Debatet publike si përmirësim i votës

Apr 13, 2011 | 12:45

AGIM BAÇI

Shpesh, gjatë viteve të fundit, ne, thuajse të gjithë, kemi qenë kritikë me atë pjesë që, e paguar si elitë, nuk e kish luajtur atë rol në jetën publike. Kemi kërkuar që të ngrejë zërin për gjithçka që nuk është në interesin e qytetarit. Dhe kur dëgjova për iniciativën qytetare që mblodhi bashkë, disa ditë më parë, disa prej emrave të njohur të Tiranës, mendova se të paktën diçka mund të nisë në drejtimin e një diskutimi për shumë gjëra që na shqetësojnë të gjithëve. Dhe nuk ka gjë më të mirë sesa shpresa për zgjidhje të nisë duke pyetur ballë për ballë ata që mund të jenë drejtuesit e Tiranës. Jo se nuk do të donim edhe për shumë qytete të tjera, por duket se Tirana mund të kthehet në një model, ku krerët e Bashkisë duhet të dinë më parë mendimet e qytetarëve, pasi fundi i fundit, do të drejtojë përmes taksave të tyre dhe për jetën e tyre.
Natyrisht, askush nuk mund të pretendojë se në atë tryezë ishin të gjithë intelektualët e Tiranës. Gjithkush nga ne mund t’i shtojë emra të tjerë asaj tryeze, të cilëve ua dimë vlerat dhe përgjegjësinë për jetën në komunitet. Por, të paktën, atyre emrave që ishin aty në tryezë atë ditë, të gjithë ne do t’u kërkonim që të ngrinin zërin për të kërkuar mirëfunksionimin e punëve për qytetin ku banojmë.
Të nesërmen mësova edhe për disa emra që ishin ftuar në atë tryezë, por që për shkak të mungesës së njërit prej kandidatëve, Edi Ramës, nuk kishin shkuar. Pikërisht mungesa e atyre emrave është edhe pasoja e parë e mosprezencës së njërit kandidat. Pra, fare shkoqur kuptohet se disa emra kanë preferuar që të mos shihen si të njëanshëm, pasi prania e njërit duket se i jep një ngjyrim tryezës. Dhe mungesa e Ramës, afërmendsh duket se këtë ka synuar. Ndoshta jo si disa muaj më parë, kur fyeu publikisht si “ahengxhinj” disa intelektualë që kërkuan ndërprerjen e grevës së urisë, por këtë herë, përmes mungesës, Rama ka tentuar që në fillim ta paraqesë si të njëanshme një të tillë tryezë, duke tentuar kështu të bëjë të pavlefshëm një medium ku shumë qytetarë mund të kishin dëgjuar më me qetësi dy kandidatët kryesorë lidhur me idetë për Bashkinë e kryeqytetit, si dhe me modelin se si duan t’ia arrijnë. Kjo mungesë, e parë, e cila është në vazhdën e një sfondi të pastër fushate politike që ka ngritur z.Rama, në fakt, ka sjellë dëmin e parë të dukshëm për qytetarët e Tiranës –  atë të frenimit për debat publik të shumë personave që shihen si elitë, pasi mendoj se në profilin e tyre të përditshëm, ku punojnë e diskutojnë, nuk do të donin t’i shihnin si rozë apo blu, por si njerëz që kanë përgjegjësi kur pyesin dhe kërkojnë llogari për dikë që pretendon t’i drejtojë.
Vetë Rama mund të pretendojë se debatin mund ta presë vetëm me Berishën. Por ne, si banorë të kryeqytetit, presim që Rama të na përgjigjet specifikisht edhe për Tiranën, aq më shumë që ka 10 vjet që është i zgjedhur për të drejtuar këtë bashki, ndaj dhe mundet që të jetë i pari që mund të na japë përgjigje për disa “pse” dhe mund të jetë i gjykueshëm konkretisht, kundrejt Bashës, i cili ka pretendime dhe premtime, të cilat nuk ia paragjykojmë dot.
Dalja në publik për debat me emra që kanë pas kontribute në shëndetësi, arsim, trashëgimi kulturore, ndërtim, art, duhej të ishte ndjerë si një detyrim nga z. Rama, pasi ai jo vetëm që është një kandidat, por është edhe një kryebashkiak që prej 10 vitesh. Ai s’mund të fshihet pas një sfondi vetëm politik pa dhënë llogari për asgjë, pasi në këtë rast nuk është vetëm përfaqësues i opozitës, por edhe drejtues i Bashkisë më të madhe në vend. Të mos harrojmë se 3 vjet më parë, kur garonin për në Shtëpinë e Bardhë Obama dhe McCain, jo vetëm që morën pjesë në çdo debat që iu kërkua, por që të dy iu përgjigjën edhe pyetjeve të një pastori lidhur me shumë gjëra që kishin të bënin me besimin e tyre apo konceptet për familjen, divorcin, abortin, e gjëra të tjera me rëndësi në jetën publike.
Besoj se edhe shumë shqiptarë do të donin të dinin prej kandidatëve të tyre shumë gjëra për to, sepse rrugëzgjidhjet e tyre personale pasqyrohen edhe në vendimmarrjet e mëpasshme, kur ata zgjidhen. Ndaj, asnjë “gjethe politike”, sado që të jetë e justifikuar, nuk mund ta mbulojë këtë mungesë, e cila mund t’i heqë Tiranës shansin për të parë një kandidat larg zhurmës me militantë, por me njerëz të cilët paguhen si elitë dhe ndaj të cilëve ne kemi kërkesa që të jenë aktivë. Ndaj, asnjë angazhim nuk duhet ta ndalë pjesëmarrjen e asnjë kandidati në të tilla debate. Edhe z. Rama, që kërkon sërish në këto zgjedhje të vazhdojë të drejtojë Tiranën, duhet të flasë me “megafonin e kandidatit”, dhe jo “megafonin e kryetarit socialist”. Sepse, fundi i fundit, vërtet një votë është një votë, por jo çdo emër është njëlloj kur u kërkojmë apo u japim llogari, ndaj ata emra që ishin mbledhur meritojnë respekt për angazhimin e tyre publik që kanë ndërmarrë.

© Panorama.al

Te lidhura