Rritja e çmimeve në vend vjen si pasojë drejtpërdrejt e shtrenjtimit në tregjet ndërkombëtare.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dje, gjatë konferencës së tij pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, detajoi zhvillimet kryesore në vend për 3-mujorin e parë të vitit. Lidhur me rritjen e çmimeve për këtë periudhë ai u shpreh se me fillimin e stinës së ngrohtë pritet që të ketë një rënie të çmimeve të ofertës për një pjesë të mallrave të shportës, por për çmimin e naftës ai theksoi se është thellësisht i ndikuar nga zhvillimet në tregjet globale. “Shkaqet kryesore të rritjes kanë qenë koniunktura e rënduar aktuale dhe e pritshme për çmimet e lëndëve të para, situata e pazakontë gjeopolitike në ekonomitë e rëndësishme prodhuese të naftës dhe të produkteve agro-industriale, si dhe kushtet e pafavorshme të motit, të cilat kanë dëmtuar produktet bujqësore”, tha guvernatori. Rritja e çmimeve në thelb nuk inkurajon as rritjen e kërkesës konsumatore në vend. Në një farë mënyre, një kërkesë më të moderuar dhe më të ulët e ka rekomanduar edhe Banka e Shqipërisë “si një presion” të mundshëm ndaj tregut për të imponuar çmime më të ulëta. “Banka e Shqipërisë gjykon se në terma afatshkurtër, konsumatori shqiptar ka hapësirë për adoptimin e një sjelljeje më racionale në drejtim të zgjerimit të konsumit”, tha guvernatori Ardian Fullani në fjalën e tij. Ndërkaq, lidhur me inflacionin, kreu i BSH-së u shpreh se në tremujorin e parë të vitit ai reflektoi rritjen e lartë të çmimeve si për produktet ushqimore, për çmimet e naftës, ashtu dhe për çmimet e barnave mjekësorë, të cilët iu adoptuan sistemit të TVSH-së në nivelin 10 për qind. Ajo që në fakt do të rikuperonte dobësinë që Shqipëria ka nga ndikimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare është rritja e prodhimit dhe e eksporteve. Në analizën e saj, Banka e Shqipërisë gjykon se shfrytëzimi i kapaciteteve prodh-uese mbetet i ulët dhe situata e konsumit të brendshëm mbetet e paqartë, duke sugjeruar se ekonomia vazhdon të operojë nën potencialin e saj.
Shpenzimet e qeverisë
Shpenzimet e mëdha të qeverisë në 3-mujorin e parë të këtij viti kanë mbajtur në nivele pozitive kërkesën, por sigurisht që kanë thelluar deficitin. Këto shpenzime, të lidhura jo pak herë me vitin elektoral në të cilin jemi, kanë krijuar një hendek të madh mes balancës të ardhura dhe shpenzime. “Gjatë tremujorit të parë të vitit 2011 vlerësohet se shpenzimet qeveritare kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbajtjen e kërkesës në nivele pozitive, ndryshe prej sjelljes së vënë re vitin e kaluar. Në fundin e tremujorit të parë të vitit 2011, deficiti buxhetor shënoi një vlerë prej 11.8 miliardë lekësh, kundrejt suficitit prej 0.7 miliardë lekësh të regjistruar në fundin e të njëjtit tremujor një vit më parë”, tha guvernatori. Banka e Shqipërisë vlerëson se shpenzimet e larta kanë rritur mjaft nivelin e deficitit në ndryshim nga përmirësimi që u bë në vitin 2010.
Drafti për bankat
Drafti i qeverisë për të tatuar fitimin e kompanive me ndikim të madh në treg dhe që kanë norma të larta fitimi është komentuar dje edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ai u shpreh se politikat makroekonomike dhe ato fiskale duhet të harmonizohen dhe në këtë kuadër ato duhet të jenë të mirëshqyrtuara e të mirëstudiuara. Kjo për të krijuar një ekonomi që është atraktive për investitorët dhe që krijon konkurrushmërinë e duhur në treg, çka garanton nga ana tjetër një zhvillim afatgjatë të ekonomisë. Për guvernatorin duhet të krijohen hapësirat e duhura për këtë zhvillim.
Kreditimi
Banka e Shqipërisë mori dje vendimin për heqjen e fondit të rezervës së detyruar në valutë që detyroheshin të mbanin bankat, me synimin e rritjes së kreditimit në vend. “Kjo masë, efektivisht do t’i nxisë bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve duke favorizuar ndërmjetësimin në monedhën vendase. Ritmi i kërkesës për para nga agjentët ekonomikë privatë dhe publikë është rritur. Vlerësimet tona tregojnë se zgjerimi monetar është në përputhje me kërkesën e sektorit privat të ekonomisë për para reale”, tha guvernatori. Më herët, mungesa e kërkesës konsiderohej si ngërçi për rritjen e kreditimit.
Ndryshimi i normës
Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare,
si dhe përpjekjet për të mbajtur një ekuilibër të inflacionit, por edhe të ekonomive, i ka detyruar bankat që të marrin masa për rritjen e normave të interesit të parave. Në muajin mars, Banka e Shqipërisë rriti me 0.25 për qind normën e interesit të lekut, ndërkohë që një nismë të tillë e ka marrë edhe Banka Qendrore Europiane, e cila vendosi të rritë normën bazë të interesit të euros me 0.25 pikë përqindje. Po ashtu, në tregjet financiare të huaja vihet re një rritje e lehtë e normave të interesit që faktorizon pritjet për një inflacion
më të lartë.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











