“Do ta mbaj Çezenën në Serinë A”

Apr 7, 2011 | 13:05

Barazimi me Fiorentinën duhet arkivuar dhe të gjitha forcat të përqendrohen te sfida e radhës kundër Palermos. Ky është misioni i skuadrës së Çezenës. Dhe një gjë të tillë e di mirë sulmuesi shqiptar, Erjon Bogdani, i cili kundër vjollcave pati mundësinë t’i dhuronte tri pikët skuadrës së tij: “E kam riparë në televizor ndeshjen time dhe rastet për gol që pata. Pas kësaj, mund të them se kam bërë gjithçka në atë sfidë, ndonëse më vjen shumë keq, që nuk shfrytëzova dhe nuk e arrita në kohë, një top që më duhej vetëm ta shtyja në portë. Ato lloj pasimesh zakonisht i shfrytëzoj mirë, por në atë rast nuk mund të bëja asgjë më shumë, pasimi ishte i fortë, dhe i pakapshëm – shpjegon gjigandi i Kombëtares së Shqipërisë. – Gjithsesi, barazimi që morën kundër Fiorentinës, është një rezultat i mirë, duhet të ndihemi të kënaqur, duke parë sesi shkoi ajo sfidë. Nuk është e lehtë të fitosh përballë një skuadre si Fiorentina, por ne jemi të lumtur me barazimin. E rëndësishme është që të vazhdojmë të marrim sa më shumë pikë deri në fund, sepse vetëm kështu mund të qëndrojmë në Serinë A. Tani duhet të mendojmë vetëm për përballjen me Palermon, e cila për mendimin tim do jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ata kanë humbur derbin, kanë ndryshuar trajnerin, dhe pa dyshim që të dielën do duan t’u tregojnë të gjithëve se sa vlejnë si skuadër. Deri në fund të kampionatit mungojnë shtatë ndeshje, ku secila për ne do të jetë tepër e vështirë. Të gjithë duhet të japim kontributin për të mbajtur Çezenën në Serinë A, pasi kundrejt disa ekipeve të tjera, ne e meritojmë më shumë, duke parë lojën që kemi shfaqur. Përgjegjësitë më të mëdha i kemi ne, dhe unë si sulmues jam i pari që i pranoj të miat, duke provuar të shënoj ndonjë gol më shumë deri në fund të sezonit”, përfundoi sulmuesi 33-vjeçar i Çezenës, Erjon Bogdani.

© Panorama.al

Te lidhura