“Do bëjmë edhe kallëzim penal”- Aktivistja Vatnikaj: SPAK na tha të presim përgjigje, dorëzuam “Albanian Files”! Rama të dorëhiqet, kemi besim dhe pritshmëri te drejtësia

Jul 1, 2026 | 10:42

Aktivistët dhe organizatorët e protestës qytetare që zgjat prej 32 ditësh para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe Ramës, dorëzuan sot në SPAK dosjen “Albanian Files”, ku në qendër të akuzës ndodhet kreu i ekzekutivit për bërje ligjesh me porosi dhe shkatërrim të urbanistikës apo territorit shqiptar.

vatnikaj2

Aktivistja Sidorela Vatnikaj dha detaje për gazetarët menjëherë pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, duke konfirmuar se dosja u mor në dorëzim dhe do presin përgjigje. Ajo gjithashtu dha lajmin se po përgatisin edhe një kallëzim penal për këtë rast, ku do e shoqërojnë me dokumentacione dhe prova.

“SPAK e mbajti librin që ne dorëzuam, pas deklaratës tonë publike që e cilësojmë si shenjë kriminale dhe ata e mbajtën librin, e na thanë se do kemi përgjigje në ditët në vijim. Do të kemi edhe një kallëzim penal që po bëhet nga avokatë e juristë e do dorëzohet më vonë. Ne besojmë se ka të bëjë me ligjet me porosi, se interesi personal është vendosur mbi ato të qytetarëve, do bëhet një kallëzim penal që do dorëzohet nga juristët dhe bashkë me kallëzimin edhe faktet e provat. SPAK e mbajti librin që dorëzuam. Pas deklaratës sonë publike që kërkojmë nisje të hetimit, për atë që ne e cilësojmë si provë të kapjes së shtetit. Ndaj do të presim në ditët në vijim”, tha ajo mes të tjerash.

E pyetur për dinamikën dhe skenarin e protestës, ajo tha se lëvizja e sotme ishte për të dorëzuar dosjen, kurse protesta do nisë si zakonisht në orën 19:00 në shesh. Ajo tha se pika kryesore e rëndësishme e tyre është dorëheqja e kryeministrit Rama.

“Unë po bëj një thirrje, denoncimi për SPAK është bërë tani, por ne do vijojmë protestën si çdo ditë në orën 19:00 te sheshi Skënderbej. Nuk mund të flasim për grup organizator apo nismëtar tani, por për ne është me rëndësi dorëheqja e kryeministrit Rama dhe garancia që institucionet të mos jenë të lidhura me oligarkinë dhe krimin. Të ndërtojmë një Shqipëri pa krim, pa korrupsion dhe pa oligarki”, tha Vatnikaj.

Më tej ajo i bëri thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare që të vijonte të mblidhej në shesh, duke vënë në dukje se në këtë revolt marrin pjesë qytetarë nga të gjitha shtresat.

“Shoqëria shqiptare është e gjitha në shesh, ne nuk i bëjmë thirrje specifikisht një kategorie shoqërore, por duke qenë se e gjithë shoqëria është në shesh, tregon se autoritarizmi i Ramës duhet të marrë fund ndaj përfshirja e të gjithë shoqërisë atje në shesh është me rëndësi. Shoqëria shqiptare e ka treguar në 30 ditë që është mjaftueshëm e pjekur për të ndërtuar një Shqipëri pa korrupsion. Në shesh ka intelektualë, të rinj, të moshuar, sa kohë janë në shesh, aty është vendi i të gjithëve. Thirrjet tona për hetim të politikanëve do të shkojnë deri në fund”, tha aktivistja.

Për Vatnikajn, besimi te drejtësia dhe mbështetja ndaj saj prej tyre është prezente, por shtoi se edhe kishin pritshmëri për atë që duhet të bëjnë më tej. Gjithashtu Vatnikaj i dha edhe një mesazh kryeministrit Rama për fyerjen e tij ndaj qytetarëve protestues me shprehjen “f*ck you”.

“Jemi në mbështetje të drejtësisë së re dhe në pritshmërinë që të shkojë në rangun e lartë të politikanëve. Ne kemi besim të drejtësia e re por edhe pritshmëri, kjo është simbolika jonë. Rama f*ck you është një përgjigje ndaj arrogancës së kryeministrit Rama, nuk i kthejmë përgjigje me gjuhën që Meriton por me atë që ai njeh, që është “f*ck you”, tha ajo.

 

© Panorama.al

Te lidhura