Të paktë janë qytetarët e Tiranës sot, të cilët mendojnë se kjo fushatë zgjedhore për të zgjedhur atë që do të qeverisë Tiranën nuk ka nevojë për një debat, madje për një debat me shumë seanca. Ndoshta kjo mund të jetë ndër të vetmet pika ku elektoratet e dy kampeve më të mëdha bien dakord, së bashku me kërkesën e përgjithshme për një fushatë sa më të qetë dhe të qytetëruar. Dhe ka një arsye të fortë për këtë gjë: për të gjithë ata që kanë një bindje të moderuar politike të vetën, por veçanërisht edhe për ata që janë të lëkundur, një ballafaqim real, teknik dhe i drejtpërdrejtë i dy kandidatëve kryesorë do të ndihmojë shumë në zgjedhjen e platformës dhe kandidatit fitues. Por me sa duket, edhe kësaj here, nuk do të kemi rastin apo më mirë privilegjin për të asistuar në një debat të tillë. Them privilegjin, sepse kur vjen fjala tek mundësia e z. Rama për t’u përfshirë në debat, shanset janë thuajse zero. E ndërsa në njërën anë kemi ftesën e hapur dhe pa kushte të z. Basha për debat, z. Rama ka përjashtuar plotësisht mbajtjen e tij. Dhe ky fenomen ka rrënjë dhe arsye më të thella se ajo që dikush mund të perceptojë nga larg. Përgjatë karrierës së tij politike, z. Rama ka marrë pjesë vetëm në një debat, në vjeshtën e vitit 2000, atëherë kur ai ishte në opozitë dhe synonte të fitonte karrigen e kryebashkiakut të Tiranës. Më tutje ka zgjedhur të mos debatojë asnjëherë, por vetëm të bëjë fushatë, herë personale dhe herë partiake. Shumë mirë – mund të thotë dikush, kjo është zgjedhja dhe taktika e tij për të dalë fitimtar. Dakord, ky argument mund të jetë një shpjegim, por ajo që nuk ka sens dhe duket e pamundur, është fakti që z. Rama, edhe pse drejton prej 11 vjetësh një qytet me një mori problemesh të akumuluara, edhe pse kërkon përsëri ta drejtojë atë për katër vite të tjera rresht, nuk kërkon ta përdorë këtë debat për të nxjerrë në pah të gjitha arritjet e administratës së tij dhe të zhvleftësojë “pretendimet” e opozitës së djathtë për neglizhencë dhe paaftësi në drejtimin e qytetit. Përse ndodh kjo gjë? Është më se e kuptueshme që nuk është thjesht çështje taktike, se në do të ishte e tillë, z. Rama do të ishte i pari i interesuar për të organizuar një debat publik, dhe z. Basha, i fundit për t’i dhënë kryebashkiakut platformën për të bërë apologjinë e tij. Nuk duhet të harrojmë se në këtë fushatë zgjedhore “opozitari” është z. Basha dhe jo z. Rama.
Atëherë, arsyeja duhet kërkuar më thellë. Më shumë se nga debati në vetvete, z. Rama i druhet pamundësisë së tij personale për të debatuar, qoftë kjo nga mosnjohja e argumenteve teknike, qoftë nga mosmarrja e përgjegjësisë për t‘u vënë në krye të zgjidhjeve të problemeve. Në karrierën e tij politike, kjo përqasje ka qenë një konstante e pandryshuar. Në vitet e para të qeverisjes së tij të Tiranës, nëpërmjet shfaqjeve mediatike (ku paraqiste një imazh sfidues gjysmë anarkisti dhe gjysmë rebeli), ai diti t’i imponohej elektoratit te Tiranës, i cili, sidomos në ato vite, ishte i lodhur nga atmosfera e përgjithshme politike. Figura e Ramës tingëllonte sfiduese, thuajse pa përkatësi politike, ndërsa ai vetë nuk e kishte për gjë të vinte në lojë dhe të ironizonte madje edhe njerëzit e tij dhe të forcës politike që e solli në karrigen e kryebashkiakut. Këto vite, që mund të quheshin si “triumfi i formës ndaj përmbajtjes” – kaluan lehtësisht, për sa kohe vullneti dhe dëshira e z. Rama për të bërë diçka në Tiranë ishin prezent. Kioskat e parkut “Rinia”, një pjesë e korridorit të lumit Lana dhe disa ndërhyrje të tjera në infrastrukturë sollën përkrahjen e kryeqytetasve, të cilët ia dhanë votën pa menduar më gjatë për atë lloj problematike reale që Tirana kishte filluar të akumulonte. Dhe në fakt, Tirana, ashtu si edhe e gjithë Shqipëria, veçanërisht pas vitit 2005 hyri në një trajektore të përshpejtuar të zhvillimit te saj. Tirana u rrit, e bashkë me të u rriten frikshëm trafiku dhe konsumi, problemet e strehimit, të punësimit dhe mbetjet urbane. Në Tiranë po formësohej me shpejtësi shtresa e mesme e shoqërisë, mirëfilltazi europiane e bashkë me të po rritej kërkesa për një standard më të lartë të jetës, për shumë më tepër hapësira të gjelbra, kënde sportive, zbavitje, për më shumë liri lëvizjeje. Kërkoj një qytet funksional, modern, jo i dendësuar jashtë çdo logjike të arsyeshme. Me pak fjalë, kërkohej cilësia e jetës në këtë qytet. Por, artisti i dikurshëm që njihte vetëm formën dhe jo përmbajtjen, sigurisht nuk ishte i përgatitur t’u jepte përgjigje këtyre sfidave, sepse ato kërkonin përgatitje profesionale dhe staf po aq profesional. Aktiviteti i gjashtë viteve të fundit i z. Rama është mirëfilltazi politik, ndërsa problematika e Tiranës kërkon domosdoshmërisht një menaxhim profesional të qytetit, një staf të përgatitur teknikesh dhe kurajë për t’i parë gjerat në sy dhe për të identifikuar zgjidhjet. Asgjë e tillë nuk ndodhi, përkundrazi. Nën presionin e lobeve të ndërtimit, Tirana u shndërrua pak nga pak në geto, ndërsa nën presionin partiak, bashkia u shndërrua në strehë për punësimin e militantëve dhe fansave personalë të z. Rama.
Tashmë le të hidhem mbrapsht tek çështja e debatit të munguar. Ata që mendojnë se z. Rama nuk preferon debatin publik për arsye taktiko-elektorale, janë të gabuar. Po të ishte kështu, ai nuk do të replikonte me z. Basha në argumentet e tij, por do të vazhdonte ta mbante fushatën në terma politikë dhe në planin politik. Në pamundësi të kësaj dhe duke e parë se terreni po bëhet i rrëshqitshëm, z. Rama braktisi pjesërisht këtë linjë dhe filloi të trajtonte çështje të menaxhimit të përditshëm të Tiranës, si p.sh. taksat, rrugët, trafiku (tramvaji), papunësia etj…
Pra, në një mënyrë apo një tjetër, ai ka hyrë tashmë në debat, por së largu ama. Debatin e vërtetë, ballë për ballë me sfiduesin e tij, e ka përjashtuar përfundimisht. E në këtë kontekst, vendimi i tij për të mos debatuar në një emision me z. Basha është më se i kuptueshëm dhe i arsyeshëm, duke marrë parasysh tipologjinë e lidershipit që z. Rama ofron. Meqenëse debati do të fokusohej në argumente teknike dhe menaxheriale, atëherë z. Rama nuk i duhet të përballojë thjesht argumentin, por edhe të ketë njohuritë e duhura profesionale për debatin. P.sh., ndërsa do të duhet të përballet me çështjen e papunësisë, do të duhet të ketë njohuri bazike nga ekonomia, gjë të cilën ai nuk i ka. E keni dëgjuar ndonjëherë z. Rama të flasë për GDP, për normën e inflacionit apo të trajtojë çështje të ekuilibrave makroekonomikë? Sigurisht që jo, sepse ai nuk di ta bëjë një gjë të tillë. Ndërsa do të duhet të flasë për trafikun, do t’i duhet të përballët me argumentet teknike të rrugëve, fluksit të makinave etj., të cilat janë shumë larg formimit të tij si artist dhe në përpjesëtim të drejtë me mungesën e vullnetit të tij për t’u thelluar në argument. Po kështu me çështjet e hapësirave të gjelbra, të derdhjeve të gazta e të ngurta, të menaxhimit të mbetjeve urbane etj…, për të mos folur pastaj për njohuritë e tij në fushën e politikës së jashtme, të politikës ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, për të cilat nuk e kemi dëgjuar kurrë të shprehet apo të mbrojë një opinion të tijin.
Z. Rama i mungon një formim i tillë, por nuk i mungon aspak ambicia e tij për të vazhduar të drejtojë kryeqytetin, madje, pse jo, pas disa vitesh ndoshta edhe Shqipërinë. Se si do të mund ta bëjë këtë gjë, kjo është një përgjigje që vetëm z. Rama e di.
Si një personazh perfekt i «triumfit të formës ndaj përmbajtjes», krahasimi më i mirë që më vjen ndërmend, është ai i një patinatori të akullit, i cili e ka të ndaluar të thellohet në fushën e lëvizjes së tij, sepse pastaj do të rrëzohej.
Z. Rama ka aftësinë e mrekullueshme të rrëshqasë butë dhe pa fërkim mbi argumentet teknike të Tiranës, por edhe mbi debatin politik, pa u thelluar, pa i njohur, vetëm në sipërfaqe dhe aspak në thellësi, sepse ky është stili i tij. Nëse do të bënte të kundërtën, nuk do të ishte më Rama. Nëse do të ishte ndryshe, sigurisht që do të kishte kurajën të debatonte sot me z. Basha, madje nesër edhe me z. Berisha. Po këtë gjë, ai në mënyrë të natyrshme nuk e bën dot më. Prandaj ne jemi të dënuar të mos dëgjojmë asnjë debat, për sa kohë ai do të luajë udhëheqësin.
© Panorama.al












