Dënimi i ri plotësues

Feb 3, 2026 | 7:35

Florjan KalajaFLORJAN KALAJA

Duke pasur parasysh faktin se tashmë ndryshimet e Kodit Penal, të propozuara nga Këshilli i Ministrave, u miratuan me 85 vota në Kuvend në mbrëmjen e 27 janarit 2026, detyrohem sërish që të komentoj për to. Kësaj radhe do të përqendrohem në një dënim të ri plotësues penal të propozuar dhe tashmë të miratuar për t’u shtuar në listën e nenit 30 të Kodit Penal. 

Sikurse bëra me dije shkrimin e kaluar, më datë 11.12.2025 Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Penal. Në projektligjin me 46 norma neni 5 amendon nenin 30 të Kodit Penal. Kjo dispozitë e Kodit Penal liston dënimet plotësuese penale dhe se si të tilla deri më sot ato numërtohen 10. Neni 5 i projektligjit propozon të bëhen 11, duke shtuar sakaq një dënim plotësues penal të konsideruar si të ri, qoftë nga Ministria e Drejtësisë, burimi nga vjen projektligji, dhe qoftë nga Këshilli i Ministrave, propozuesi formal i projektligjit. Kështu, pika 11 e nenit 30 të Kodit Penal propozohet të jetë si vijon:

“11. Ndalimi i përhershëm ose i përkohshëm i ushtrimit të aktiviteteve profesionale që përfshijnë kontakte të drejtpërdrejta dhe të rregullta me fëmijët e mitur”.

Megjithëse dokumenti i konsultimit publik të këtij projektligji është 117 faqe, nuk ka asnjë rresht në të për të kuptuar se pse po ndryshohet neni 30 i Kodit Penal. Megjithëse relacioni është 37 faqe, nuk ka asgjë në të, veç riperifrazimit të kësaj norme, që të tregojë se pse po ndryshohet neni 30 i Kodit Penal. Megjithëkëtë heshtje në materialet legjislative, që i bashkëlidhen projektligjit, kuptohet se baza kushtetuese e këtij propozimi është pika 1 e nenit 54 të Kushtetutës, në të cilën parashikohet se shteti ka detyrë të mbrojë në mënyrë të veçantë fëmijët.

Për t’u kuptuar paraprakisht duhet të sqarohet se neni 30 i Kodit Penal, në paragrafin e parë, konkretisht në pjesën e listimit të dënimeve plotësuese penale, nuk është një dispozitë e vetëzbatueshme për të individualizuar përgjegjësinë penale të një fajtori. Përkundrazi, në këtë pjesë të dispozitës ligjvënësi, përmes një rregullimi me karakter deklarativ, ka inventarizuar dënimet penale plotësuese. Më tej, nga neni 35 deri në nenin 44 të Kodit Penal, ligjvënësi ka rregulluar individualisht secilin dënim plotësues, duke normuar rastet e caktimit të tyre, modalitetet e detyrimeve, privilet e së drejtave dhe kohëzgjatjen e tyre. Kjo do të thotë se gjykata, rast pas rasti, kur cakton dënimet penale plotësuese, nuk zbaton drejtpërdrejtë nenin 30 të Kodit Penal, por një nga dispozitat nga neni 35 deri në nenin 44 të tij, konkretisht dispozitën që lidhet organikisht me dënimin penal plotësues të caktuar.

Pas 31 vitesh veprimi të Kodit Penal në këtë mënyrë, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave propozon një qasje krejt tjetër. Në projektligjin e njëzetepestë ndryshues të tij. Ato amendojnë inventarin e dënimeve plotësuese në paragrafin e parë të nenit 30 të Kodit Penal dhe nuk e konkretizojnë më tej me një normë tjetër pasuese dhe konkrete rregullimin e modaliteteve të dhënies së këtij dënimi të ri plotësues.

Më tej duhet të sillet në vëmendje se pika 5 e paragrafit të parë të nenit 30 të Kodit Penal parashikon se një nga dënimet penale plotësuese është humbja e së drejtës së ushtrimit të një veprimtarie apo një profesioni. Në logjikën juridike 31- vjeçare, ligjvënësi më tej në nenin 39 të Kodit Penal ka përcaktuar modalitetet e zbatimit të këtij dënimi plotësues. Kjo dispozitë parashikon se: “Heqja e së drejtës të ushtrimit të një profesioni ose të një veprimtarie e ndalon të dënuarin të ushtrojë profesionin ose veprimtarinë, për të cilën është dhënë leje e veçantë, dëshmi, autorizim apo licencë nga organi kompetent.

Heqja e së drejtës së ushtrimit të një veprimtarie ose të një profesioni jepet për një kohë nga një muaj deri në pesë vjet dhe është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale që kryhen duke i shpërdoruar ato, ose kur vlerësohet se ushtrimi i mëtejshëm i veprimtari së apo profesionit bie ndesh me marrëdhënien juridike që synon të mbrojë vepra penale konkrete.”

Nga ky parashtrim dhe vetëm nga ky lexim i nenit 30 dhe 39 të Kodit Penal besoj është e qartë, edhe për jojuristët, se në të vërtetë pika 11 e propozuar nga projektligji si dënim i posaçëm penal plotësues nuk është i tillë, por se në të vërtetë është një nënlloj i pikës 5 të nenit 30 dhe nenit 39 të këtij Kodi. Kaq mjafton për të kuptuar se ato që kanë konceptuar, hartuar dhe propozuar nenin 5 të projektligjit nuk e njohin Kodin Penal që kërkojnë të ndryshojnë. Kaq mjafton të kuptohet se duart dhe mendjet që e atyre votuan këtë ndryshim ligjor në Kuvend nuk e kanë ditur se çfarë po bëjnë. Ndërhyrja në këtë mënyrë është tërësisht e gabuar dhe se logjikshëm konkludohet se qëllimi i mirë, që draftuesit, propozuesi dhe miratuesit kanë pasur, duhet të intrumentalizohej përmes ndryshimit të nenit 39 të Kodit Penal dhe jo të ndërhyhej vetëm në listën-inventar të nenit 30 të këtij Kodi.

Kështu si është hartuar neni 5 i projektligjit nuk kuptohet se cilat janë rastet kur gjykata duhet ta zbatojë pikën 11 të nenit 30 të Kodit Penal. Një standard i tillë legjislativ nuk ka asnjë pikëtakim me parimin e sigurisë juridike, pasi, kur nuk e kupton gjykata se kur duhet të zbatohet një dënim i tillë plotësues penal, si mund të pretendohet ta parashikojë qytetari se kur do të mund të jetë subjekt i këtij sanksioni. Kjo do të thotë se neni 5 i projektligjit cenon standardet e kërkuara nga neni 29 i Kushtetutës dhe nenit 7 të KEDNJ.

Nga ana tjetër konstatoj se pika 11 e nenit 30 të Kodit Penal është formuluar në një mënyrë të tillë, ku minimumi i sanksionit plotësues është 1 ditë dhe maksimumi i tij është përjetësia. Duhet të mbahet parasysh kjo mënyrë e të shkruarit nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Këshilli i Ministrave, të cilën nuk duhet ta pranonte Kuvendi, e bën të zbatueshëm këtë dënim plotësues fillimisht për çdo kundravajtje penale dhe më tej për çdo krim, edhe pse nuk ka asnjë pikëtakim me dëmtimin e subjekteve të mitur dhe ku këto subjekte nuk janë viktima të veprave penale. Nga ana tjetër, mosparashikimi i kritereve të qarta dhe ndarëse të minimumit dhe maksimumit të sanksionit penal plotësues dhe moslidhja e tyre me sanksionet penale kryesore të veprave penale e shndërron këtë dënim plotësues tërësisht arbitrar dhe joproporcional, duke mos u pajtuar sakaq me standardet relevante të nenit 29 të Kushtetutës dhe të nenit 7 të KEDNJ.

Më tej m’u desh të konsultoja projektin e Kodit të ri Penal, me qëllimin për të parë aty nëse kishte propozime dhe norma që krijonin pikëtakime me këtë zhvillim të së drejtës penale materiale të Dhjetorit të vitit 2025 dhe që u legalizua në mbrëmjen e datës 27.01.2026 nga 85 deputetë duarlartë. Dënimet plotësuese penale për individin në këtë projekt rregullohen në nenin 76 deri në nenin 104. Nga ana tjetër dënimet plotësuese penale për personat juridikë rregullohen në nenin 125 deri në nenin 131.

Për çudinë e radhës konstatoj se pika 11 e propozuar për amendimin e nenit 30 të Kodit Penal nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Këshilli i Ministrave në dhjetorin e vitit 2025, nuk ndodhet në parashikimet relevante, konkretisht neni 82 dhe 127, të projektit të Kodit të ri Penal. Njëlloj sikurse neni 39 i Kodit Penal në fuqi, edhe grupi i punës së projektit të Kodit të ri Penal e ka konceptuar dënimin penal plotësues të heqjes së të drejtës së ushtrimit të një profesioni, duke mos e detajuar llojin e profesionit, por duke rregulluar gjeneralisht caktimin e këtij dënimi dytësor. Ndryshe nga kjo qasje tradicionalisht dhe normalisht e pranuar, një grup tjetër pune brenda Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2025 koncepton një dënim penal plotësues partikular, të veçuar nga një dënim po i posaçëm plotësues, duke e konsideruar atë si të pavarur dhe të mëvetësishëm.

Një shembull konkret se si duhet të hartohet një dënim plotësues penal simotër, për sa u takon individëve, është neni 82 i projektit të Kodit të ri Penal. Kjo dispozitë parashikon se:

“1. Heqja e së drejtës së ushtrimit të një profesioni ose të një veprimtarie e ndalon të dënuarin të ushtrojë profesionin ose veprimtarinë, për të cilën është dhënë leje e veçantë, dëshmi, autorizim apo licencë nga organi kompetent.

2. Heqja e së drejtës së ushtrimit të një veprimtarie ose të një profesioni jepet detyrimisht për një kohë nga dy deri në pesë vjet, ose e përhershme dhe, është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra të rënda apo shumë të rënda penale që kryhen duke shpërdoruar detyrën që kërkon leje të veçantë, ose, kur vlerësohet se ushtrimi i mëtejshëm i veprimtarisë apo profesionit bie ndesh me marrëdhënien juridike që synon të mbrojë vepra penale konkrete.

3. Leja e veçantë, dëshmia, autorizimi apo licenca e organit kompetent që kushtëzon kryerjen e një veprimtarie profesionale nuk mund të lëshohet në favor të personave të dënuar më parë për veprat e rënda ose shumë të rënda penale që lidhen me përmbajtjen e atyre të shënuara në paragrafin e dytë të këtij neni, pavarësisht nëse ata janë ose jo të rehabilituar sipas parashikimeve të këtij Kodi.

4. Për efekt të këtij dënimi plotësues do të barazohen sektori publik dhe ai privat si dhe personi fizik me atë juridik.”

Nga ana tjetër një shembull se si mund të hartohej një normë e tillë për personat juridikë mund të ishte neni 127 i projektit të Kodit të ri Penal, i cili parashikon se:

“1. Ndalimi i ushtrimit, drejtpërdrejt ose jo, të një ose më shumë veprimtarive të personit juridik, mund të jepet nga gjykata për një kohë nga një deri në dhjetë vjet, kur gjatë ushtrimit apo për shkak të këtyre veprimtarive është kryer vepra penale, ose kur çmohet se personi juridik i ka shpërdoruar ato.

2. Ndalimi i përhershëm i ushtrimit drejtpërdrejt ose jo të një ose më shumë veprimtarive të personit juridik, jepet nga gjykata kur ato janë përdorur në kryerjen e një krimi, që ka sjellë pasoja të rënda dhe çmohet se mbajtja e tyre nuk pajtohet me natyrën e veprës penale të kryer.”

Megjithatë, duhet të rrëfej se edhe këto norma nuk janë modeli më i mirë i mundshëm dhe se edhe për ato, në vijimin e rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal”, do të trajtoj komentet kritike respektive. Por, krejt ndryshe nga grupi i punës që ka hartuar projektligjin e dhjetorit të vitit 2025, grupi i punës që ka hartuar projektin e Kodit të ri Penal nuk ka krijuar normë penale kaq arbitrare dhe joproporcionale.

Vlerësoj se kjo nisma e njëzetepesë ligjore ndryshuese, sa i takon kësaj pjese, nuk është aspak serioze dhe aspak e përputhur me qëndrueshmërinë dhe rëndësinë që duhet të ketë Kodi Penal apo i cilësuar edhe si “Kushtetuta Negative” e shtetit. Ndërkohë që ka një grup pune të mandatuar nga viti 2019 për të reformuar tërësisht të drejtën penale materiale, ekzigjencë normative për objektivin “Shqipëria e vitit 2030 në Bashkimin Europian”, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nisin një ndërhyrje në Kodin Penal, e hartuar dhe konceptuar nga një grup tjetër pune, propozimet e të cilit nuk kanë asnjë pikëtakim me propozimet e projektit madhor të Kodit të ri Penal. Vlerësoj se një mënyrë e tillë e ligjbërjes në Shqipëri vetëm sa shton traditën e ndërhyrjeve episodike dhe rastësore në rendin juridik, shton fondin e dispozitave “mish të huaj” në Kodin Penal, shton pasigurinë juridike të ligjit penal, inflacionon rregullimet ligjore penale dhe thellon premisat e paqartësisë së praktikës gjyqësore, për të cilat viktimë mbetet gjithmonë individi.

Ndërkohë që pritet se brenda vitit 2026 do të miratohet Kodi i ri Penal, po brenda vitit 2026 miratohet në Kuvend një dënim penal plotësues, krejt i përkohshëm dhe që do të shfuqizohet me miratimin e Kodit të ri Penal. Duket sikur Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave e më tej edhe Kuvendi po eksperimenton me norma ad hoc në Pjesën e Përgjithshme të Kodit Penal, norma të cilat, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jenë më në fuqi brenda po këtij viti. Një ndërhyrjeje të tillë ligjore në Kodin Penal nuk i gjendet simotra nga njëzet e katër ndërhyrjet e mëparshme përgjatë 31 viteve të veprimit të tij në Shqipëri. Në vend që të rregullohen modalitetet e bashkimit të dënimeve plotësuese, kohëzgjatja e tyre, veprimi i amnistisë, veprimi i parashkrimit të ekzekutimit, shndërrimi i tyre në dënime kryesore, ekzekutimi dhe shuarja e tyre, lidhja dhe ndërveprimi i tyre me kufizimet simotra ligjore me natyrë administrative dhe problematika të tjera reale të lidhura me to, nevoja këto që ekzistojnë tradicionalisht nga keqrregullimi apo ometimi ligjor ndër dekada në Shqipëri, ndërhyrja e njëzetepesë në Kodin Penal bëhet kuturu.

Këto dy shkrime radhazi, të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal”, në të vërtetë u shoqëruan me një zbulesë sa pozitive aq edhe kobndjellëse. Deri në momentin e njohjes me projektligjin e ndryshimeve të Kodit Penal të dhjetorit të vitit 2025, pas hulumtimeve gjatë periudhës së mes-shtatorit të vitit 2025 deri në fillim-janarin e vitit 2026 mbi projektin e Kodit të ri Penal, kisha menduar se cilësia e ndërtimit të “Kushtetutës Negative” të Shqipërisë në dekadën e tretë të shekullit XXI linte vetëm për të dëshiruar. Por zbulesa e projektligjit për ndryshimin e Kodit Penal të Dhjetorit të vitit 2025, në pak ditë të fillim-janarit të vitit 2026, mjaftoi për të kuptuar se ka edhe më keq.

Autori, gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura