Dita e 7 e grevës së urisë, paraplegjikët: Do flijohemi

Apr 21, 2011 | 10:18

“Do flijohemi këtu”. Kështu kanë deklaruar invalidët para dhe tetraplegjikë. Dje, në ditën e shtatë të grevës së urisë. Tre prej tyre janë detyruar të largohen përfundimisht, ndërsa 2 të tjerë janë në gjendje të vështire shëndetësore. Kryetarja e Shoqatës së Paraplegjikëve, Mybere Prizëreni, i bëri apel qeverisë që t’u përgjigjet kërkesave të tyre. “Shpresojmë që nga momenti në moment të vijë vendimi i Këshillit të Ministrave për të ndërprerë grevën, përndryshe ne do të qëndrojmë këtu deri në vetëflijim”, u shpreh Prizreni. Ajo shtoi se sa më shumë ditët kalojnë, aq më shumë rëndohet gjendja e tyre shëndetësore. Thuajse të gjithë grevistët kanë paraqitur sot probleme serioze me tensionin, dhimbje të forta koke. “Gjendja sa vjen e rëndohet,, në veçanti gjendja e grave është më e rënduar, për arsye se fiziku i tyre është më i lodhur.”, tha Mybere Prizëreni. Të rënduar nga qëndrimi i gjatë në shtrat, pa ushqim dhe pa ilaçe aq të rëndësishme për të mundur dhimbjet e paralizës, para dhe tetraplegjikët vazhdojnë të mbahen me shpresë se qeveria do të reagojë dhe se në të kundërt, do të vazhdojnë grevën me çdo kosto. Nga 24 persona që nisën greveën, tashmë kanë mbetur 18 prej tyre dhe të gjithë kanë komplikacione me shëndetin. Para dhe tetraplegjikët kërkojnë rritjen e përfitimit të karburantit në 80 litra në muaj, rritjen e pagesës së paaftësisë, sipas pagës minimale 10 200 lekë, nga 9000 lekë që marrin aktualisht, rritjen e përfitimit të paketës higjieno-sanitare në vlerën 30 000 lekë në muaj, respektimin e ligjit “Për të drejtën e strehimit” dhe ngritjen e një ambienti çlodhës në bregdet. Ministria e Punës pak ditë më parë ka deklaruar me shifra se sa kanë përfituar 5100 persona që i përkasin kësaj kategorie deri më sot, si dhe ka kërkuar që ata t’i japin fund kësaj greve. Ndërkohë, kanë reaguar edhe organizata joqeveritare që lobojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Sipas tyre, duhet të merren menjëherë masa për të zgjidhur këtë situatë. Po kështu, kreu  i Këshillit të Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafai, tha se pritet që të ketë një reagim brenda pak ditësh nga strukturat e qeverisë mbi problemet ekonomike të para dhe tetraplegjikëve.

© Panorama.al

Te lidhura