Del nga Psikiatria, vret të atin

Apr 6, 2011 | 12:27
Policia, në banesën ku ndodhi ngjarja

Masakron të atin me mjete të forta 7 ditë pasi doli nga Spitali Psikiatrik i Vlorës. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së martës, në banesën e viktimës Koli Rrapi, në lagjen “Mbrostar Ferko” të Fierit.Trupi i pajetë i 74-vjeçarit është zbuluar 24 orë më pas, nga nipi i shtëpisë. Policia e Fierit bëri të ditur se autor i krimit të rëndë është djali i viktimës, Aleko Rrapi, 42 vjeç, i cili u arrestua ditën e djeshme. Krimi brenda familjes dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti mes babë e bir, për shkaqe që ende nuk janë bërë të qarta. Por gjithsesi, paraprakisht dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur për shkak të agresionit të 42-vjeçarit, i cili vuante edhe nga sëmundja mendore. Ai ka shfrytëzuar momentin kur ka qenë i vetëm në banesë, pasi e ëma kishte shkuar në Vlorë të vizitonte njërën nga vajzat e saj. Nga hetimi i kryer, rezultoi se 42-vjeçari është strehuar në ambiente të tjera të shtëpisë, pasi ka qëlluar babain, duke e lënë të vdekur. Ndërsa dje, ai është larguar sikur të mos kishte ndodhur asgjë për t’u arrestuar disa orë më pas. Në orët e mesditës, nipi i viktimës, i cili jetonte me familjen e tij pak metra larg gjyshit, ka shkuar në banesën e të moshuarit. Pasi ka thirrur disa herë dhe nuk ka marrë përgjigje, djali është futur në dhomën e gjyshit, por ka mbetur i shtangur teksa e ka gjetur të masakruar me mjete të forta dhe të mbuluar me gjak. Ai ka lajmëruar menjëherë babain e tij. Ky i fundit sinjalizoi policinë kur gjeti të atin të pajetë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se vdekja e të moshuarit kishte ardhur si pasoje e goditjes me mjete të forta disa orë përpara. Sipas banorëve të lagjes, autori vuan nga çrregullime mendore. Rrapi ka jetuar si emigrant në SHBA dhe është kthyer para disa vitesh në Shqipëri. Pas kthimit, ai sillej mjaft agresiv me prindërit, por edhe me të njohurit e banorët e lagjes, duke dëshmuar kështu simptoma të sëmundjes mendore. Prindërit e tij kishin kërkuar disa herë ndihmën e policisë, pasi djali ushtronte ndaj tyre dhunë. Madje, blutë e Fierit e kishin shoqëruar disa herë, por për shkak se ai konsiderohej i paaftë mendërisht, ishte lënë i lirë. Prej disa kohësh mjekohej në Spitalin Psikiatrik të qytetit bregdetar të Vlorës, ndërsa mësohet se kishte dalë prej aty 7 ditë më parë. Dyshohet se ai ishte edhe përdorues i lëndëve narkotike.

Precedenti i rëndë në Berat

Pak ditë më parë, një i sëmurë mendor nga Donofrosa e Beratit masakroi për vdekje një fëmijë nëntë vjeç nga fshati Luari i komunës Kuman. I mituri kishte shkuar tek dajat e tij, por u masakrua me një dërrasë teksa ishte duke luajtur me disa bashkëmoshatarë. Ai ndërroi jetë në Spitalin e Fierit.

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura