Në shtetet ku Kushtetuta respektohet jo vetëm si tekst normativ, por si rend vlerash dhe si frymë funksionale, koha është element përbërës i drejtësisë. Doktrina kushtetuese bashkëkohore e trajton afatin jo si aspekt teknik, por si pjesë të së drejtës materiale. Vendimmarrja e vonuar nuk është thjesht një problem administrativ, por përbën një formë të sofistikuar të mohimit të drejtësisë dhe në rrethana të caktuara, shndërrohet në instrument politik për shmangien e përgjegjësisë.
Rasti që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku, me rolin e Parlamentit dhe me heshtjen e zgjatur të Gjykatës Kushtetuese, e vendos rendin kushtetues shqiptar përballë një prove serioze: a janë institucionet të afta të veprojnë në kohë, apo janë të gatshme ta përdorin kohën si mjet për të konsumuar ligjin? Në planin juridik, çdo procedurë që prek përgjegjësinë e një funksionari të lartë publik ndërtohet mbi parimin e afatshmërisë së arsyeshme. Ky parim është i konsoliduar si në doktrinën kushtetuese, ashtu edhe në jurisprudencën evropiane, ku është pranuar gjerësisht se drejtësia e vonuar përbën shkelje të së drejtës për një proces efektiv. Afatet nuk janë aksesorë të procedurës, por garanci substanciale kundër arbitraritetit. Në këtë kuptim, kur institucionet zgjedhin të mos veprojnë, ato nuk qëndrojnë në një pozicion neutral.
Mosveprimi prodhon efekt juridik konkret: ndryshon ekuilibrin e procesit dhe ndikon drejtpërdrejt në përfundimin e tij. Doktrina e së drejtës publike e ka të qartë se heshtja institucionale, kur ekziston detyrimi për të vendosur, është formë e shkeljes kushtetuese. Në rastin konkret, shqetësimi bëhet edhe më i thellë për shkak të nivelit të lartë të funksionit publik që përfshihet. Kushtetuta nuk njeh hierarki përgjegjësie në bazë të pushtetit politik. Parimi i barazisë përpara ligjit, i afirmuar si në rendin kushtetues shqiptar, ashtu edhe në standardet evropiane, nënkupton se sa më i lartë funksioni, aq më e fortë duhet të jetë transparenca dhe përgjegjshmëria. Në planin kushtetues, roli i Gjykatës Kushtetuese është kyç. Sipas doktrinës klasike të Hans Kelsenit dhe zhvillimeve moderne të drejtës kushtetuese evropiane, Gjykata Kushtetuese është “gardiani e Kushtetutës”, jo vetëm përmes vendimeve që merr, por edhe përmes kohës kur i merr ato.
Një Gjykatë Kushtetuese që hesht në çështje me rëndësi publike e humbet gradualisht funksionin e saj si arbitër suprem dhe shndërrohet në faktor pasiv të krizës. Jurisprudenca evropiane ka theksuar vazhdimisht se mungesa e vendimmarrjes brenda një afati të arsyeshëm cenon rëndë sigurinë juridike. Siguria juridike, si parim themelor i shtetit të së drejtës, kërkon që qytetarët dhe institucionet të dinë se ligji vepron jo vetëm drejt, por edhe në kohë. Pa këtë element, Kushtetuta mbetet një dokument deklarativ dhe jo normë jetike.
Nga ana tjetër, Parlamenti nuk mund të justifikojë mosveprimin me pritjen e veprimeve të institucioneve të tjera, kur Kushtetuta i ka dhënë kompetenca të pavarura dhe detyrime të qarta. Parimi i ndarjes së pushteteve, sipas doktrinës kushtetuese evropiane, nuk nënkupton paralizë reciproke, por funksionim paralel dhe përgjegjësi të veçantë për secilin pushtet. Çdo tentativë për të transferuar përgjegjësinë për vendimmarrje përbën deformim të këtij parimi. Në planin politik, pasojat janë të rënda dhe afatgjata. Zvarritja e qëllimshme krijon bindjen se pushteti nuk i nënshtrohet ligjit, por e menaxhon atë sipas interesit të momentit. Kjo perceptohet nga publiku jo si dështim procedural, por si kapje e institucioneve përmes kohës. Dhe në rastin konkret, duket qartë se kjo po ndodh.
Është një formë pushteti më e rrezikshme se shkelja e hapur, sepse vepron pa konflikt të dukshëm dhe pa përgjegjësi të menjëhershme. Doktrina politike e shtetit të së drejtës e konsideron këtë fenomen si “erozion institucional”, ku ligji nuk shfuqizohet, por zbrazet nga përmbajtja. Afatet digjen, vëmendja publike shteron dhe përgjegjësia shuhet në harresë. Në fund, çështjet nuk mbyllen me vendim, por me lodhje kolektive. Në këtë prizëm, rasti që përfshin zv.kryeministren Balluku shndërrohet në test institucional, jo vetëm për një individ apo një funksion, por për vetë aftësinë e shtetit shqiptar për të zbatuar Kushtetutën në praktikë. Pyetja themelore nuk është nëse do të ketë një vendim, por nëse institucionet do ta marrin atë brenda kohës që ligji e kërkon dhe drejtësia e imponon. Jurisprudenca evropiane është e qartë: drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, sidomos kur vonesa shërben si mekanizëm mbrojtës për pushtetin.
Një shtet ku afatet ligjore konsumohen qëllimisht nuk është më shtet i së drejtës, por një rend formal ku ligji ekziston vetëm në letër. Rreziku final nuk është destabilizimi i pushtetit nga vendimmarrja, por kalbëzimi i tij nga frika për të vendosur. Historia kushtetuese tregon se pushtetet bien jo kur japin llogari, por kur humbasin guximin për t’u përballur me ligjin. Heshtja institucionale nuk mbron stabilitetin, ajo e përshpejton krizën dhe e thellon ndarjen mes shtetit dhe qytetarit.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












