Në gjuhën klasike të gjeopolitikës, gjermani Carl von Clausewitz, luftën dhe derivatet e saj, si dhunën apo forcën, i klasifikon si vazhdim i politikës me mjete të tjera. Thënë ndryshe, në mospranim të komunikimit apo dialogut përdorim forcën që njëra prej palëve të bindet apo t’u nënshtrohet kërkesave të palës tjetër. Incidentet e ditëve të fundit, apo mesazhet e përcjella në vijimësi nga lidershipi socialist, të krijojnë bindjen se rruga e zgjedhur, në vend të dialogut, argumenteve, ideve e alternativave, synon të mbajë lart frymën e shantazhit, forcës apo të teorive maosite. Me një vëzhgim të thjeshtë konstaton se rëndom në fjalimet e tij mbizotërojnë terma kërcënues, si: “hakmarrje”, “ta harroni Tiranën”, “mos të guxojë kush të prekë votën se do të përballet me zemërimin mbarëpopullor”… Por, njëkohësisht, ky refren nënkupton qartë jo vetëm përdorimin e forcës, në funksion të vetëmbrojtjes, por edhe të qenit viktimë në të njëjtën kohë.
Kjo alibi e vjetër prej humbësi, filluar që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, jo vetëm që nuk mund të bindë më askënd, por i shërben vetëm nxitjes së dhunës, në funksion të mbrojtjes. Po nga çfarë kërkon të mbrohet kryebashkiaku aktual, apo prej kujt është viktimizuar? Këtë as ai vetë nuk mund ta thotë. Prej më shumë se dy vitesh pretendon se zgjedhjet u vodhën, por përtej retorikës, asnjë provë. Edhe pse raporti i OSBE/ODIHR-it qartazi pohon se pavarësisht defekteve të rënda në numërim, në 1/3 e vendeve të numërimit nuk pati asnjë provë për manipulimin e rezultatit. Po kështu, asnjë prej 20 mijë komisionerëve, qindra vëzhguesve të caktuar nga Partia Socialiste, nuk paraqiti as edhe një ankesë të vetme në regjistrat zyrtarë. E, megjithatë, retorika e akuzave për vjedhje e manipulime nuk rreshti.
Vetëm dy ditë më parë, në një takim me Këshillin e Politikave të Jashtme të Shqipërisë, ambasadori amerikan Arvizu, ndër të tjera nënvizoi:
“Kodi Elektoral, qartësisht dhe qëllimisht e ngarkon barrën për mirëdrejtimin e zgjedhjeve mbi vetë partitë politike. Është detyrë për të gjitha partitë kryesore që të bëjnë maksimumin e tyre që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në këtë proces zgjedhor. Në vitin 2008, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste arritën një konsensus të gjerë dhe të madh për Kodin Zgjedhor aktual. Tani jemi vetëm pak javë larg zgjedhjeve të 8 majit. Varet, sidomos nga dy partitë kryesore, që të bëjnë që Kodi Zgjedhor të funksionojë në mbështetje të zgjedhjeve të mira. Të dyja këto parti krijuan një sistem zgjedhor që i vendos ato në qendër të procesit”. A thua që këtë fakt mos ta dijë kryesocialisti? A thua këtë fakt nuk e dinë dhe të tjerë politikanë socialistë? Sigurisht që e dinë, por të gjithë, me nihilizëm dhe obskurantizëm, e mohojnë.
Sigurisht që kjo e ka një shpjegim, i cili, sado që duket i thjeshtë, është i vërtetë. Pas 11 vitesh në krye të Tiranës, Rama tashmë nuk arrin të ofrojë as ide, as alternativa dhe as vizion. Për më tepër, i zhytur në një deficit të jashtëzakonshëm premtimesh të pambajtura dhe braktisje “de facto” të detyrës, ai po ndjek me këmbëngulje të vetmen rrugë: atë të sharjeve, fyerjeve apo akuzave në nivel personal. Paralelisht, duke u shtirur si viktimë, ai po përpiqet të krijojë klimën e rëndë të “një krimi elektoral të ri, të paralajmëruar”. Madje, në funksion të kësaj klime, vetëm pak ditë më parë u hodh në tregun mediatik lajmi se diplomatë të lartë perëndimorë kishin ushtruar presion ndaj vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it për të përgatitur një raport sa më pozitiv për zgjedhjet e 8 majit. Kaq e rëndë ishte kjo “shashkë” e re, sa ambasadori amerikan Arvizu, në një dalje të gjatë televizive, e mohoi tërësisht këtë fakt. Për më tepër, duke dashur të informojë publikun shqiptar se shpesh ka lajme që janë tërësisht të rreme, ai rrëfeu një rast analog në SHBA, ku thuajse u besua fakti që Presidenti Obama nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara, por diku tjetër. Po përse kjo goditje kaq e fortë për të rrezuar kredibilitetin e arbitrit? Sërish në frikë të humbjes e në shterpësi të plotë idesh.
Jo më kot ekspertët si Clausewitz, në teorinë e luftës përkufizojnë: Lufta (dhuna ose forca), është shpesh një mënyrë për të hedhur një komunitet (grupim politik, etnik etj.), kundër atij që lidershipi e trajton si armikun e përbashkët, për të justifikuar mobilizimin, disiplinën e fortë, me qëllim final arritjen e fitores politike të nevojshme apo të pushtetit karizmatik, pasi është i bindur se e meriton me çdo kusht.
© Panorama.al












