Sulmuesi i Barcelonës, David Vila, mezi e ka pritur kualifikimin e skuadrës së tij në gjysmëfinale. Madje, atij i pëlqen ideja e të luajturit 4 “El Clasico” brenda 18 ditëve. “Do të jetë një spektakël i vërtetë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë, kështu që për tifozët kjo do të jetë fantastike. Ata janë bërë gati, ndaj le të fillojë festa”, – tha ish-sulmuesi i Valencias dhe shënuesi më i mirë me Kombëtaren spanjolle. Edhe pse nuk shënoi në Ukrainë, Vila u shpreh i kënaqur, pavarësisht se luajti vetëm 75 minuta. “E rëndësishme është që organika e skuadrës vazhdon të funksionojë dhe kjo po ndodh me Barcelonën. Nuk shënova unë, por e bëri Mesi”, – përfundoi futbollisti. Barcelona bëhet klubi i katërt që arrin në gjysmëfinale për të katërtin vit radhazi, duke shënuar një tjetër rekord.











