Gjashtë efektiva të Gardës së Republikës në sektorin e Teknologjisë dhe Informacionit dëshmuan dje për disa orë në Prokurorinë e Tiranës, në lidhje me hetimet që po zhvillohen për ngjarjet e 21 janarit.Gardistët janë thirrur në Prokurori, në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen objekt hetimi. Ditën e ngjarjes, më 21 janar, ata kanë pasur për detyrë të filmojnë veprimet e efektivave të Gardës së Republikës në mbrojtjen e Kryeministrisë në Tiranë. Tre prej gardistëve që janë marrë në pyetje dje, mësohet se më 21 janar kanë qenë në terren, të ngarkuar për kryerjen e filmimeve me kamera mbi veprimet e kolegëve të tyre të reparteve të armatosura të Gardës. Shkak i thirrjes së gardistëve në Prokurori, kanë qenë disa materiale filmike të dorëzuara grupit hetimor në rrugë zyrtare nga Garda rreth një muaj më parë. Pas ngjarjes së 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër persona, ndërkohë që Prokuroria kishte filluar hetimet, duke nxjerrë urdhër ndalimi ndaj gjashtë drejtuesve të Gardës, ky institucion i dorëzoi Prokurorisë disa materiale filmike, që përmbanin regjistrime në një hark kohor prej rreth dy orësh. Pasi ka shqyrtuar pamjet e dorëzuara nga Garda, Prokuroria ka vendosur të marrë në pyetje personat që kanë bërë regjistrimin e tyre, por edhe nëpunësit e sektorit të teknologjisë së Gardës, që kanë bërë përpunimin dhe administrimin e filmimeve në fjalë.
Dëshmitë e gardistëve
Prokuroria ka deklaruar më parë se në imazhet filmike të dorëzuara nga Garda e Republikës, nuk është fiksuar asnjëra nga katër vrasjet e ndodhura më 21 janar. Sipas Prokurorisë, regjistrimet përmbajnë kryesisht veprimet e efektivave të Gardës, vendosjen e tyre taktike përreth Kryeministrisë, momentin kur disa prej tyre qëllojnë me armë, por që nuk kuptohet nëse është fjala për plumba luftarakë apo manovër. Filmimet e Gardës, po ashtu kanë fiksuar edhe disa momente të persona nga turma që qëllojnë me mjete të forta dhe me gurë në drejtim të efektivave të Gardës. Për këtë shkak, Prokuroria ka marrë në pyetje dje gjashtë efektivat e Gardës. Atyre u janë kërkuar shpjegime, nëse filmimet që janë dorëzuar në Prokurori janë të plota. Po kështu, gardistët kanë dhënë shpjegime edhe për mënyrën e administrimit të filmimeve, konkretisht nëse ato janë hedhur bruto dhe janë dorëzuar në Prokurori, apo më parë ka pasur një përpunim të tyre dhe më pas janë vënë në dispozicion të hetimit. Sipas burimeve, mësohet se efektivat e Gardës kanë pohuar se detyra e tyre ka qenë dokumentimi i veprimeve të kolegëve të tyre. Ata kanë shpjeguar se videot janë të papërpunuara, ndërkohë që kanë theksuar se për filmimin e akteve të mundshme kriminale gjatë demonstratës, ishin marrë masa nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Eksperimenti në bulevard për katër vrasjet
Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka filluar kryerjen e veprimeve të para të eksperimentit hetimor, që do të zhvillohet në bulevard, me qëllim zbardhjen e rrethanave të vrasjes së katër personave në demonstratën e 21 janarit. Prokuroria ka thirrur familjarët e të afërmit e katër të vrarëve dhe disa të plagosurve, ku me ndihmën e tyre ka identifikuar në filmime secilin prej viktimave në mesin e turmës. Në këtë mënyrë, është arritur të lokalizohen zonat në të cilat janë ndodhur katër viktimat në momentin kur janë qëlluar me armë. Përllogaritje dhe verifikime të thelluara është dashur të bëhen për Aleks Nikën dhe Faik Myrton, pasi dy viktimat e tjera Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, duken më qartë në filmime, në momentin që janë vrarë. Pas saktësimit të pozicioneve ku ndodheshin të vrarët, Prokuroria ka përcaktuar projeksionin e plumbave dhe origjinën e tyre. Eksperimenti hetimor do të bëhet me ndihmën e ekspertëve të FBI.
Prokuroria: Tri nga 4 viktimat janë filmuar
TIRANE – Prokuroria e Tiranës gjatë hetimeve të saj ka arritur të sigurojë nga policia, mediat dhe nga persona privatë, filmime për vrasjen e tre personave gjatë demonstratës që u zhvillua më 21 janar pranë Kryeministrisë. Një set prej 15 fotografish të njëpasnjëshme, është administruar në dosje, pasi tregon momentin e vrasjes së Hekuran Dedës, parë nga këndi i Kullave Binjake. Hekuran Deda shfaqet në këto foto-filmime, teksa rrëzohet nga vendi ku kishte hipur dhe bie pa jetë në asfalt. Po kështu, nga një televizion privat është sekuestruar videoja në të cilën duket momenti i vrasjes së Ziver Veizit. Imazhi i marrë nga një lartësi jo e madhe (kati i dytë apo i tretë i Kullave Binjake) tregon momentin kur Ziver Veizi lëkundet nga goditja e plumbit e më pas rrëzohet në krah të djathtë para portës metalike të Kryeministrisë në anën e Piramidës. Videoja paraqet edhe një gardist përballë viktimës, që duket se qëllon me armë në atë moment, por nuk është e qartë nëse ai është vrasësi. Ndërkohë, pak ditë më parë, në morinë e regjistrimeve të sekuestruara, me ndihmën e familjarëve Prokuroria identifikoi edhe videon ku duket vrasja e Aleks Nikës, demonstruesit nga Lezha që gjeti vdekjen në një spital në Turqi, dy javë pas 21 janarit. E vetmja vrasje e pafilmuar vizualisht është ajo e Faik Myrtos. Megjithatë, edhe për demonstruesin nga Fieri pretendohet se ka një regjistrim celular me imazhe jo shumë të qarta, por me audio të pastër që tregon momentin e vrasjes.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











