Bota i ka kthyer sytë dje nga katedralja më e bukur e Britanisë, për të parë ceremoninë mahnitëse të dasmës të së dytit në radhë për të trashëguar fronin mbretëror, Princit Uilliams dhe Keit Midëlltonit.Princi Uilliam mori një titull të ri në orën tetë të mëngjesit ditën e martesës: Duka i Kembrixhit. Titullin ia dha Mbretëresha Elisabeta II për të shënuar martesën e tij me Keit Midëlltonin. 1900 të ftuarit kishin mbërritur në Katedrale disa orë para fillimit të ceremonisë në katedralen “Westminster Abbey”. Pas ceremonisë, ata u nisën drejt pallatit mbretëror me një karrocë të hapur. E gjithë bota ka dëgjuar betimet martesore në ceremoninë e transmetuar drejtpërdrejtë në të gjithë botën. Keit Midëllton është pa gjak blu
mbretëror, që do të thotë se nuk vjen nga një familje aristokrate. Paraardhësit e saj ishin minatorë. Përshëndetja nga ballkoni i “Buckingham Palace” ishte sekuenca e fundit e dasmës që u transmetuar nga kamerat. Kaq ishte ceremonia për të gjithë, më pas vijojnë ceremonitë brenda familjes në sallonet e pasura të pallatit mbretëror. Për festimet ishin ofruar dhjetëmijë torta të vogla, torta e dasmës dhjetë kate dhe shampanjë “Pol – Brut”. Festa vazhdon në rrugë ku kishin dalë më shumë se një milion njerëz për të parë dasmën, sado nga larg me sy të lirë apo në ekranet e mëdha të vendosura nëpër rrugët e Britanisë. Të sapomartuarit, Uill dhe Keit, kanë surprizuar turmën, kur pas martese kanë dalë shëtitje me një makinë “Aston Martin” klasike. Princi e nxori Keitin nga “Buckingham Palace” dhe u drejtuan për në “Clarence House me makinën e hapur, të dekoruar me tullumbace në formë zemre me targë “Të sapo-martuar”. Është e njëjta “Aston Martin” që babai i dhëndrit 28-vjeçar, princi Çarls, shëtiste Princeshën Diana në vitin 1982.
Kush është Keit Midëllton
Katerina, tashmë Dukesha e Kembrixhit (Katerin Elisabet Midëllton), e lindur më 9 janar 1982, është gruaja e Princit Uilliam, Duka i Kembrixhit. Ajo është rritur në “Chapel Row” në fshatin Bakëllberi, një fshat afër Njubarit, Berkshajër, dhe ka studiuar në Skoci në Universitetin “St Andrews”, ku është takuar me Princin Uilliam në vitin 2001. Ata nisën një lidhje romantike dhe e vazhduan derisa u ndanë për disa muaj në vitin 2007. Megjithatë, ata vazhduan të jenë miq dhe u rilidhën në fund të atij viti. Përpara martesës, Dukesha ka marrë pjesë në shumë takime të larta mbretërore. Ajo është admiruar për stilin e saj të veshjes. Më 16 nëntor 2010 zyra e Princit në “Clarence House” ka njoftuar fejesën e tyre. Keit është më e madhja e tre fëmijëve të lindur nga Karol Elisabet dhe Majkëll Francis Midëllton. Në vitin 1987 ata themeluan “Party Pieces”, një kompani porosish postare që shet pajisje dhe dekorime për festa,
e cila i ka sjellë 30 milionë sterlina të ardhura.
Detajet e ceremonisë që u ndoq nga 2 miliardë njerëz në planet
• Rreth 2 miliardë njerëz në më shumë se 180 vende rreth botës kanë parë raportimet, fotot dhe pamjet televizive të dasmës mbretërore, e cila u mbulua nga 8,500 gazetarë vetëm në Londër.
• “Facebook” ka llogaritur se 2.8 milionë njerëz në Britani dhe Amerikë kanë shkruar në statusin e tyre në lidhje me dasmën mbretërore, 24 orë përpara se të niste.
• Në rrjetin social “Twitter” janë postuar më shumë se 237 shënime çdo sekondë për dasmën mbretërore, ndërkohë që ajo po transmetohej.
• Rreth 1 000 milje pëlhurë banderolash u shit për të shënuar ngjarjen, pjesa më madhe e së cilës u përdor për të dekoruar 5 000 festat në rrugë që do të organizohen nëpër Britani.
• Rreth 1 900 njerëz ishin të ftuar në ceremoninë e “Westminster Abbey”, pjesa më madhe e të cilëve ishin nga të afërmit dhe miqtë e çiftit, bashkë me 50 anëtarë të familjes mbretërore, 40 anëtarë të familjeve të huaja mbretërore, 200 politikanë dhe diplomatë dhe 80 të ftuar nga bamirësitë e Princit.
• Keit Midëllton ka mbërritur në “Abbey” me një makinë “Rolls Royce Phantom VI”, e cila i ishte dhuruar Mbretëreshës për jubileun e saj të argjendtë, ndërsa Princi Uilliam udhëtoi me një “Bentley” me dizajn të veçantë, 6.22 metra të gjatë.
• Bishti i fustanit të Keit Midëllton ishte 2 metra e 70 cm i gjatë, ndërsa tapeti i kuq, i shtruar nga porta “Great West Gate” deri në “Sacrarium” në katedralen “Abbey”, kishte një gjatësi prej 91,44 metrash.
• Përveç luleve nga Parku Uindsor dhe “Sandringham Estate”, katedralja “Westminster Abbey” ishte dekoruar nga Shane Connolly me tetë pemë 6 metra të larta, gjashtë panja angleze dhe dy shkoza.
• Muzika në ceremoni u luajt nga Kori i “Westminster Abbey”, kori i Madhërisë së Saj “Chapel Royal”, Orkesta e Dhomës së Londrës, grupi Fanfare nga “Central Band of the RAF” dhe Trumbetat e Shtetit të Kalorësisë së Familjes.
• Tre nga pjesët e muzikës së luajtura përpara ceremonisë ishin dëgjuar edhe në martesën e dytë të princit të Ueills (Çarlsi), në vitin 2005.
• Çifti zgjidhi një liturgji tradicionale të Kishës së Anglisë nga libri lutjeve të 1928-s, i njohur si Seria e Parë e formës së solemnitetit të martesës, por Keit Midëllton gjatë betimit nuk tha se ajo do t’i “bindej” burrit të saj.
• Pas shërbesës fetare, 10 kambanat e katedrales 1 000-vjeçare “Abbey” tingëlluan në shkallë rritjeje në “kënaqësi të plotë” dhe zgjatën më shumë se tre orë, ku asnjë sekuencë apo tingull nuk përsëritet.
• Në 1:30 të drekës, fluturuan avionët që ishin të tipit “Lancaster”, një “Spitfire” një “Hurricane” si dhe sy “Tornado” dhe dy “Typhoon”.
• Në total, rreth 5 000 oficerë kanë qenë në shërbim për dasmën mbretërore përfshirë 900 që mbikëqyrnin itinerarin nga katedralja “Westminster Abbey” në “Buckingham Palace”. Në mesditë, rreth 18 njerëz u arrestuan në qendër të Londrës për akuza si “prishja e qetësisë” dhe “mbajtje armësh të dëmshme”.











