vetëm një gjë, që bëmë thjesht detyrën tonë”, ka pohuar ai. Zeqo nga ana tjetër është i bindur që suksesi i të tijve varet nga vetë ata. “Ne kemi një synim të qartë në këtë sezon, që është titulli, ndaj u kërkoj lojtarëve të tregohen të matur pikërisht në këto momente”, ka pohuar Zeqo.

Superiore/ Java 28

Shkumbini–Flamurtari    2-1
Shënues: Mustafaji 58’, 71’/ Veliu 90’

Dinamo–Skënderbeu    2-3
Shënues: Bërkiç 55’, 70’/ Muzaka 45’, 60’, Soza 46’

Tirana-Elbasani        6-1
Shënues: Hyka 16’, Bala 28’, Lila 32 (p), Gvozdenoviç 59’, Hajdari 82’, Morina 84’/ Bakiu 64’

Sot
Teuta–Besa        14:00
Laçi-Vllaznia         16:30
Kastrioti-Bylis        16:30

Renditja

Nr. Ekipi    ND    F    B    H    P
1. Skënderbeu     28     19     4     5     61
2. Flamurtari    28     19     2     7     59
3. Vllaznia     27     13     8     6     47
4. Tirana    28     11     11     6     44
5. Laçi     27     13     4     10     43
6. Dinamo    28     10     7     11     37
7. Shkumbini     28     10     5     13     35
8. Bylis    27     9     3     15     30
9. Kastrioti    27     7     9     11     30
10. Teuta    27     7     8     12     29
11. Besa    27     7     8     12     29
12. Elbasani     28     4     3     21     12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura